Për disa njerëz, kriza është e barabartë me një mundësi. A vlen kjo edhe për bullgarët në ditët e sotme, ku zgjedhjet krijuan një paqëndrueshmëri të vazhdueshme politike, rritja e çmimeve nuk ka të ndalur, ndërsa të ardhurat duket se kanë "ngrirë" në kufijtë e mbijetesës?
Në këtë sfond, spikasin fjalët e Dobromir Janev, një konsulent financiar me përvojë shumëvjeçare në kreditim, sipas të cilit, "ne nuk kemi arritur ende në atë gjendje në të cilën mund të përdorim fjalën "krizë" dhe trumbetimi i saj në media është më tepër një frikësim”.
“Por kjo nuk do të thotë se kriza nuk po vjen – përkundrazi. Thjesht ajo nuk vjen krejt papritur – shtoi ai në një intervistë për BNR Burgas. - Në Bullgari, efektet e ngjarjeve globale zakonisht shfaqen me një vonesë nga 6 deri në 12 muaj. Kështu ka qenë në vitin 2008, kështu po ndodh edhe tani. Ndërkohë që vendet e tjera mund të pretendojnë se janë në një krizë sepse duhet të marrin masa mjaft serioze, ne jemi ende në rrugën e arritjes së gjendjes së krizës. Megjithatë, dyqanet tona janë plot, njerëzit nuk kanë reshtur së konsumuari dhe vendi arrin të prodhojë pothuajse gjithçka që i nevojitet – energji elektrike, produkte ushqimore, drithëra”.
Kriza do të reflektojë mbi të ardhurat dhe jo mbi mungesën e mallrave dhe energjisë, siç ka ndodhur më parë, theksoi analisti. Dhe kjo tashmë ndihet - ne mund të blejmë gjithnjë e më pak gjëra me paratë që marrim nga puna jonë.
“Mund të themi se për njerëzit që jetojnë me nga 500 deri në 1000 leva / 250-500 euro/ në muaj, Bullgaria është tashmë në krizë, pasi tani ata duhet të kufizohen nga gjërat primare. Mirëpo personat që fitojnë më shumë se 3-4 mijë leva /1500 euro/ nuk janë në krizë, kanë filluar të kursehen për ndonjë blerje luksi, të mos udhëtojnë kaq shpesh etj. Historikisht krizën e lidhim me mungesën e diçkaje – produkteve ushqimore, energjisë elektrike, ujit. Për mendimin tim, pritettë jetë më shumë një krizë të ardhurash, nuk besoj se do të ketë moment ku do mungojnë gjera nëpër rafte. Dhe nuk ka arsye që në vendin tonë të ketë përsëri një regjim kursimi të energjisë elektrike apo vështirësi të tjera të ngjashme, por një krizë të ardhurash pritet. E mira është se për këtë flitet prej kohësh dhe njerëzit kanë kohë të ndërmarrin hapa për të zbutur goditjen, e cila tek secili do vijë në momente të ndryshme, por që është e pashmangshme”.
A ka ndonjë mënyrë për t'iu kundërvënë këtyre lëkundjeve? Levat në duart e njerëzve janë të kufizuara dhe jo çdokush mund t'i përdorë, shprehet në mënyrë kategorike eksperti financiar.
“Të gjitha krizat në 10-15 vitet e fundit janë sjellë nga jashtë në Bullgari. Ato nuk janë shkaktuar nga faktorë të brendshëm, por nga faktorë të jashtëm. Kriza aktuale vjen nga lufta e shkaktuar nga Rusia. Rrjedhimisht, sanksionet e vendosura nga BE-ja dhe ne si anëtarë të saj, d.m.th. nuk jemi ne ata, që e futëm veten tonënë krizë. Ne kemi në dispozicion leva për ta zvogëluar këtë goditje dhe për ta kufizuar. Por këto leva janë në duart e shtetit dhe pushtetarëve”, sqaroi Dobromir Janev.
Fatkeqësisht, vendi ynë nuk arrin të përfitojë nga ngadalësimi i ndikimit të faktorëve të jashtëm në jetën e qytetarëve bullgarë. Një nga arsyet është se në vitet e vështira për ekonominë dhe financat kemi qenë në mënyrë të pandërprerë në një krizë politike dhe në ndërrim të subjekteve politike. E gjithë kjo ndikon në çmimin që paguajnë qytetarët e thjeshtë bullgarë.
Intervistoi: Marijan Ivanov, BNR Burgas
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Pixabay
Në vitin 2023, rritja e PBB-së së Bullgarisë ishte 1.9% më shumë në terma realë krahasuar me vitin 2022. Kjo është 0.1 për qind më shumë se rritja e paralajmëruar fillimisht prej 1.8%, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Kryetari i..
Bullgaria është në vendin e 52-të për sa i përket lirisë ekonomike në botë për vitin 2024, sipas sondazhit të fundit të Institutit Kanadez “Fraser”, njofton Instituti për Ekonominë e Tregut. Sondazhi mat shkallën e lirisë ekonomike në 165 vende të..
Inflacioni në vend u ngadalësua ndjeshëm në shtator në 1.2 për qind nga 2.1 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të ulët që nga marsi 2021, treguan të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Krahasuar me muajin gusht, ka një deflacion prej..