Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dy shekuj më parë, në Veliko Tërnovo u hap farmacia e parë moderne bullgare

Në këtë godinë u hap farmacia e parë bullgare / Foto: Dr. Atanaska Stambolijska, Muzeu Historik Rajonal Veliko Tërnovo

Farmacia e parë bullgare u krijua nga bullgari i parë me arsim të lartë, në fillim të shekullit të XIX-të, doktor Marko Pavllov. Rrugëtimi i jetës së tij fillon në një mënyrë të çoroditur si në ndonjë roman sentimental të shekullit të XVIII-të. Ai lindi në vitin 1784 në Maqedoninë e Egjeut, në fshatin Syachišča. Mbeti jetim shumë shpejt. I adoptuar nga një tregtar italian gruri dhe mëndafshi, ai u rrit në Itali dhe filloi të studiojë mjekësi në Mekën e farmacisë evropiane të asaj kohe - Venecia. Ai u diplomua si doktor në Universitetin e qytetit francez të Montpellier në vitin 1808. Ndërsa ishte ende student i mjekësisë, ai doli vullnetar në ushtrinë Napoleonike. Gjatë Luftës Austro-Franceze të vitit 1809, ai shërbeu si mjek i Jean Lannes. Ai u dekorua prej tij me dy urdhra nderi. Pas betejës së përgjakshme në Aspern-Essling, Jean Lannes vdiq në duart e Pavllovit të ri.

Napoleoni viziton të plagosurit pas Betejës te Aspern-Essling në vitin 1809, piktor Sharll Menie

Pas vitit 1814, me pasaportë angleze, ai punoi si mjek në Korfuz dhe në pjesën tjetër të ishujve të Jonit. Më pas ai u bë mjek ushtarak në Tunizi dhe Marok. U bashkua me organizatën sekrete çlirimtare greke „Filiki Eteria“ dhe në vitin 1821 mori pjesë në Luftën Greke për Pavarësi. Përmes Kostandinopojës u vendos në Plovdiv, ku shumë shpejt fitoi famë si një mjek i mirë. Më von transferohet në Tërnovo.

Për të mposhtur konkurrencën, duket se edhe doktor Marko Pavllovi nxitoi të ngrejë farmacinë e tij moderne. Që në vitin 1823, ai porositi ilaçe dhe vazo nga Franca. Ky vit konsiderohet edhe si hapja e farmacisë së parë moderne në Bullgari. Për nevojat e profesionit u mor me qera një dyqan special i quajtur “Barnatore”. Atje, mjeku kryente njëkohësisht ekzaminime dhe përgatiste ilaçe - në dhoma të veçanta me një laborator dhe një depo. Ilaçet e gatshme ekspozoheshin në sallën e pritjes në enë prej porcelani dhe qelqi (vazo), të renditura në rafte, sipas rendit alfabetik dhe peshës. Kishte edhe dollapë të veçantë për ruajtjen e barnave të fuqishme - medikamenteve.

Në dhomën e pritjes, përveç një tavoline të madhe pune dhe tavolinë për të shkruajtur, mjeku kishte një shkallë të lëvizshme që ndihmonte për të arritur në raftet e sipërme. Në laborator kishte një tavolinë tjetër me rafte, një lavaman, sita, makineri për bluarjen e drogave të forta, etj. Klientela nuk mungonte. Njerëz nga i gjithë vilajeti i Tunës – vilajeti i Danubit vinin për të kërkuar ndihmë në “ Barnatore ”.

Dr. Marko Pavllov vdiq në moshën 80 vjeçare më 5 janar 1864.

„Barnatorja“ e restauruar në  vitin 1981

Pas vdekjes së Marko Pavllovit, " Barnatorja" u trashëgua nga djali i tij më i vogël Georgi Markov. Ai detyrohet të ndryshojë jo vetëm mbiemrin, por edhe emrin e firmës, duke vendosur në derë shenjën “Farmaci”. Kjo ndodhi pas shtypjes mizore të Kryengritjes së Prillit në 1876. Në atë kohë Georgi Markov i shkroi një deklaratë Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit të Dhunës Osmane. Mblodhi 176 firma nga populli në mbështetje të sinjalit të dorëzuar. Veprimet e tij u vunë re nga autoritetet. Me këshillën e ambasadorit rus kont Nikollaj Ignatiev, bullgari u strehua në Kostandinopojë. Për të shmangur persekutimin, ai pranoi shtetësinë greke. Pas kthimit në Tërnovo, në vend të "Georgi Markov" ai shkroi "Georg Markizis", siç është tani emri i tij i ri në pasaportë. Në vitin 1877, gjatë luftës ruso-turke që çliroi vendin tonë, ai trajtoi me ilaçe falas ushtarakët rusë dhe refugjatët nga Bullgaria jugore. Në vitin 1886, ai ia dha farmacinë bashkëqytetarit të tij dhe ministrit të Tregtisë, Panajot Sllavkov.

Ndërtesa e farmacisë së parë bullgare u restaurua dhe u shndërrua në muze pune në vitin 1981. Ajo ndodhet në rrugën "Ivan Vazov", përballë bujtinës së ndërtuar nga mjeshtri i Rilindjes Koljo Fiçeto. Pas ndryshimeve nga fundi i shekullit të kaluar "Barnatorja" - farmacia pushoi së punuari. Sot mbi fasadë është vendosur një pllakë përkujtimore me emrin e farmacistit të parë bullgar - Dr. Marko Pavllov, shpiegoi për Radio Bullgarinë Dr. Todorka Nedeva nga Muzeu Historik Rajonal në Veliko Tërnovo.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD

Para 80 vjetësh u zbulua tuma e Kazanllëkut

"Njeriu nuk e njeh rrugën drejt qiellit, por kali e di", thotë një fjalë e urtë trake. Prandaj, mbretërit trakë dërgoheshin me patjetër në botën e përtejme së bashku me kuajt e tyre. Për shkak të varreve të shumta të sundimtarëve nga epoka helenistike,..

botuar më 24-04-19 7.30.PD

Mbushen 80 vjet nga bombardimi i fundit i Sofjes

Më 17 prill, 80 vjet më parë, ndodhi bombardimi i fundit dhe më brutal i Sofjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944, më 17 prill në mesditë, 350 bombardues amerikanë, të shoqëruar nga gjuajtësit “Thunderbolt” dhe “Mustang”, hodhën 2500 bomba..

botuar më 24-04-17 1.48.MD