Atanas Skatov, i cili u ngjit në majën e gjashtë për nga lartësia në planet Cho Oyu (8201 metra), pa aparat oksigjeni, para pak kohe mori distinktivin “Bullgaria e Artë” për sportist të muajit maj.
Gjatë vitit 2017 pasi u ngjit vetë në majën më të lartë të Amerikës Veriore – Denali (Alaskë) Atanas Skatov u bë vegani i parë në botë, i cili është ngjitur në majën Everest (8848 metra). Për gjashtë vitet (2013-2018), që kur merret me alpinizëm, ai zhvilloi 16 ekspedita, u ngjit në 13 maja, që është një arritje kombëtare dhe botërore. Sot alpinisti thotë: Interesi dhe dashuria ndaj alpinizmit “kanë qenë thellë brenda meje”. “Është bukur të merresh me sport në mal” – tha gjithashtu ai, pasi gjatë vitit 2011 kaloi për herë të dytë itinerarin prej 700 kilometrash Kom-Emine – itinerari më i gjatë i markuar turistik në Bullgari. Arritja e tij e fundit – maja Cho Oyu, ishte e gjashta nga projekti i tij “Ngjitja e 14 majave më të larta të planetit pa konsumim ushqimi me origjinë kafshore”.
“Ekspedita vazhdoi më shumë se 40 ditë. Për herë të parë u ngjita vetë në një majë të lartë mbi 8000 metra pa sherp dhe pa aparat oksigjeni. Ishte vështirë, sepse pranvera në majën Cho Oyu gjithmonë ka qenë e ftohtë dhe pothuaj çdo ditë binte dëborë.”
Sipas planeve të Skatovit pas Cho Oyu ai duhej të ngjitej për herë të tretë në majën më të lartë të planetit Everest. Pavarësisht se ai është bullgari i parë dhe i vetëm, i cili është ngjitur në Everest në kodrën veriore dhe në atë jugore, alpinisti thotë se këtë herë do të ishte “më ndryshe, sepse kisha vendosur për të qenë vetë, pa oksigjen artificial”. Ai thotë se është shumë vështirë që në kuadrin e një muaji të ngjitesh në dy maja të larta mbi 8 mijë, por është e mundur.
Alpinisti i ka përshkruar në ditar çdo ditë përjetimet e veta, të cilat pas kësaj i publikoi. Gjatë muajit mars doli libri i tij i serisë “Mbi 8000 metra – “Manaslu”, kurse gjatë majit libri i dytë “Anapurna, Dhaulagiri dhe Makalu” për ekspeditën e tij të trefishtë gjatë vitit 2016. Priten gjithashtu libra për ngjitjet e tij deri në Gasherbrum (2016), Everest dhe Lhotse (2017), Cho Oyu (2018).
Para se t’i përkushtohet alpinizmit, Atanas Skatov ka qenë doktorant në dy katedra të Universitetit të Humboltit – në lëmin e kopshtarisë dhe të fitomjekësisë. A ishte e lehtë zgjedhja e tij midis karrierës shkencore dhe alpinizmit?
“Bëhet fjalë për gjëra të ndryshme. Kjo me të cilën merrem aktualisht me sjell një kënaqësi të madhe. Po tregoj se nuk ka gjëra të pamundshme dhe se çdonjëri mund t’i realizojë ëndrrat e veta. Jam i lumtur, sepse njerëzit më shkruajnë se me ndihmën time kanë arritur ta ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Për mua kjo është gjëja më e bukur – të dish se mund të ndihmosh.”
Alpinisti thotë se njeriu duhet të punojë shumë, që t’i arrijë qëllimet e veta. “Kujdesem vetë për gjithçka. Nuk kam trajnerë, udhëheqës, konsulentë. I organizoj vetë ekspeditat.”
Skatov është i bindur se që të vendosë një njeri të ngjitet në të gjitha majat e larta mbi 8 000 metra, ai duhet të jetë i shëndetshëm psikikisht:
“Në këto maja mund të ngjitesh me psikikë të shëndetshme. Dallimi midis ngjitjes në mal dhe alpinizmit në lartësi të mëdha është i madh. Për alpinizmin duhet të kesh psikikë të shëndetshme dhe fortësi – të mbijetosh po të mos flesh, po të mos hash, të mbijetosh në kushtet e temperaturës së ulët dhe të motit të keq.”
Në vazhdim të 12 viteve Skatov ka qenë valltar në ansamblin për valle popullore për fëmijë “Trakijçe” në qytetin e tij të lindjes Sliven. “Kishim prova të rënda për shumë koncerte, ndoshta mbi 1000 në Bullgari dhe jashtë shtetit” – kujton alpinisti. - Për ndikimin e kësaj periudhe mbi arritjet e tij të sotme ai thotë: “Ndoshta kjo më ka ndihmuar që të kem këmbë të forta dhe të mund të ec, por ka pasur dhe amortizime.”
Sa për majat e vështira dhe ato të lehta ai është i mendimit se “varet për çfarë majash po flasim – për ato malore, ose për ato maja brenda nesh”. Atanas Skatov vë në dukje:
“Unë konkurroj me vetveten. Ngjitem në një majë, që të kuptoj se çfarë janë mundësitë e mia. Megjithëse varemi nga shumë faktorë. Atje kalojmë muaj me radhë dhe mali vendos. Jam i bindur se alpinizmi është një punë individuale. Mirëpo, po të jemi më shumë njerëz, kemi shans më të madh të ngjitemi në majë, duke ndihmuar njëri tjetrin.”
Që të ketë sukses alpinisti duhet të jetë në një sinkron të plotë me natyrën. “Duhet të jesh shumë i vëmendshëm, ta ndiesh malin dhe mali të të ndiejë ty. Që të mund të ngitesh lart, duhet të mund të komunikosh me malin.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personal
Stefani Stoeva dhe Gabriella Stoeva fituan titullin në dyshe për femra në turneun ndërkombëtar të badmintonit të serisë “International Challenge” në Hertogenbosch – Holandë. Motrat, të cilat janë të pestat në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe janë..
Garues nga Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nën moshën 19 vjeç do të marrin pjesë në Kampionatin Ballkanik të Ngjitjes Sportive për adoleshentët në disiplinën e vështirësisë, i cili do të mbahet më 26 dhe 27 tetor në..
Tenisti më i suksesshëm bullgar, Grigor Dimitrov, përparoi me një vend në renditjen botërore të ATP-së. Ai tashmë është i nënti me gjithsej 3735 pikë, ndonëse të dielën e 20 tetorit humbi finalen e turneut në Stokholm nga amerikani Tommy Paul...