Programi i ditës
Audio Player
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Hyjlindësja e dashur

Foto: www.pravoslavieto.com

Ungjillëzimi i Hyjlindëses është një festë e krishtere – kjo është dita, në të cilën Arkangjel Gavraili u shfaq para Shën Marisë për t’i thënë se është zgjedhur që të lindë Shpëtimtarin Jisu Krisht. Në kalendarin folklorik në po këtë datë – 25 mars, kryhet njëri nga ritet më kolorite pranverore. Populli ynë e quan Blagoveshtenie, Blagovec, Blagoec. Megjithëse emri vjen nga lajmi i mirë që e mori Shën Maria, përmbajtja e festës folklorike është një provë për prejardhjen e saj të lashtë para krishterimit. Ritet pagane për pritje të pranverës dhe kulti ndaj Hyjlindëses ndërthuren në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Prej shekujsh një nga kultet më të përhapura në tokat tona është ai ndaj Hyjlindëses. Në përfytyrimet popullore nëna e Jisu Krishtit zëvendëson imazhin e nënës pagane të Zotit. Ajo është një grua e zakonshme, mban cilësitë e njerëzve të zakonshëm, respekton rregullat e bashkësisë. Nëna e Zotit përmendet në shumë rite, të cilat shoqërohen me shqiptimin e formulave magjike. Ato i drejtohen Hyjlindëses me besimin, se ajo ka forca të jashtëzakonshme. Ajo mund të mjekojë sëmundje, mund të parandalojë fatkeqësi dhe të ruajë nga forcat e këqija. Një simpati të madhe ndien Hyjlindësja ndaj njerëzve të varfër punëtorë, ndërsa të pasurit shpeshherë i ndëshkon për zemërftohtësinë dhe mosbesimin e tyre. Në shumë këngë popullore ka subjekte të tilla – në Parajsë Hyjlindësja shtron tryeza të pasura për të varfrit, i mbulon me ar dhe argjend. Ndërsa ish zotërinjtë e tyre i privon nga të gjitha privilegjet.

Me Hyjlindësen janë lidhur shumë legjenda, që tregojnë për shfaqjen e saj çudibërëse. Ajo jep dhe shumë këshilla të rëndësishme. Në Bullgari ka shumë kisha dhe manastire, të cilat janë ndërtuar ose restauruar me porosinë e Nënës së Zotit. Në disa përralla popullore Hyjlindësja transformohet në kafshë të ndryshme. Më shpesh merr imazhin e një sute, e cila shpëton fëmijë të braktisur në pyll. Dashuria e madhe e Hyjlindëses ndaj fëmijës së saj hyjnore shtrihet mbi të gjithë fëmijët. Prandaj në besimet popullore ajo është mbrojtëse e grave, nënave dhe fëmijëve. Në të gjitha festat popullore, të lidhura me kultin ndaj Hyjlindëses, ndalohet kryerja e veprimtarive që caktohen si “punë gruaje”. Ashtu është dhe në festën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses. Gratë dhe vajzat nuk duhet të prekin gjilpëra, grepa dhe fije. Dikur besonin se ashtu do të mbrohen nga gjarprit e rrezikshëm që zgjohen gjatë pranverës. Ky ndalim, si edhe të gjitha ritet e tjera që kryhen në Blagovec, kanë karakterin e praktikave pagane.

Sipas shkencëtarëve, festa popullore Blagovec është lidhur me praktika të vjetra që i janë kushtuar ekuinoksit pranveror. “Gjysmë Pashkë” është një emërtim tjetër folklorik i festës. Në këtë ditë askush nuk punon, madje “zogjtë nuk bëjnë fole”. Megjithëse sipas kalendarit popullor pikërisht në ditën e festës fillon kthimi i zogjve shtegtarë. Atëherë zgjohen arinjtë nga gjumi i gjatë i dimrit, gjarprit dhe hardhjet dalin nga strofkat e tyre. Në shumë vende tek ne ende zbatohet ecja rituale nëpër oborr. Gratë dhe fëmijët rrapëllijnë me sende prej metali dhe thonë formula magjike: “Ikni, gjarpër dhe hardhje, se po vjen Blagoveci!” Një pjesë e festës janë zjarret, në të cilat simbolikisht digjen sende të vjetra dhe të panevojshme. Siç në festën e Të Lidhurve të Djathit, të rinjtë i kapërcejnë zjarret për shëndet. Studiuesit gjejnë një lidhje të festës me ritet pagane, të lidhura me qeniet mitike me imazhin e kafshëve të ndryshme. Ndër to është kukuvajka – një vajzë e magjepsur, e cila gjithmonë grindej me vëllain e saj. Sipas një legjende popullore, Hyjlindësja e bëri vajzën kukuvajkë dhe e mallkoi ta kërkonte gjithmonë vëllain e saj të vogël. Që atëherë kukuvajka e kërkon dhe kur njeriu e dëgjon, duhet të ketë ngrënë dhe të ketë para në xhep. Ndryshe e pret një vit i varfër – kështu besonin dikur.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova

По публикацията работи: Albena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Muzeu Etnografik Rajonal- Plovdiv

Muzeu Etnografik Rajonal në Plovdiv po ndihmon në ringjalljen e zanatit të lashtë të punimeve të paendura

Produktet e bëra prej leshi ngjallin ndjenjën e rehatisë dhe ngrohtësisë së brendshme tek vizitorët e Muzeut Etnografik Rajonal të Plovdivit. Ekspozita “Qilimat e paendur të Bullgarisë – mesazh nga lashtësia” paraqet një zanat të lashtë, që besohet..

botuar më 24-09-07 10.10.PD

Një Kampionat Botëror i Folklorit do të tronditë Detin tonë të Zi

Nga sot deri më 30 gusht në bregun bullgar të Detit të Zi në Nesebër , Sllënçev Brjag dhe Sveti Vllas do të mbahet Kampionati i XIV Botëror Folklorik “World Folk 2024”. Fillimi është sonte në Amfiteatrin “Zhana Çimbuleva” në..

botuar më 24-08-29 6.20.PD

Festivali i kostumeve popullore në Zheravna ringjall shpirtin bullgar të kohëve të vjetra

Këngët dhe vallet popullore mbledhin dashamirët e folklorit bullgar në edicionin e radhës të Festivalit të Kostumeve Popullore në Zheravna. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 gusht. "Pasi visheni me kostumet popullore dhe..

botuar më 24-08-23 6.10.PD