Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

7 parti në parlamentin e ri, 7 pikëpamje për qeverisjen e ardhshme

Në një kohë të ndarë, kërkohet unitet për një qeveri

| rinovuar më 24-06-19 4.41.MD
Foto: BTA

Shtetësia vuan nga përçarja. Votuesi bullgar dëshiron ndryshime dhe detyra e politikanëve është t'i zbatojnë ato - të planifikuara, të ndërgjegjshme dhe të arsyetuara. Jetojmë në një kohë jashtëzakonisht dinamike, jetojmë në një kohë të ndarë. Me këtë mesazh, deputeti më i moshuar Sillvi Kirillov nga “Ka një popull të tillë” hapi seancën e parë të Legjislaturës së 50-të të Kuvendit Popullor.

Sillvi Kirillov

Përpara se partitë parlamentare të bënin deklarata politike për punën e parlamentit të sapozgjedhur, përfaqësuesit e popullit u betuan se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Bullgarisë dhe do të udhëhiqen nga interesat e popullit bullgar në të gjitha veprimet e tyre.

GERB-SDS janë për një qeveri me përgjegjësi të përbashkët

Ne deklarojmë se jemi gati të marrim pjesë vetëm në një qeveri me përgjegjësi të përbashkët për 4 vjet. Opsioni i dytë janë zgjedhjet e reja të parakohshme. Ne deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në qeveri me asnjë çmim dhe nuk do të lejojmë që besimi i votuesve tanë të shpërdorohet, tha Toma Bikov në një deklaratë në emër të forcës më të madhe politike GERB-SDS. Sipas tij, një tjetër zgjedhje e parakohshme është e keqja më e vogël përpara se të formohet "një shumicë joparimore, pa mbështetje të gjerë politike dhe publike, me një horizont të paqartë, që do të zgjedhë një qeveri politikisht të papërgjegjshme".

Toma Bikov

Analiza e rezultateve të zgjedhjeve tregon se mundësitë para parlamentit aktual nuk janë të shumta. Me votën e tyre, votuesit bullgarë na treguan se jo vetëm një, por as dy forca politike nuk janë në gjendje të formojnë një qeveri të rregullt. Kjo do të thotë se një qeveri e mundshme do të duhet të gëzojë mbështetjen e tre ose më shumë formacioneve. Kjo shenjë nga ana e qytetarëve bullgarë tregon se nga përfaqësuesit e popullit kërkohet përulësi, një mundësi për të formuar struktura komplekse menaxheriale dhe për të përcaktuar së bashku një axhendë pozitive për vendin. Parlamentet e fundit dështuan pikërisht në deshifrimin e rezultateve të zgjedhjeve. Kjo është arsyeja që në vend të zhvillimit dhe ndryshimit, qytetarët bullgarë marrin zhgënjim dhe kohëzgjatje. Nga ky këndvështrim duhet të kemi parasysh faktet e realitetit politik dhe të nxjerrim një formulë menaxhimi, që iu përgjigjet atyre dhe sfidave reale me të cilat përballet shoqëria”, theksoi Bikov në emër të GERB-SDS dhe u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare në Legjislaturën e 50-të të Kuvendit Popullor të tregojë mençuri dhe përgjegjësi në emër të unitetit parlamentar dhe të ardhmes së përbashkët bullgare. Nga fjalët e tij u bë e qartë gjithashtu se koalicioni GERB-SDS është i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme.

DPS beson se njerëzit nuk duan zgjedhje të reja të parakohshme

Është hapur një humnerë mes politikanëve dhe agjendës së shoqërisë, agjenda e shoqërisë nuk është agjenda e politikanëve. Populli nuk dëshiron zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, tha nënkryetari i DPS-së Jordan Conev.

Jordan Conev

“Populli kërkon stabilitet, formim të qeverisë, zgjidhje të problemeve. Këto janë rritje të të ardhurave, vendeve të punës, rritjes ekonomike, sigurisë së vendit, të vendbanimeve dhe të çdo qytetari bullgar. Nuk ka asnjë mënyrë për t'i zgjidhur këto probleme në krizën politike në të cilën ndodhet vendi në 3 vitet e fundit Zgjidhja e kësaj krize qëndron në mazhorancën e qëndrueshme dhe formimin e një qeverie të qëndrueshme me horizont 4-vjeçar. Bullgarët në pjesën më të madhe konfirmojnë zgjedhjen euroatlantike të Bullgarisë”, theksoi Jordan Conev dhe theksoi se për DPS euroatlanticizmi është një zgjedhje ekzistenciale për qytetarët dhe për atdheun. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën në luftën e saj kundër agresorit, tha edhe deputeti nga foltorja e Kuvendit Popullor.

PP-DB do të jetë një opozitë proevropian

Nikollaj Denkov

"Gjatë 6 zgjedhjeve të fundit në 3 vjet, vetëm "Po e vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike" (PP-DB) arriti të formojë një qeveri të rregullt të suksesshme dy herë. Asnjë forcë tjetër politike nuk e mori këtë përgjegjësi në këto kohë të vështira, dhe kjo është pse tani po paguajmë një çmim të lartë politik. Këto dy kabinete u rrëzuan kryesisht me përpjekjet e GERB-it, DPS-së dhe “Ka një popull të tillë”, tha ish-kryeministri Nikollaj Denkov në emër të PP-DB-së në deklaratën e parë të koalicionit në parlamentin e ri. Ai u shpreh kategorik se do të jenë një opozitë konstruktive pro-evropiane dhe do të monitorojnë çdo dyshim për korrupsion. “Ne do të luftojmë për ligje që do të ndihmojnë bizneset, duke garantuar konkurrencë, arsim cilësor dhe reforma që garantojnë pavarësinë e gjyqësorit”, theksoi Denkov.

