"Kur e shihni Tokën nga kozmosi, kjo ju ndryshon - ndryshon qëndrimin tuaj ndaj planetit dhe njerëzimit". Këto janë fjalë të themeluesit të "Amazon" Jeff Bezos, i cili pasi u ngrit në një lartësi prej 100 kilometrash dhe e pa planetin tonë përmes dritareve të mëdha të kapsulës premtoi se do ta kthente brezin e ardhshëm të ëndërrimtarëve në astronautë. Në të vërtetë, turizmi në kozmos po fiton gjithnjë e më shumë vrull, edhe pse si një kënaqësi kalimtare e miliarderëve. Megjithatë, me zotërimin e teknologjive dhe zgjatjen e fluturimeve, do të flitet gjithnjë e më shumë për çështjen e sigurisë së udhëtarëve.
Një robot që u ofron ndihmë mjekësore turistëve në vështirësi në kozmos është një ide e studentëve nga Shkolla e Lartë Ushtarake-Detare dhe Universiteti i Mjekësisë në Varna, e cila ka një shans për t'u realizuar në një mjedis real. Së fundmi, një ekip bullgar i shpikësve të rinj ishte ndër fituesit e konkursit prestigjioz The Student Aerospace Challenge (Sfida aerokozmike e studentëve) të Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Bullgarët e rinj ishin në konkurrencë me mbi njëqind projekte nga universitetet më të njohura të të gjithë kontinentit. Në konkurs, studentët tanë duhej të ndërtonin një sistem modular të një roboti që do të siguronte nevojat mjekësore të ekuipazhit gjatë fluturimit.
"Ne po zhvillojmë një robot modular të bazuar në inteligjencën artificiale që automatikisht do të kryejë manipulimet më të zakonshme mjekësore dhe do të zëvendësojë stafin mjekësor në kabinën e anijes kozmike," shpjegon Anton Atanasov, student i vitit të parë në specialitetin "Siguria Kibernetike" në Shkollën e Lartë Ushtarake-Detare. Përpunimi i ekipit, krijuar në dhjetor 2021, zbatohet për fluturimet suborbitale që zgjasin deri në 90 minuta dhe që transportojnë jo më shumë se gjashtë pasagjerë. Mjeku i hapësirës do të trajnohet për të kryer manipulime të ndryshme:
“Masazh i zemrës, intubacion duke përdorur një tub fleksibël dhe një pompë të integruar në modul – tregon Anton Atanasov. - Turistëve do t'u vendoset leukoplast me pajisje të vogla. Pajisjet do të monitorojnë gjendjen e trupit përmes sensorëve për temperaturën, rrahjet e zemrës, sheqerin në gjak, shenjat themelore jetësore dhe do t'i transmetojnë të dhënat tek inteligjenca artificiale, e cila do të vlerësojë gjendjen shëndetësore. Nëse nevojitet manipulim, roboti do të jetë në gjendje të gjejë një rrugë venoze dhe t’i injektojë ilaçe pasagjerit.”
Studentët besojnë se automatizimi i kujdesit mjekësor gjatë fluturimit mund të shpëtojë jetë. Për më tepër, tashmë janë bërë teste në shkallë ndërkombëtare dhe në to ka marrë pjesë edhe një person 80-vjeçar. Doc. Vesellka Radeva - drejtuese e planetariumit me një observator detar në Shollën e Lartë Ushtarake-Detare dhe e klubit studentor, mbështet interesat e shpikësve të rinj në fushën e mjekësinë hapësinore të lidhura me monitorimin e gjendjes së turistëve dhe ekuipazheve të anijeve kozmike.
“Patëm një sukses shumë të madh, sepse në këtë konkurs tradicionalisht marrin pjesë studentë të magjistraturës dhe doktorantë – thotë ajo. – Ndërsa studentët e ekipit tonë ishin të vitit të parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, por të përgatitur mirë, të motivuar dhe të ditur. Nga të gjithë njëqind projektet, vetëm dhjetë u prezantuan në konferencën përmbyllëse përpara agjencive dhe kompanive më të mëdha hapësinore evropiane që janë lidhur me transportin ajror. Projekti bullgar i mjekësisë hapësinore fitoi miratimin e jurisë dhe sipas komenteve është aq i mirë sa përmban idetë e pesë të tjerëve.”
Sipas Doc. Vesellka Radeva, turizmi hapësinor pret që udhëtarët të jenë nga mosha 10 deri në 80 vjeç. Dhe duke qenë se për herë të parë po bien në mungesë peshe, organizmi i tyre mund të reagojë në mënyrë të ndryshme. Në këtë lidhje përveç pilotëve të trajnuar ata do të ketë nevojë edhe për kujdes mjekësor cilësor. "Roboti i krijuar nga të rinjtë do të bëjë një punë të përsosur - do të ofrojë ndihmën e parë dhe do të jetë në gjendje të reanimojë një turist në telashe në hapësirën kozmike," përfundoi ajo.
Ndërkohë, Anton Atanasov nuk vendos pengesa përpara ëndrrave të tij: “Nëse kam mundësi, do të doja të vizitoja një sistem yjor me gjashtë planetë në një zonë të banueshme. Do të ishte interesante nëse do të kishte jetë atje.”
Përpiloi: Diana Cankova (sipas intervistës së Daniella Stojnovës, BNR-Varna)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: mu-varna.bg, naval-acad.bg
Pikërisht 75 vjet më parë, përkatësisht në vitin 1949, vendi më i madh natyror i dëllinjës së pemës (Juniperus excelsa) në Evropë - "Tisa", që ndodhet rrëzë të malit Pirin, u shpall rezervë. Dëllinja është një specie relikte e mbrojtur jugore, me..
Dhuna dhe bullizmi në shkollë është një problem aktual jo vetëm në Bullgari, por edhe në shumë vende evropiane dhe të tjera. Tetë vjeçari Johan Tansoe, i cili ka lindur në Norvegji, por për rreth një vit studion në një shkollë bullgare në Burgas, u..
Një nga subjektet e përdorura shpesh në filmat apokaliptikë të Hollivudit ka të bëjë me një asteroid të madh që do të godasë Tokën. Një dramatizëm shtesë sjellin masat që duhen marrë për të parandaluar një katastrofë të tillë. Fabula në..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së..