Cila është pamja e zakonshme në bulevardet e kryeqytetit, kur shoferët janë duke pritur sinjalin e gjelbër të semaforit? Lypës, të cilët trokasin në dritaret e automjeteve dhe kërkojnë para. Shpeshherë ndër ta mund të shihet ndonjë nënë e re me foshnjë në duar. Çfarë bën ajo atje? Sigurisht as vendi i saj, as ai i fëmijës janë në rrugë. Në Bullgari është miratuar Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndërsa nënës mund t’i vihet gjoba deri në 1500 euro – para, që si duket, ajo nuk i ka. Ky nuk është i vetmi rast. Ende ka fëmijë lypës në qytetet e mëdha – më shpesh hasen në rrugë tregtare, nënkalime dhe parqe. Gjatë vitit të fundit numri i tyre në kryeqytet u pakësua. Bashkia e kryeqytetit, Drejtoria e Punëve të Brendshme e Kryeqytetit dhe Agjencia për Përkrahje Sociale filluan një projekt të përbashkët në lidhje me fëmijët lypës dhe punën fëmijërore. Në këtë aktivitet morën pjesë dhe disa organizata joqeveritare, të angazhuara me problemin. Nga Bashkia sqarojnë se që nga muaji mars i vitit të kaluar deri më sot janë regjistruar 486 raste të qytetarëve, që lypin, 267 prej të cilëve janë fëmijë. Më i vogli ndër to është 3 vjeç. Rastet janë të ndryshme. Disa prej fëmijëve bëjnë pjesë në grupe, udhëheqësit e të cilave ua mbledhin paratë. Shpeshherë bëhet fjalë për qytetarët romë. Në raste të tjera prindër të papërgjegjshëm, narkomanë ose alkoolikë, i detyrojnë fëmijët që të lypin për dozën e radhës. Sipas Kodit Penal për shkelje të tilla të rriturit dënohen me dy vjet burg ose me gjobë prej 500 deri në 1500 eurove. Shpeshherë shkelja nuk mund të vërtetohet, sepse nuk ka dëshmitarë, viktima janë të mitur dhe nuk duan të japin dëshmi.
“E rëndësishme është edhe pozita e shoqërisë – d.m.th. a e pranojmë problemin ose kthejmë kokën në anën tjetër – thotë Marijana Pisarska, drejtore ekzekutive e Shoqatës “Fëmijë dhe adoleshentë”. – Shpërndajmë broshura mes qytetarëve të Sofjes, në të cilat është shpjeguar hollësisht se duke i dhënë para fëmijës, në fakt sponsorizohen ata, të cilët e detyrojnë që të lypë. Eksploatimi i fëmijëve është krim, ndërsa lypja është një biznes ilegal, prej të cilit disa persona fitojnë shumë, pa bërë asgjë. Me këtë mesazh nuk kemi për qëllim ta ndërrojmë mendjen e njerëzve që t’i mos ndihmojnë lypësit, por të kuptojnë ku shkojnë paratë e tyre.”
“Tashmë jemi në një etapë, kur kërkojmë partneritetin e shoqërisë – thotë Adelina Ivanova, vullnetare në ekipin e kryeqytetit për punë me fëmijë “16 +”. – Kur i japin para fëmijëve lypës, në fakt njerëzit i motivojnë që ta bëjnë këtë përsëri. Në të vërtetë ka fëmijë, të detyruar nga prindërit e tyre të lypin. Mbase duke i dhënë para fëmijës, njerëzit ndihen të qetë dhe mendojnë se ndihmojnë. Por sigurisht kanë “investuar” paratë në alkool dhe drogë.”
Njëra prej mënyrave të kapërcimit të problemit me fëmijët lypës, sipas Uljana Mateevës – punonjëse sociale në qendrën “16+”, është sinkronizimi i plotë i veprimeve të institucioneve shtetërore dhe atyre joqeveritare. “Bëhet fjalë për departamentet e mbrojtjes së fëmijëve si përfaqësues të pushtetit shtetëror, policisë, bashkive dhe organizatave joqeveritare – sqaron ajo. – Për momentin punohet më shumë pjesërisht. D.m.th. punonjësit socialë caktojnë praninë e fëmijëve lypës, policia i identifikon dhe pastaj ata vendosen në qendra të krizës. Më pas dalin përsëri në rrugë dhe kështu bëhet një qark i mbyllur. Sipas meje mungojnë hallkat, të cilat të kujdesin për fëmijët, të punojnë si me ta, ashtu dhe me prindërit, t’i arsimojnë dhe t’u gjejnë punë. ”
“Për ne mënyra individuale e sjelljes ndaj çdo familjeje dhe fëmije është shumë e rëndësishme. Prej 20 familjeve, me të cilat kemi punuar gjatë viteve të fundit, 10 janë të nënave të vetmuara, të cilat jetojnë në kushte shumë të rënda të jetesës. Për to varfëria ishte arsyeja kryesore që të dalin në rrugë me fëmijët. I ndihmuam gjashtë prej këtyre familjeve dhe gratë tashmë nuk janë në rrugë. Ato kanë punë, por nuk kanë banesë më vete. Prandaj nuk mund të garantoj deri kur do të jetë kështu. Jam e mendimit se për të ardhmen politikanët duhet të mendojnë se si të sigurohen banesa për familjet pa strehë dhe si të krijohen qendra të krizës për fëmijët, të cilët dalin nga institucionet. Tashmë ka arritje në këtë drejtim, ka përpjekje për zhvillimin e familjeve kujdestare, por gjithçka ka të bëjë me paratë dhe politikën. Shpresojmë se më shumë njerëz të përzemërt do të na përkrahin, që të mos hasim më me këtë problem.”
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Universiteti i Ruses organizon një sërë aktivitetesh drejtuar studentëve të huaj që studiojnë në të. Qëllimi i nismës është që të rinjtë të njihen me traditat, kulturën, historinë dhe zakonet bullgare, si dhe t'i bashkohen procesit arsimor dhe jetës..
Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull, midis një shtëpie të ngrohtë apo një frigoriferi të plotë. “ Familjet bullgare, si dhe familjet..
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga vende të tilla ne shpesh u afrohemi me armiqësi dhe jo me mirëkuptim. Ajo që ata kanë përjetuar..
Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së u mblodh për të diskutuar vendosjen e masave shtesë kundër autoriteteve gjeorgjiane lidhur me përdorimin brutal të..
Sportistja e njohur Stefka Kostadinova u zgjodh nga Komiteti Olimpik Bullgar për të përfaqësuar Bullgarinë në ekspozitën fotografike "Gratë dhe..