Sipas "Vazrazhdane" - "shteti po vdes fjalë për fjalë para syve tanë"

70% e qytetarëve bullgarë vendosën të qëndrojnë në shtëpi më 9 qershor dhe kështu votuan mosbesimin ndaj shtetit. “Populli i dha një shuplakë kumbuese elitës politike, e cila duhet të jehojë për një kohë të gjatë”, tha kreu i partisë “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov.

Kostadin Kostadinov

“Shumica dërrmuese e popullit bullgar deklaroi se nuk i intereson kush e qeveris shtetin, kush e përfaqëson atë, kush është përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen... Dhe nëse në orët dhe ditët e para kjo na zemëroi ne, votuesit, pastaj erdhi radha e dëshpërimit, sepse për ata që nuk votojnë nuk ka rëndësi kush është këtu në këtë sallë. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se për shumicën në sallë ka edhe më pak rëndësi se kujt i votoi këtë votë mosbesimi", tha Kostadinov. Sipas fjalëve të tij, shteti po vdes fjalë për fjalë para syve tanë dhe në duart tona dhe premtoi se deputetët e "Vëzrazhdane" do të mbrojnë interesat e Bullgarisë dhe të qytetarëve.

Zgjedhjet e reja nuk do të ndryshojnë asgjë”, thonë nga BSP

Se sa kohë do t'i jepet këtij parlamenti varet nga zgjedhja jonë - nëse do të vazhdojmë të hedhim gurë apo do t'i mbledhim për ndërtim, nëse do të grisim përsëri apo do të fillojmë të qepim, nëse do të rrënojmë apo ndërtojmë, theksoi kryetari i përkohshëm i Partisë Socialiste Bullgare (BSP). Ai premtoi se koalicioni "BSP për Bullgarinë" nuk do të jetë ai që do të hedhë gurë dhe do të nxjerrë vija të reja ndarëse.

Atanas Zafirov

"Politika u izolua nga populli. Ne e bëmë një territor të rezervuar për persona të zgjedhur. U kthye në një projekt. Ne vendosëm jashtë kontratës sociale miliona bullgarë që nuk votojnë - më pak se 1/3 e qytetarëve bullgarë e ushtronin të drejtën e votës dhe nëse pas këtyre disa muajve shkojmë në zgjedhje të reja, ky trend nuk do të ndryshojë”, tha Zafirov, duke shtuar se një cikël i ri zgjedhjesh vetëm sa do ta thellojë krizën dhe do ta shtyjë zgjidhjen e problemeve. Por në të njëjtën kohë, BSP-ja nuk do të jetë partia që do të bëhet pjesëmarrëse në një projekt tjetër menaxhues përmes parcelimit partiak të pushtetit ekzekutiv dhe pa një vizion për një mënyrë të re të qeverisjes, paralajmëroi Zafirov.

“Ka një popull të tillë”: Është koha për të rikthyer mendjen e shëndoshë në politikë dhe qeverisje

“Sapo u betuam se do të respektojmë ligjet dhe do të udhëhiqemi nga interesat e popullit, shumica prej jush e keni bërë të njëjtin betim në Asamblenë e 49-të Kombëtare dhe e keпi shkelur vazhdimisht, ndryshuat kushtetutën si të donit duke u udhëhequr nga interesat personale. Për këtë arsye jemi në këtë situatë me pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët në votime”, tha Toshko Jordanov nga “Ka një popull të tillë (ITN).

Toshko Jordanov

“Ne në ITN thamë se është koha për të rikthyer mendjen e shëndoshë. Pas përfundimit të zgjedhjeve, bëhet e qartë se kjo do të jetë një detyrë gjithnjë e më e vështirë. Mjaft nga ju, liderë partiakë, keni bërë mjaft deklarata të nxituara, edhe sot...Askush nuk mund të jetë i vetmi shpëtimtar, bashkues dhe të vendosë axhendën e shoqërisë. Askush nuk ka peshën dhe të drejtën politike t'i vendosë askujt ultimatume për asgjë. /…/Çdo parti në Parlamentin e 50-të ka të njëjtën peshë si gjithë të tjerët. Arsyeja e shëndoshë thotë se kur nuk ka qeveri, shteti bllokohet”, tha Jordanov dhe shpalli se është për një qeveri eksperte, por jo e dominuar nga njëra apo tjetra parti, por për një qeveri të shtetit, saktësoi më tej Jordanov.

Nga “Veliçie recituan vargje për tradhtitë, për “të poshtrit” dhe “heronjtë”

Viktoria Vasileva

A do të jemi “të poshtër”, apo “heronj” për qytetarët bullgarë, kjo varet vetëm nga ne, tha Viktoria Vasileva nga forca më e re parlamentare – partia “Veliçie”, në një deklaratë nga godina e Kuvendit drejtuar deputetëve të sapozgjedhur. Ajo citoi edhe një poezi të Damjan Damjanovit, nga e cila ka marrë krahasimin e “të poshtëve” apo “heronjve”. Mandatet e Kuvendit Popullor i fillojmë gjithmonë me fjalime programore, në të cilat bëjmë premtime që nuk i realizojmë kurrë, theksoi Vasileva.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova, Vesella Mançeva

Foto: BTA, BGNES


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një radhë për të votuar në Britaninë e Madhe në ditën e zgjedhjeve

Krijimi i një Rajoni Zgjedhor me Shumë Mandate “Jashtë Shtetit” do të ndalojë manipulimet e mundshme me votat e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit

Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..

botuar më 24-11-21 4.38.MD
Foto: Qendra e Shtypit e Presidencës

Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të përfshijë bullgarët në kushtetutë pas hyrjes në BE

Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..

botuar më 24-11-20 9.49.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..

botuar më 24-11-16 10.30.PD