Seminari Teologjik i Sofjes shënon 115 vjet nga krijimi i vet. Godina e tij u ndërtua në vitin 1903 mbi troje të dhuruara nga bashkia e qytetit. Sot Seminari po e vazhdon veprën e Shkollës Teologjike të Samokovit. Dekada me radhë përveç njohurive teologjike, seminaristët përvetësojnë arte të ndryshme kishtare. Gjatë të gjitha këtyre viteve arsimi dhe edukimi i tyre ndjek traditat e vlerave të krishtera, megjithë vështirësitë gjatë luftërave dhe viteve të ateizmit. Në vitin 1950, disa vite pas marrjes së pushtetit nga Partia Komuniste Bullgare, godinat e Seminarit të Sofjes përdoreshin si Pallat i Pionierëve, ndërsa Seminari u zhvendos në Manastirin e Çerepishit, ku mbeti deri në vitin 1990.
“Në të vërtetë çdonjëri, i cili ka shkuar në Seminar, është ndeshur me probleme serioze – tregoi në një reportazh për programin Horizont të Radios Kombëtare Bullgare rektori i Seminarit Tërëshenjtëria e tij Arqimandriti Pahomij. – Pushteti ka kërkuar mënyra që t’i shkëpusë menjëherë, duke i kërcënuar prindërit e tyre se do të mbeten pa punë, se do të persekutohen. Mirëpo, ata të cilët kanë shkuar në Seminar, kanë pasur dëshirën e sinqertë ta ndjekin këtë rrugë shpirtërore.”
Sot qëllimi ynë drejt jetës shpirtërore po pakësohet gjithnjë e më shumë, ndoshta për shkak të periudhës së gjatë të ateizmit, ose për shkak të qëllimit për pasuri materiale, gjë që e ndryshon sistemin tonë të vlerave.
“Periudha është e vështirë, sidomos për njerëzit e rinj. Mundësia që ata të bëjnë gabim në rrugë, duke e kërkuar të vërtetën, është mjaftë e madhe. Besimi është një zgjidhje personale – sekreti midis njeriut dhe Zotit. Kjo ndodh në zemër! Ne këtu mund ta japin diturinë për Zotin. Mirëpo, ne në asnjë mënyrë nuk mund t’ia fusim besimin në zemrën e njeriut.”
Megjithë vështirësitë pedagogët e Seminarit të Sofjes arrijnë të ringjallin besimin te nxënësit e vet, si dhe t’i mësojnë ta ruajnë zjarrin e besimit në shpirtrat e tyre. Më shumë se një shekulli shkolla teologjike i ruan traditat e edukimit teologjik të seminaristëve. Atje mësojnë 100 djem, ndërsa për vitin e ri shkollor janë regjistruar vetëm 15 nxënës. “Është me rëndësi që ata të udhëhiqen nga dëshira e tyre e sinqertë dhe personale, pa u ndier të detyruar”, shënon Arqimandriti Pahomij dhe shton:
“Fëmijët janë në Seminar nja 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe jo vetëm arsimi, por edhe edukimi i tyre është detyrë e pedagogëve të Seminarit. Ne jemi edhe si prindër të fëmijëve. Kemi një bazë të mirë, park, ku fëmijët të çlodhen dhe të mësojnë. U sigurojmë falas libra mësimorë, ushqim dhe pension familjar. Shumë pak janë shkollat që u sigurojnë nxënësve kushte të tilla. Sigurisht që janë me rëndësi edhe rregullat e seminarit, të cilat gjatë viteve kanë dhënë rezultate të shkëlqyeshme. Prandaj ne përpiqemi ta ruajmë këtë traditë, e cila është e mirë dhe e dobishme për fëmijët tanë.”
Sipas nxënësve Anton dhe Asen rregullat e rrepta të Seminarit janë diçka shumë e dobishme: “Nuk ka presion nga ana e mësuesve. Të gjithë kujdesen njëri për tjetrin dhe jetojmë si në një familje e madhe” – thonë ata. Të dy shtojnë se disponojnë mjaftë kohë të lirë, ndërsa pas mësimeve luajnë së bashku futboll dhe madje arrijnë të kthehen në vendlindjet e tyre. Mësuesi i tyre Hieromurgu Meletej shton:
“Shpeshherë dëgjojmë për problemet e të rinjve – narkotikët, mungesa e kuptimit të ekzistencës së tyre etj. Në Seminar përpiqemi të krijojmë lidhje midis jetës së çdo një mësuesi dhe kuptimit të jetës në përgjithësi, kuptim ky i cili për ne është Krishti.”
Është i gabuar kuptimi se fëmijët, të cilët e kanë mbaruar Seminarin, duhet të merren medoemos me teologji. Nxënësit marrin arsim mondan dhe më e rëndësishmja – një edukim të mirë dhe klasik, nënvizoi rektori Arqimandriti Pahomij.
Përpiloi: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Koka e një statuje është zbuluar gjatë gërmimeve në kanalin e madh të qytetit antik të Heraklea Sintika. Ajo është e statujës që u zbulua disa ditë më parë dhe tani është në muzeun e Petriçit që të studiohet nga restauruesit. “Kjo verë ishte..
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Arkeologët bullgarë zbuluan një statujë të dytë në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit antik Heraklea Sintika. Arkeologët nga ekipi i Prof. Dr. Ljudmill Vagalinski hasën në një tjetër skulpturë mermeri pranë vendit në kanal ku në..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..