Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Legjenda popullore për Shën së Premtes

Foto: pravoslavieto.com
Më 14 tetor Kisha Ortodokse nderon kujtimin e Shën së Premtes – një nga shenjtoret më të dashura dhe më të respektuara tek ne. Përrallat dhe legjendat popullore i japin forca jotokësore. Për vetitë e saj çudibërëse tregojnë dhe jetëshkrimet e saj.

Shën e Premtja lindi në Epivat, që sot ndodhet në Turqi. Jetoi gjatë shekullit X – XI. Kur prindërit e saj vdiqën, i vëllai tashmë ishte murg. E premtja iu dha gjithçka që posedonte të varfërve dhe filloi një jetesë asketike. Pasi kaloi pesë vjet në një manastir të vogël, ajo u nis për t’u përulur në Jerusalem dhe në Varrin e Jisu Krishtit. Pastaj ajo u tërhoq në Shkretëtirën e Jordanit, ku kaloi shumë kohë me kreshmë dhe lutje. Sipas jetëshkrimit të shenjtores, një natë, kur ajo lutej, zbriti nga qielli një engjëll dhe i tha të kthehej në atdhe. “Atje do ta lësh trupin në tokë, kurse shpirtin do ta ngresh në qiell” – i tha engjëlli. Autori i jetëshkrimit të saj është Patriku Evtimij – një nga udhëheqësit më të mëdhenj shpirtërorë të Bullgarisë mesjetare. Në legjenda të ndryshme populli e interpretoi jetëshkrimin në mënyrë të vet, duke ruajtur faktet kryesore të jetës së Shën së Premtes. Në folklorin tonë ajo ka lidhje gjaku me Shën të Dielën dhe Shën Dhimitrin. E Diela është motra e saj, kurse Dhimitri është nipi i tyre.

Përsëri sipas jetëshkrimit të saj, reliket e shenjtores u zbuluan rastësisht. Kur ajo u kthye në atdhe, nuk i tha askujt se cila ishte. Pas vdekjes ajo u varros nga njerëz të panjohur. Një natë Shën e Premtja u shfaq në ëndrrën e dy vetave njëkohësisht, duke u thënë emrin e saj. E rrethuar me dritë, ajo kërkoi që trupi i saj të zhvendosej. Nga viti 1238 deri në pushtimin e Bullgarisë nga osmanët në fund të shekullit XIV reliket e saj të shenjta pushonin në kryeqytetin e vjetër bullgar Veliko Tërnovo, në kishën “Shën e Premtja e Tërnovos”. Ato u zhvendosën edhe disa herë dhe nga viti 1641 janë në katedralen e qytetit Jash të Rumanisë veriore. Legjendat tregojnë për qindra shërime të çuditshme të kryera nga reliket e saj: invalidë fillonin të ecnin, të verbër fillonin të shihnin, të sëmurë shëroheshin. Sipas popullit tonë madje lutja ndaj Shën së Premtes ndihmon. Konsiderohet se forca e saj më e madhe është në problemet e syve, verbërinë, çrregullimet psikike dhe shterpësinë. Deri më sot ekziston praktika që të sëmurë të kalojnë natën në manastire dhe kisha, duke sjellë dhurata për shenjtoren. Ikona e saj stoliset me borzilok dhe një peshqir të ri. Jo vetëm reliket e saj kanë një forcë shëruese. Një legjendë nga Bullgaria Perëndimore tregon se njëherë Shën e Premtja u strehua në një shpellë afër qytetit Trën të Bullgarisë Perëndimore. E gjurmonin turqit. Ajo kishte me vete një torbë të vogël me miell. Në shpellë ndezi zjarr dhe poqi bukë. Derisa rrinte në shpellë, ajo pa se ka një dalje tjetër. Kur gjurmuesit e saj e zbuluan, ajo iku nga kjo dalje. Në shkëmbinj mbetën gjurmët e saj, kurse buka u bë gur. Në shpellë tani ka një paraklis, kurse për ujin që pikëlon mbi mure vendësit thonë se është shërues.

