Profesoreshë Marie Vrinat-Nikolov është e vetmja përkthyese e letërsisë bullgare, gjuha amtare e së cilës është frëngjishtja. Ajo jep mësim për përkthim dhe gjuhë dhe letërsi bullgare në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO). Ka përkthyer në frëngjisht rreth pesëdhjetë libra të autorëve klasikë dhe bashkëkohorë, mes të cilëve edhe Georgi Gospodinov, i cili pak ditë më parë mori çmimin prestigjioz Booker për romanin e tij “Strehim kohe”. Ishte përkthimi i bërë nga Marie Vrinat, fituese e çmimit të përkthimit „Etienne Dolet“ të Sorbonës, që arriti tek audienca frëngjishtfolëse.
Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Prof. Vrinat foli për përvojën e saj si përkthyese, mendimet e saj për përkthimin dhe mbrojtjen e letërsisë bullgare.
Pse pikërisht bullgarisht? Për Marie Vrinatën, shpjegimi nuk është rreptësisht racional:
„Unë kam menduar për këtë, sigurisht. Mikja dhe kolegia ime Biljana Kurtasheva më tha "bullgarishtja të ka zgjedhur" - më pëlqen ideja. Çdo gjuhë zgjon tek ne një botë imagjinare dhe ajo nuk është racionale. Mund të dal me shpjegime të ndryshme, por kjo nuk do të ishte arsyeja e vërtetë.“
Marie Vrinat tregon se si në fëmijërinë e saj hasi në veprat e konteshës de Segur, Rostopchine nga babai, të cilat ishin të bollshme në referenca për kulturën ruse. Kur më vonë dëgjoi për herë të parë një gjuhë tjetër sllave, bullgarishten, ajo ndezi imagjinatën e saj.
Ajo shpjegon gjithashtu se nga vijnë vështirësitë për përkthyesin - çdo tekst, përkatësisht një tekst, jo një autor, ka gjuhën e vet.
„ Henri Meschonnic më ndihmoi të kuptoja punën e përkthimit. Kur përkthej, respektoj dy imperativa - së pari, gjithmonë pyes veten se çfarë bën ky tekst dhe askush tjetër me gjuhën bullgare. E dyta është që sytë e mi të dëgjojnë dhe veshët e mi të shohin. E kam përjetuar me librin e fundit në prozë që kam përkthyer – “Rapsodi ballkanase” të Maria Kasimova-Moase. Ka një ritëm të veçantë, ndaj përpiqem të ndjek sa më shumë renditjen e pazakontë të fjalëve, përsa kohë është e mundur. Një përkthim nuk është ekuivalenti i një teksti të dhënë në një gjuhë tjetër, është ndryshe. Megjithatë, shpresoj të ndez imagjinatën e lexuesit siç bën teksti origjinal“.
Derrida shkruan se asgjë nuk është e papërkthyeshme dhe në të njëjtën kohë gjithçka është e përkthyeshme. A është e saktë kjo?
„Kjo varet nga koncepti ynë i përkthimit. Nëse i themi vetes se të njëjtin tekst e prodhojmë në një gjuhë tjetër, kjo nuk është e vërtetë thjesht sepse edhe objektet më banale nuk na japin të njëjtën ide. Edhe fjala “tavolinë” nuk na ngjall të njëjtin imazh në mendjen tonë, e lëre më koncepte të tilla si “xhezve”. Nëse dua ta përkthej, duhet ta parafrazoj. Dhe pse një autor bullgar e përdor fjalën "xhezve"? Natyrisht, për të na zhytur në atmosferën osmane.“
Kur lexojmë një përkthim, në të vërtetë nuk po lexojmë as Shekspirin, as Borgesin, as Biblën... Sipas Marie, fillojmë të vëmë re figurën e përkthyesit. Emri i tij tashmë është në kopertinë. Çmimet e përkthimit po zhvillohen gjithashtu. Dëshmi është çmimi Booker, i dhënë për romanin “Strehim kohe” jo vetëm për Georgi Gospodinov, por edhe për përkthyesen Anxhela Rodel.
Marie Vrinat tregon se lufta e saj për letërsinë bullgare ishte jashtëzakonisht e vështirë, madje e dëshpëruar, në fillim, por tani ajo ka një rrjet botuesish me të cilët punon. Vetëm brenda këtij viti do të botohen pesë përkthime të saj.
Dhe a ka një ndjesi se punon me një gjuhë dominuese dhe të dominuar dhe Bullgaria është më tepër në periferi?
„Jo – shprehet kategorikisht Marie Vrinat – kur përkthej, përpiqem të sjell në dialog dy gjuhë, dy kultura, dy letërsi që i dua. Është e vërtetë që e kam bërë si mision popullarizimin e letërsisë që nuk njihet veçanërisht në Francë, por përkthimi për mua është mbi të gjitha lumturi. Po përpiqem të bëj dy muzika që të flasin me njëra-tjetrën. Më pëlqen shumë formulimi i Édouard Glissant – përkthimi është si arti i fugës. Dhe kjo sepse në fugë ka dy zëra që bashkohen dhe në një moment të caktuar ata mund të largohen.“
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Facebook /Marie Vrinat-Nikolov, azcheta.com, BGNES
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..