Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkoi një debat publik për ndryshime në Kodin e Punës. Punëdhënësit ngulin këmbë për heqjen e ndalimit të rreptë për punë jashtë orarit. Ata këmbëngulin për rritje të numrit maksimal të orëve të punës së jashtëzakonshme në kuadrin e një viti nga 150 në 300 orë dhe për ulje të pragut të moshës për emërim në punë nga 16 në 15 vjeç. Punëdhënësit duan gjithashtu që të hiqet kufizimi për përqindjen e personelit. Sipas kërkesave të tanishme nëpunësit që janë emëruar me kontrata të përkohshme pune dhe me orar të reduktuar nuk mund të jenë mbi 30 për qind prej personelit.
Sipas biznesit Bullgaria është në vendet e fundit në BE për nga të gjithë treguesit për zhdërvjelltësinë e punës, si punë me kontratë pune me afat të caktuar, ekzistenca e agjencisë për punë të përkohshme, punësimi me orar të reduktuar, punë nga distanca, kontratë e dytë pune etj. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mendon se legjislacioni i deritanishëm është i vjetruar dhe nuk u përgjigjet sfidave bashkëkohore.
Në përkrahje të kësaj teze jepet shembulli pozitiv i reformave të punës në Gjermani që nga viti 2006 dhe në Spanjë nga viti 2011, të cilat çuan në hapjen e vendeve të reja të punës. Mirëpo, në këto vende ka sindikata efektive, mekanizma funksionuese për marrëveshje kolektive, ku madje puna me orar të reduktuar është me pagim të garantuar adekuat. Për fat të keq ndikimi i sindikatave në Bullgari nuk është si ai në vendet e lartpërmendura.
Ndërkaq, reformat e punës në Greqi dhe Francë janë shumë të diskutueshme në Bullgari. Që të tërheqë investime dhe të ruajë vendet e punës në Francë për shembull, Presidenti Emmanuel Macron anuloi javën e punës prej 35 orësh dhe orari i punës u zgjat deri në 40 orë në javë, gjë që shkaktoi një pakënaqësi të madhe në vend. Në këtë drejtim u bënë ndryshime në legjislacionin hungarez në fund të vitit 2018. Punëdhënësit hungarezë mund të kërkojnë nga nëpunësit e vet deri në 400 orë pune të jashtëzakonshme në vit dhe të vonojnë pagimin e punës deri në 3 vjet. Kështu puna suplementare mund të rritet në 8 orë në javë, ndërsa java e punës mund të bëhet prej 6 ditësh. Sindikatat në vend i quajtën ndryshimet “ligji të skllevërve”
Siç duket mendimi i punëdhënësve në Bullgari dhe në Evropën Lindore është më i ndryshëm nga ai i ekspertëve në Forumin e fundit ekonomik botëror. Në Davos u dëgjuan thirrje për javë pune prej katër ditësh. Për shumë njerëz kjo është utopi, por gjatë socializmit te ne java e punës prej 5 ditësh gjithashtu dukej si një fantazi.
Përgjigja e të gjitha dyshimeve dhe rritja e prodhueshmërisë është lidhur me teknologjitë e reja. Gjithnjë e më shumë prodhime shpresojnë tek robotizimi. Në të njëjtën kohë biznesi bullgar në vend që të investojë në robotizim dhe në teknologjitë e reja kërkon më shumë orë pune për personelin dhe më pak shpenzime sociale nëpërmjet formave të ndryshme të zhdërvjelltësisë së punës. Mirëpo, ky është një iluzion që mjekohet shumë lehtë nga tregu. Orari i zgjatur i punës është efektiv në plan afatshkurtër. Në plan afatgjatë kjo është ergonomike. Mirëmbajtja e një makine në prodhim dhe në shërbime gjithmonë është më e leverdishme sesa emërimi dhe kujdesi për punonjësit.
Sidoqoftë, nuk është keq të punosh me orar të zhdërvjelltë pune, në disa vende pune, madje në shtëpi, me pagim sipas orëve të punuara, ose me dy kontrata pune. Mirëpo, a janë gati vetë punëdhënësit dhe administrata shtetërore për ndryshimet e propozuara nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë?
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në muajin dhjetor, 1 miliard leva (500 milionë euro) do t'i drejtojmë komunave për investime në kuadër të Planit Strategjik për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zonave Rurale 2023-2027, kështu tha ministri i bujqësisë, Georgi Tahov, para mbledhjes..
Përfundoi pa konsensus mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim Trepalësh, në të cilin u diskutua një projekt-dekret i qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 933 leva /477,04 euro/ në 1077 leva /550,66 euro/ nga 1 janari 2025...
Terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandrupolis, në të cilin Bullgaria është bashkë-aksionare, tashmë kontribuon në konkurrencën jo vetëm të Greqisë dhe Bullgarisë, por edhe të të gjithë rajonit. Kështu tha ministri në detyrë i energjetikës,..