Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

6 Shtatori - Dita e bashkimit të Bullgarisë Veriore dhe Jugore

"Bullgaria e bashkuar" - litografi e Nikollaj Pavlloviçit
Më 6 shtator të vitit 1885 populli bullgar kreu një nga veprat më të shënuara në historinë e tij të re – bashkimin e dy pjesëve të Bullgarisë – pjesën veriore me atë jugore. Ajo ditë u bë simbol i unitetit të kombit dhe sot është një festë zyrtare në kalendarin bullgar.
Parahistoria e kësaj ngjarjeje të shënuar nisi në verën e vitit 1878 kur në Kongresin e Berlinit Fuqitë e mëdha evropiane i rishikuan rezultatet e Luftës midis Rusisë e Turqisë të viteve 1877-78, luftë kjo që përfundoi me fitoren e Rusisë dhe që çoi gjithashtu në çlirimin e Bullgarisë nga sundimi pesëshekullor osman. Traktati i Shën Stefanit që u nënshkrua më 3 mars 1878 rivendosi shtetin bullgar në kufijtë e tij të hershëm etnikë. Por pa kaluar shumë kohë u mbajt Kongresi i Berlinit ku siç e thamë iu bë një revizionim Traktatit të Shën Stefanit në mënyrë që të pengohej krijimi i një Bullgarie të madhe në një vend me pozicion kyç të Gadishullit të Ballkanit. Për pasojë territori i Bullgarisë u copëtua dhe kjo solli ngjarje tepër dramatike në historinë kombëtare të saj. Në territorin midis malit Ballkan dhe lumit të Danubit, bashkë me qarkun e Sofjes u formua Principata bullgare; Bullgaria e Jugut me emërtimin Rumelia Lindore, ndonëse e kishte autonominë e plotë, mbeti nën administrimin politik e ushtarak të sulltanit; ndërsa Maqedonia, Trakia e Egeut dhe zona e Edrenesë u rifutën në kufijtë e Perandorisë Osmane. Vendimet e Kongresit të Berlinit shkaktuan protesta të mëdha në gjithë vendin. Në vjeshtën e vitit 1878 në Bullgarinë Jugperëndimore shpërtheu një kryengritje e fuqishme që u shtyp nga qeveria turke. Bullgarët që luftonin për bashkimin e kombit arritën në konkluzionin se përpjekjet fillimisht duheshin drejtuar te Bullgaria e Jugut dhe vetëm si hap i dytë duhej të bëhej ribashkimi.

Ishte viti 1884 kur në Bullgarinë e Jugut po organizoheshin zgjedhjet dhe çështja e ribashkimit me Principatën bullgare ishte në qendër të garës elektorale midis dy partive kryesore të Bullgarisë së Jugut – Partisë Popullore dhe Partisë Liberale. Por me të fituar zgjedhjet, Partia Popullore mori pushtetin dhe hoqi dorë nga kauza e ribashkimit duke u justifikuar me gjendjen jo të favorshme ndërkombëtare. Me këtë çështje pastaj u morën personalitete më radikale. Veterani i luftrave çlirimtare të bullgarëve Zahari Stojanov dha idenë e ngritjes së Komitetit të fshehtë qendror revolucionar që u bë në qytetin e Plovdivit në shkurt të vitit 1885. Disa muaj më pas, më 25 korrik Komiteti i fshehtë u mblodh për të vendosur për organizimin e luftës për “ribashkimin e Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut nën skeptrin e princit Aleksandër Batenberg”, princit të parë bullgar të pasçlirimit. Për këtë qëllim Komiteti u vu në kontakt me partinë Liberale të Rumelisë dhe me dy komandantët e njësiteve të armatosura të Rumelisë Lindore, majorin Rajço Nikolov dhe majorin Danail Nikolaev. U vendos që aksioni të niste nga mesi i shtatorit. Ndërkaq në gjysmën e dytë të gushtit shpërthyen revolta e demonstrata në disa qendra të banuara ku më e madhe ishte demonstrata e banorëve të fshatit Goliamo Konare, /sot qyteti Saedinenie, afër Plovdivit/. Më 2 shtator në qytetin e Panagjurishtes u zhvillua një tjetër demonstratë ku u dha sinjali i revoltave masive dhe u ngritën në protesta edhe qytete e fshatra të Krahinës ku Komiteti i Fshehtë nuk kishte celutet e veta.

