Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radio Bullgaria tek bullgarët në Shqipëri

Nuçi Grozdani–mësuesi nga Pogradeci

Nuk i kam shkëputur lidhjet me Bullgarinë - i tha Nuçi Kostandina Bellos

6
Foto: Krasimir Martinov

Qyteti shqiptar i Pogradecit, i vendosur në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit, është një vend ku jetojnë dhe punojnë shumë qytetarë shqiptarë me origjinë bullgare. Qyteti është qendra e bashkisë me të njëjtin emër në qarkun e Korçës, në Shqipërinë Lindore. Pogradeci ndodhet rreth 140 km nga kryeqyteti Tiranë, 40 km nga qyteti i Korçës dhe 5 km nga kufiri me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Aty, buzë liqenit të Ohrit, takojmë Nuçi Grozdanin - mësues historie në një shkollë shqiptare, dhe nga ky vit shkollor - mësues i gjuhës dhe kulturës bullgare në shkollën bullgare të së dielës në Pogradec.

Qyteti Pogradec, Shqipëri

Nuçi Grozdani është gjithashtu pjesë e pakicës kombëtare bullgare në Shqipëri. Prindërit e tij janë nga fshati bullgar Vërnik, pika më juglindore e Shqipërisë. Ndonëse ka lindur në Pogradec, me një nostalgji të madhe, Nuçi kujton kohët e bukura në fshat, ku si fëmijë një pjesë të madhe të kohës e kalonte me gjyshërit. Aty mësoi të fliste bullgarisht, i tregonin histori, i këndonin këngë... Vite të bukura dhe të shkujdesura… 

Në vitin 1994, Nuçi mori një hap të rëndësishëm në jetë – shkoi në Bullgari për të vazhduar studimet. Ai ka mbaruar Histori në Universitetin Jugperëndimor "Neofit Rillski" në Bllagoevgrad. Nuçin e kthyem pas në kohë për të na treguar për vitet e tij studentore, mendimet dhe ndjenjat e tij kur u takua për herë të parë me Bullgarinë:


"Ishte pak e vështirë për mua, pak e çuditshme, disa gjëra ishin pak më ndryshe. Gjuha gjithashtu. Por Bllagoevgradi më ka pëlqyer shumë - thotë ai, ndërsa në lidhje me njerëzit, ai u shpreh - Njerëzit ishin shumë të këndshëm. Unë jetoja me bullgarë në konviktin e studentëve. Të gjithë ishin shumë të sjellshëm dhe sidmos me ne bullgarët nga jashtë. Kujtime të mira…"

Para se të fillonte studimet në Bllagoevgrad, Nuçi kaloi dy muaj në Sofje, në Institutin për Studentë të Huaj (IÇS). Atij i bëri përshtypje edhe atëherë kryeqyteti bullgar, por përveç Sofjes ka kujtime të mrekullueshme edhe nga qytetet Veliko Tërnovo dhe Kjustendill, të cilat pati rastin t'i vizitojë. Ndaj i pyetur nëse do të kthehej sërish në Bullgari, Nuçi shprehet në mënyrë kategorike:

"Unë me të vërtetë dua të kthehem një ditë. Më pëlqen shumë Bullgaria dhe mendoj se një ditë do të kthehem sërish."

Sot, Nuçi jeton dhe punon në qytetin e qetë dhe të bukur buzë liqenit të Ohrit. Ai është mësues historie në një shkollë të mesme vendase.

"Në qytetin e Pogradecit ka disa familje me origjinë bullgare, të ardhur nga fshati Vërnik. Ka edhe disa familje bullgare, rrënjët e të cilave janë nga Ohri - vazhdon të na thotë Nuçi Grozdani. - Dhe sa për fëmijët ... prindërit e tyre duan që ata të flasin gjuhën bullgare, të mësojnë gramatikën dhe një ditë - të vazhdojnë shkollimin e tyre në universitetet në Bullgari."

Nuçi Grozdani me nxënësit e shkollës

Gjatë takimit me Nuçin, ai na foli edhe për planet për të hapur një shkollë të së dielës në qytetin e Pogradecit. Ëndrra e mësuesit dhe e të gjithë bullgarëve që jetojnë në këtë zonë është tashmë realitet. Falë Dhimitri Nikollës dhe Shoqatës për Miqësi Bullgaro-Shqiptare të drejtuar prej tij, tashmë në Pogradec ka një shkollë të së dielës. Aty rreth 20 fëmijë mësojnë shkrim e lexim në gjuhën bullgare dhe mësuesi i tyre është Nuçi. Fëmijët janë të moshave të ndryshme, duke filluar nga më të vegjlit - në moshën 6, 7 vjeç e deri te maturantët që po përgatiten gjithashtu për të aplikuar në shkollat ​​e larta bullgare.

I pyetur për nevojat e bullgarëve në këto zona dhe çfarë mund të bëhet për të lehtësuar arsimimin e tyre, Nuçi Grozdani tha: "Ne gjithmonë kemi nevojë për pak ndihmë për këto gjëra - libra, programe që fëmijët të mësojnë. Ne kemi nevojë për literaturë. Gjithmonë ka nevojë për këto gjëra."


Mësuesi nga Pogradeci ndan mendimin e tij se duhet të ketë një program të përgatitur posaçërisht për fëmijët e pakicës sonë kombëtare në mënyrë që ata të mësojnë më lehtë gjuhën letrare bullgare, që të mos flasin vetëm dialektin vendas. "Ja, ne bullgarët jashtë vendit duam të mësojmë gjuhën bullgare, të ndihemi si bullgarë të vërtetë," thotë ai.

Ndonëse ka kaluar shumë kohë nga vitet studentore në Bullgari, Nuçi Grozdani vazhdon të mbajë kontakte me vendin tonë dhe të informohet për gjithçka që ndodh në të:

"Gjithmonë ndjek lajmet në internet, lexoj portale të ndryshme bullgare, shoh filma... Nuk i kam humbur kontaktet. Lexoj shumë. Unë kam libra bullgarë që nga kohët e studimet e mia, lexoj edhe nga faqet online dhe gjithmonë lexoj histori." – thotë mësuesi. 

Duke folur për historinë, Nuçi vë në dukje faktin se që në kohërat e lashta, bullgarët dhe shqiptarët kanë bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe nuk kanë pasur kurrë probleme me njëri-tjetrin. "Dhe tani në Shqipëri nuk ka probleme me bullgarët, përkundrazi - ata janë shumë të respektuar" - thotë Nuçi. Pas njohjes së minoritetit bullgar në vitin 2017, marrëdhëniet vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe të ngrohta.

Fotografi: K. Martinov, K. Bello, N. Grozdani-arkiva personale, Shoqata për Miqësi Bullgaro-Shqiptare



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Për të ruajtur identitetin e tyre, bullgarët në Shqipëri kanë nevojë edhe për mbështetje shtetërore

"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga..

botuar më 24-12-13 7.30.PD
Nuredin Nuredinaj

Nuredin Nuredinaj nga Gora: "Duhet t'iu rikthehemi vlerave njerëzore dhe të ruajmë identitetin tonë"

Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023).  Tirana njoftoi të dhëna zyrtare të përditësuara për bullgarët në Shqipëri..

botuar më 24-12-08 8.45.PD

De Là Trâp, reperi bullgar nga Miami: Mundësitë e njeriut varen nga perspektiva

De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..

botuar më 24-12-05 7.30.PD