Në legjendat dhe këngët tona popullore Shën e Premtja mund të kalojë kufirin midis botëve. Bashkë me Arkangjel Mihailin, ajo është ndërmjetëse e kalimit të shpirtrave në botën tjetër. Kurse bashkë me motrën e saj, Shën të Dielën, ajo ndërtoi një urë midis dy botëve, në të cilën mund të kalojnë vetëm shpirtrat e denjë. Sipas besimit popullor e Premtja është shenjtorja e ditës së së Premtes, siç kuptohet nga emri i saj. Mbrojtëse e grave dhe e shtëpisë, ajo ndjek me rreptësi që kujtimi i saj të nderohet çdo të premten. Atëherë ndalohen disa lloje pune dhe shenjtorja ndëshkon ata që i shkelin ndalimet.

Në përfytyrimet e bullgarit lidhja midis Shën së Premtes dhe Shën Dhimitrit reflekton në kuptimin e festave të tyre. Kalendari popullor e përcakton ditën e Shën së Premtes (14 tetor) dhe të Shën Dhimitrit (26 tetor) fundin e punës bujqësore aktive. Rreth këtyre datave punonjësit marrin shpërblimet e tyre dhe lidhin marrëveshjet për ciklin tjetër të punës. Në kalendarin popullor koha midis ditës së Shën së Premtes dhe ditës së Shën Dhimitrit ka një kuptim sakral. Ky është kalimi midis stinëve – populli thotë se në Ditën e Shën Dhimitrit fillon dimri. Në këtë kohë nuk duhet të nisen veprimtari të reja, sepse do të dështojnë. Kurse gratë nuk duhet të punojnë me lesh dhe të qepin veshje. Dita e Shën së Premtes shënon fillimin e festave të ndryshme familjare. Dikur çdo bashkësi i kushtonte një ditë të caktuar shpirtit mbrojtës të vatrës familjare. Këto festa quheshin me emra të ndryshme – “dita e shenjtë”, “lavdia”, “kushtimi”. I shënonin me një liturgji kishtare, me kurbane fshatare dhe, kuptohet, me valle. Pas mbarimit të punës bujqësore, njerëzit vinin veshjet e reja dhe festonin. Vallet që hidhen në ditën e Shën së Premtes quhen dhe valle për zgjedhje. Gratë që kishin djem për të martuar shkonin në festë për të parë vajzat e reja dhe për të zgjedhur nuse.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Allbena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

50 çeverme të Rodopeve i presin mysafirët e Farmfestës në Momçillgrad

Në rrëzë të parkut pyjor të qytetit të Momçillgradit në malin е Rodopeve, zhvillohet edicioni i dytë i Farmfestës "Momçillgrad". Festivali i fermerëve u ofron vizitorëve të tij pjata të shijshme nga Rodopet, njohje me kafshët dhe racat vendase,..

botuar më 24-05-25 6.40.PD

Lojëra, beteja dhe atraksione - festivali antik "Nike - loja dhe fitorja" pranë Veliko Tërnovos

Gjatë gjithë të shtunës, më 25 maj, rezervati arkeologjik Nikopolis ad Istrum pranë Veliko Tërnovos do të presë edicionin e shtatë të Festivalit Antik "Nike - loja dhe fitorja" . Këtë vit në ngjarje do të ketë pjesëmarrës nga Austria, Gjermania,..

botuar më 24-05-25 5.05.PD

Festojmë Ditën e Shën Llazarit

Në ditën e tetë para Pashkëve, ne festojmë Ditën e Shën Llazarit. Është e para nga tre festat kryesore të krishtera që lidhen me mrekullinë e Ringjalljes, e ndjekur nga e Diela e Palmave dhe Pashkët. Festa festohet çdo vit në data të ndryshme, por..

botuar më 24-04-27 8.05.PD