Mëngjesin e 6 shtatorit vullnetarët e armatosur të njesiteve nën komandën e majorit Nikolaev dhe çeta e Prodan Tishkov që kishin zënë pozicione në rrethinat e qytetit të Plovdivit hynë në qytet, rrethuan konakun dhe arrestuan kryeadministratorin e Rumelisë Lindore, Gavril Kresteviç. U përmbys qeveria e Rumelisë Lindore, u shpall Bashkimi i Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut dhe në qytetin e Plovdivit u formua qeveria provizore në krye me Georgi Stranski e cila mori administrimin në pritje të ardhjes së Princit Aleksander Batenberg.

Pas aktit të Bashkimit që u krye më 6 shtator, Bullgaria u ndodh në një pozicion tepër të vështirë. Perandoria Osmane dërgoi trupa të shumta në kufirin bullgar. Krali i Serbisë Milan, nën pretekstin se ishtë prishur ekuilibri i Ballkanit dhe i mbështetur nga Austro-Hungaria, më 2 nëntor 1885 i dha urdhër ushtrisë të sulmojë Bullgarinë. Ndërkaq në mbështetje të Aktit të Bashkimit filloi një lëvizje masive patriotike e popullit. Ndonëse e sulmuar befasisht Bullgaria arriti fitore në këtë luftë dhe pikërisht kjo fitore e bëri të pamundur rivendosjen e statuskuosë. Pas manovrash të gjata e të komplikuara diplomatike Akti i Bashkimit u njoh zyrtasisht me nënshkrimin e Marrëveshjes bullgaro-turke të vitit 1886.

Ribashkimi i Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut pati rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Bullgaria u bë një faktor me peshë në Ballkan, ndërsa lufta e vetmohuar e heroike e popullit bullgar eliminoi një nga padrejtësitë më të rënda të Kongresit të Berlinit dhe hapi rrugën e zhvillimit të pavarur shtetëror të vendit.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një ekspozitë virtuale tregon historinë e Teatrit Kombëtar "Ivan Vazov"

Një kartolinë me pamje nga Teatri Kombëtar i ri dhe një mbishkrim në anën e pasme - "Kujtim i hapjes së teatrit. Josef Shmaha, 1907" – është pjesë e ekspozitës virtuale që mund të shihet në faqen e Muzeut Historik Kombëtar. Ajo i kushtohet 120 vjetorit..

botuar më 24-01-14 8.00.PD

Në Vigjiljen e Theofanisë ortodoksët përgatiten për Bekimin e Madh të Ujit

Më 5 janar, në vigjilje të Theofanisë, në kishat ortodokse shërbehet Liturgjia e Shenjtë dhe bëhet Bekimi i Madh i Ujit. Rituali quhet Vodici nga populli. Dita quhet edhe Lartësimi Dimëror i Kryqit të Nderuar. Kjo festë mbyll ciklin e “ditëve të pista”..

botuar më 24-01-05 11.41.PD
Foto: Muzeu Historik Rajonal

Derdhja e lumit Kamçija fsheh mistere 7000-vjeçare

Gjetje unike dolën në dritë gjatë hulumtimit të zonës ujore midis Kepit Kilik dhe Kepit Illanxhik në veri të grykëderdhjes së lumit Kamçija. Në të kaluarën, gjiret e tyre të fshehta strehonin anijet e lashta gjatë stuhive të furishme të Detit të Zi ...

botuar më 23-12-25 7.30.PD