Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Teknologjia më e vjetër e tekstilit bëhet hobi dhe terapi antistres

Prej plisi mund të përpunohen edhe kukulla të vogla
Foto: Rumjana Cvetkova
Plisi është teknologjia më e vjetër e përpunimit të tekstilit, e cila përdorej shumë para tezgjahut. Kaq e vjetër se lindja e saj lidhet me mite dhe legjenda. Një prej tyre tregon se kur Shën Klementi përpiqej të arratisej nga ndjekësit e tij, futi në sandalet e tij lesh deleje për të mos u plagosur në këmbë. Kur arriti në Romë, zbuloi se nga djersa dhe nga shtypja leshi në sandalet e tij është bërë çorapë plisi. Duke përdorur aftësinë e leshit të ngjishet nëpërmjet larjes, pa qenë të nevojshme pajisje dhe makina përpunimi, që në kohët e lashta njerëzit në kënde të ndryshme të tokës prodhonin këtë lloj produktesh prej tekstili të paendur me cilësi shumë të mira të hidroizolimit dhe izolimit termik. Kjo teknologji e përpunimit të tekstilit ishte shumë e përhapur dhe në tokët bullgare. Protobullgarët përpunonin në këtë mënyrë mbulesa të posaçme për kuajt në vend të shalës. Dëshmia më e hershme për këtë është një gdhendje në gur nga shekulli IX nga qyteti i Preslavit dhe përbën imazhi i një kalorësi me flamur në dorë. Më vonë paraardhësit tanë bënin këpucë, pallto, feste, qilima dhe torba prej plisi. Në të kaluarën në Bullgari kishte mjeshtër të tillë pothuaj gjithkund, por më i pahapur ky zanat ishte në qytetin e Koprivshticës dhe në malin e Rodopeve. Janë ruajtur produkte autentike nga shekulli XVII, XVIII, XIX dhe nga gjysma e parë e shekullit XX. Ato mund të shihen në ekspozitat e disa muzeve në vend. Me modernizimin e shoqërisë ky zanat u zhduk, por sot rilindet me një vizion të ri. Disa entuziastë që krijuan Qendrën për studim dhe mbështetje të arteve aplikative vendosën të rilindin zanate të vjetra bullgare, ndër të cilat dhe përpunimi i plisit.
“Njerëzit thonë se leshi ka një vibracion të mirë dhe prekja me dorë vepron në mënyrë qetësuese” - shpjegon Mariana Popova

“Dëshirojmë ta kthejmë jo vetëm si një kujtim, por ta përdorim, sepse vetë materiali është unik – thotë Mariana Popova nga Qendra për studim dhe mbështetje të arteve aplikative. – Ai mund të punohet me shumë fantazi. Shumë interesant është vetë procesi i ngjyrosjes së leshit. Prej plisi mund të bëhen shumë gjëra – qilima, veshje, shapka, çanta. Ka një interes të madh nga ana e të rinjve. Në Akademinë e Arteve organizohen kurse për studentët nga specialiteti “Tekstil”. Kurset janë shumë të dobishme për ata që merren me modë, sepse me këtë teknikë mund të krijohen gjëra shumë interesante.”

Vitet e fundit kjo teknikë e përpunimit të tekstilit bëhet hobi dhe terapi antistres në Evropë dhe te ne. Njerëzit thonë se leshi ka një vibracion të mirë dhe prekja me dorë vepron në mënyrë qetësuese, shpjegon Mariana Popova. Për ta popullarizuar këtë zanat të harruar, Mariana dhe kolegët e saj organizojnë demonstrime në galerinë e Qendrës për studim dhe mbështetje të arteve aplikative. Në atelienë e saj Mariana organizon kurse. A janë të nevojshme aftësi speciale?

“Po të ketë dëshirë, gjithçka mund të bëhet – është e bindur Mariana. – Duhet të keni durim që ta ndieni materialin. Kjo është më e rëndësishmja. Me punën krijohen aftësitë për të bërë forma më të ndërlikuara. Kur bëjmë qilima duhet të punojmë me më shumë vëmendje, duke bërë ornamentet. Gjërat bëhen ngadalë, kërkohet më shumë forcë për të ngjeshur leshin, por kjo është një punë e këndshme dhe në të vërtetë të liron nga stresi. Përveç kësaj nuk përdoren lëndë kimike. Duhet të kemi vetëm lesh, sapun dhe ujë. Interesi ndaj kësaj teknike të vjetër po kthehet, sepse ajo jep shumë mundësi.”

Mariana merret me përpunimin artistik të metalit, por me idenë për rilindjen e zanateve të vjetra, filloi të bënte dhe gjëra të ndryshme prej plisi. Një interes shumë të madh gëzojnë plastikët e saj nga seria “Të dashuruar”, si edhe sharzhet e politikanëve.

“Posaçërisht për krijimin e figurave, duhet t’u japësh jetë që të mos jenë vetëm një top leshi me sy dhe veshë. Duhet të kenë një shikim, një lëvizje, një humor – thotë Mariana. – Fatkeqësisht në letërsi nuk ka shumë informacion për plisin. Prandaj varianti që të ruhet si zanat është të transmetohet brez pas brezi. Unë e kam mësuar vajzën time, si edhe shumë njerëz të tjerë. Prandaj bëjmë dhe demonstrimet. Sa më shumë njerëz e shohin zanatin dhe dinë për të, kaq më të mëdha janë shanset që ai të ruhet. Përpiqem gjithashtu jo vetëm të përsëris format tradicionale si festja dhe trasta e bariut, por të bëj dhe forma të reja, karakteristike për modën e tanishme.”

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova

По публикацията работи: Rumjana Cvetkova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një valë kulturore franceze po përfshin Sofjen në javët e ardhshme

Deri në fund të vitit bullgarët do të takohen me kulturën franceze në formën e një sërë shfaqjesh filmash, leximesh letrare, konferencash, ekspozitash etj . Rasti  është 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe..

botuar më 24-10-16 7.20.PD

Tregu si fenomen kulturor në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Një nga vendet më interesante dhe plot ngjyra në çdo vendbanim është tregu i tij. Pavarësisht nëse është i hapur përditë apo në një ditë të veçantë të javës, nëse ka ose jo specifika të produkteve që ofron, tregu është një fenomen kulturor që ka..

botuar më 24-10-09 7.35.PD

Takim në Ambasadën e Shqipërisë me studentët e Universitetit të Sofjes

Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..

botuar më 24-10-06 12.05.MD