Çdonjëri, i cili ka pasur shansin të njihet me magjinë e Stranxhës, do t’ju bindë se njohja e malit mund të shndërrohet në një aventurë të vërtetë. Për dallim nga pjesa e tij detare, e cila gjatë disa viteve të fundit u ndryshua shumë për shkak të ndërtimit të pakontrolluar të hoteleve dhe vendpushimeve, këndet e tij më të largëta kanë ruajtur bukurinë e tyre natyrore, duke iu shmangur përhapjes agresive të ekskavatorit dhe betonit.
Mali Stranxha ka një histori mijëvjeçare. Në të gjenden varreza të lashta, vende të shenjta trake dhe mure kështjelle nga Mesjeta. Çdo një fshat i Straxhës e ka tempullin e vet të lashtë të krishterë, kurse vendasit ruajnë edhe deri më sot folklorin dhe traditat e tyre kolorite. Në rajon ende ruhen tradita të vjetra që nga koha e paganëve, siç është tradita e nestinarëve për shembull, e cila edhe sot praktikohet në disa vendbanime. Fakti se deri përpara 20 vjetësh një pjesë e madhe e malit gjendej në një zonë të mbyllur kufitare me fqinjën tonë jugore – Turqia, kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për ruajtjen e trashëgimisë së saj natyrore dhe historiko kulturore. Mali është mbuluar me një rrjet të dendur prej shtigjesh të markuara. “Përveç kësaj kemi krijuar gjithsej 7 itinerare tematike për kalimtarë, të cilat zbulojnë pasuritë natyrore të rajonit.” – thotë Maria Patronova nga Parku natyror Stranxha, i cili me 1161 metrat e tij katrorë është territori më i gjerë i mbrojtur i Bullgarisë.
“Një itinerar shumë interesant është i ashtuquajturi “Lum Marina” – saktëson ajo. – Ai gjendet afër fshatit Bëllgari dhe qytetit Carevo. Duke shëtitur nëpër të turistët mund të mësojnë gjithçka për disa prej llojeve bimore, tipike për malin Stranxha, siç është rodendroja për shembull, si dhe për kafshët në parkun natyror, si për shembull derri i egër, kaprolli etj.”
Adhuruesit e aventurave ekstreme mund të lundrojnë me varka në lumin Veleka, i cili kalon përmes pyjeve shekullore të malit, që të derdhet në Detin e Zi afër fshatit Sinemorec. Gjatë verës në fshat organizohen shëtitje me varkë në rrjedhën e lumit, përsëri në Sinemorec organizohen dhe shëtitje me kuaj nëpër lokalitete. Në fshatin Stoillovo organizojnë shëtitje me gomar, madje mund të merrni certifikatë për “udhëheqje gomari të Stoillovos”. Ndër kandidatët për këtë çmim prestigjioz ka dhe shumë të huaj, të cilat vendosen në fshatrat vendëse, që të zhyten në këtë atmosferë krejt të ndryshme nga ajo e jetës së tyre të përditshme.
Jeta në fshatrat e Stranxhës sikur nuk është ndryshuar që prej dekadash. Në sheshin e fshatit ndodhet godina më e lartë në fshat, në të cilën është vendosur bashkia, afër saj është oborri i shkollës, si dhe dyqani i fshatit, i cili është i mbyllur deri në drekë. Në rrugë ka pak të ngjarë të shihni njerëz, por kjo nuk duhet t’ju befasojë. Stranxha është rajoni më pak i populluar në Bullgari. Këtu vendbanimet ndodhen larg njëri nga tjetri, kurse popullsia është shpërngulur në qytetet e mëdha. Mirëpo gjatë disa viteve të fundit në rajon filloi njëfarë gjallërimi në sajë të turizmit. Gramatikovo, Stoillovo, Brëshljan, Brodillovo, Kosti, Bëllgari – këto janë ndër adresat më të përhapura të turizmit fshatar në mal. Në këto fshatra të bukura do të gjeni shtëpi origjinale të stilit tipik arkitekturor, të ndërtuara ndër pyje shekullore ahu. Kuzhina vendëse është një prej atraksioneve të Stranxhës. “Përdoren produkte ekologjikisht të pastra, kurse shumica e gjellëve gatuhen sipas recetave të vjetra” – shpjegon Maria Patronova dhe shton:
“Në Stoillovo turistët mund të provojnë një pitë shumë interesante, të bërë në të ashtuquajturën “podnica” (një enë e sheshtë prej argjile ose metali). Pitja përbën një brumë të ngjeshur dhe të pjekur në shpuzë me djathë dhie ose deleje. Por specialiteti më karakteristik i krahinës sonë është një byrek, i cili përgatitet në çdo shtëpi me recetë të ndryshme. Ai quhet “zellnik”dhe gatuhet me produkte të gjelbra, si spinaq, hithër, lëpjetë etj. Turistëve u bën përshtypje të madhe folklori ynë, i cili është ruajtur shumë mirë. Këngët e Stranxhës vazhdojnë të këndohen nga të rinjtë. Ato janë më të ngadalta dhe më të trishtuara dhe janë shumë emocionale. Gjatë verës presim më shumë turistë, të cilët pushojnë në bregdetin tonë. Ata vizitojnë fshatin Brëshljan, ku çdo ditë organizohen mbrëmje dëfrimi me pjesëmarrjen e grave vendase. Çdonjëri mund t’i dëgjojë se si këndojnë ose të vallëzojë me to valle popullore.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Shpatet malore në tre resortet kryesore dimërore të Bullgarisë - Borovec, Bansko dhe Pamporovo, janë të mbuluara mirë me borë para fillimit zyrtar të sezonit, njofton BGNES. Sezoni 2024/2025 do të hapet në Borovec më 15 dhjetor. Në..
Liqenet Çairski janë një zonë e mbrojtur në Rodopet Perëndimore, e njohur për liqenet e formuar në mënyrë natyrale nga rrëshqitja e dheut. Ata janë të mbuluar me një qilim të trashë torfe. Përreth syri kënaqet në livadhe me bimë të llojllojshme..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata Bullgare e Hoteleve dhe Restoranteve për partneritetin më të mirë mediatik në vitin 2024. Çmimin..
Ku do të na çojë viti i ri? “The New York Times” na ndihmon të nisim udhëtimet tona me propozime nga lista vjetore e 52 vendeve më të mira për t'u..