Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Hallva, boza dhe çamçakëzi

Sofja, bozaxhinj nga fillimi i shekullit të XX-të
Foto: lostbulgaria.com
“Hallva, boza dhe çamçakëzi... Hallva, boza dhe çamçakëzi...” Bullgarët e lindur gjatë viteve 30 të shekullit të XX akoma mbajnë mend se si dikur në rrugët e qyteteve dhe fshatrave shëtitnin tregtarë dhe e përsërisnin shumë herë këtë frazë. Zakonisht tregtarët ishin burra të rinj – ndihmës të bozaxhinjve ose të hallvaxhinjve. Ata i përgatitnin në punishte tahan hallvën dhe bozën prej mielli meli, kurse kallfët e tyre i shitnin. Sa për çamçakëzin prej rrëshirës, atë e importonin nga fqinjët tanë jugorë.

Sheqeri, i zbuluar para disa mijëvjeçarësh, u përhap relativisht vonë në kuzhinën tonë tradicionale. Sipas historianëve sheqeri është përdorur për herë të parë në Indi dhe në Kinë, kurse disa shekuj para erës së re ka marrë emrin e vet. Ai vjen nga sanskriti - “sarkara”. Nga atje rrjedh “sukar” në arabisht, kurse më vonë “zucchero” në italisht, “şeker” në turqisht, “zucher” në gjermanisht, “sugar” në anglisht etj. Afër këtyre fjalëve për nga tingëllimi është dhe fjala bullgare “zahar”. Megjithëse shkencëtarët – folkloristë kanë përshkruar një sërë ritualesh, në të cilat përdoret sheqeri, në jetën e përditshme ky produkt pothuaj nuk është përdorur deri në fillim të shekullit të XX-të. Desertët tradicionalë bullgarë që prej shekujsh janë frutat e thara, mjalti, kungulli i pjekur, gruri i zierë. Me kungullin dhe mjaltin përgatiten byrekë, reçele etj. Për njerëzit, të cilët ishin mësuar për t’u ushqyer me frutat e punës së tyre, sheqeri në të kaluarën ishte luks. Ndërkaq duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e madhe prej frutash, të ruajtura mirë në kantina gjatë tërë dimrit, njerëzit nuk kanë pasur nevojë të madhe për sheqer. Gjysha Elena nga qyteti Bansko, nëna e poetit të madh bullgar Nikolla Vapcarov rrëfen në kujtimet e veta se ka blerë një kilogram sheqer për tërë vitin. Ndoshta përdorimi i sheqerit në jetën e përditshme të bullgarit ka qenë nën formën e hallvës dhe bozës.

© Foto: lostbulgaria.com

Boza është një pije e ëmbël, e cila bëhet me miell meli ose misri të thartuar me brumë buke. Dikur mjeshtërit e bënin bozën më të mirë me miell meli. Pastaj pija duhej të mbetej për një kohë të caktuar në një koritë të posaçme. Ishte me rëndësi dhe materiali, prej të cilit është përgatitur kjo koritë. Sipas tregimeve të mjeshtërve të vjetër, më i përshtatshëm për këtë ka qenë ena e bërë prej arneni të kuq. Në miellin e zier shtonin tharm, gjithashtu të përgatitur sipas një teknologjie të posaçme, me të cilin boza duhej të mbetej tetë orë. Pastaj shtonin sheqerin dhe e kullonin. Kështu përgatitnin një pije me përmbajtje të ulët alkooli, të cilën e shëtitnin në ëmbëltoret e qytetit. Bozaxhinjtë shëtitnin edhe në fshatra. Atje mbanin me vete gjyma të mëdhenj, si dhe enë më të vegjël prej metali, në të cilat e derdhnin bozën. Konsiderohet se pija është transferuar në vendet e Gadishullit Ballkanik nga Shqipëria. Te ne akoma rrëfehen histori për shqiptarët, të cilët kanë shitur bozë dhe ëmbëlsira në kryeqytet. Sa për mjeshtërit bullgarë, më të njohur janë bozaxhinjtë nga Radomiri. Sot atje ngrihet monumenti i vetëm në botë i bozaxhiut. Në ëmbëltoret dhe dyqanet bashkëkohore bullgare, madje në vargjet e mëdha tregtare gjithashtu do të gjeni lloje të ndryshme boze, por sot ajo prodhohet me teknologji të ndryshme, kurse njerëzit më të moshuar janë kategorikë se shija e saj është më e ndryshme. Në librin e vet “Kujtime nga Sofja e vjetër” shkrimtari Dragan Tanev shënon se në qendër të qytetit ka pasur disa ëmbëltore të njohura, ku shitej bozë dhe askush nuk mahnitej, në qoftë se ndonjë i ri i emocionuar me një gotë me bozë në duar i vinte rrotull ndonjë vajze të bukur... “Po, kështu ishte në erën e bozës, kur ende vallëzohej valsi anglez” – shënon në përfundim shkrimtari.

© Foto: lostbulgaria.com

Reklama për tahan hallvën, vitet 60-të
Një ëmbëlsirë e preferuar në trapezën bullgare është hallva. Siç sheqeri, ajo gjithashtu vjen nga India. Atje edhe sot e kësaj dite e quajnë “halava”, “haua”. Ëmbëlsira, të përgatitura me susam, sheqer, mjaltë, vaj bimësh dhe thelpinj ka në kulturën e pothuaj të gjithë popujve në botë. Në Bullgari më e përhapur është hallva prej tahani – një produkt, i cili përgatitet nga përpunimi i susamit. Në mjekësinë popullore ai përdoret për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme të kockave, stomakut, për forcimin e organizmit. Nga ai përgatiten të paktën dy lloje hallve. Dikur mjeshtrit i kanë futur në zanat kallfët. Më vonë, kur te ne erdhën ëmbëltorët e diplomuar, që morën kualifikimin e tyre në Austri dhe në vende të tjera evropiane, ata përfshinë në produktet e tyre dhe hallvën.

Sa për çamçakëzin, atë e kanë prodhuar prej rrëshirës së drurëve, të cilët janë rritur më mirë në vendet mesdhetare. Te ne e kanë importuar nga Turqia dhe Greqia. Në Greqi këtë rrëshirë e quajnë “mastiha” Ajo përdoret gjithashtu për prodhimin e llakut dhe bojës. Përdoret gjithashtu dhe në mjekësinë zyrtare. Te ne çamçakëzin, e përzier me dyllë blete, e kanë përdorur për mjekimin e fëmijëve nga sëmundje të stomakut, ose nga infektime të gojës. Edhe sot përdoren komprese me rrëshirë për kurimin e dhimbjes në kurriz. Prapëseprapë, edhe të mëdhenjtë, edhe të vegjlit kanë përtypur çamçakëzin prej rrëshirës së drurëve halorë thjeshtë për kënaqësi. Çamçakëzin prej rrëshirës do ta gjeni edhe sot në farmacitë bullgare. Ai vazhdon të përdoret edhe sot e kësaj dite në shumë receta popullore.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Dita e Shën Ignat Hyjmbajtësit - një festë e ngarkuar me pritjen e Zotit të Ri dhe Rilindjen e Diellit

Me 20 dhjetor Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e Shën Ignat Hyjmbajtësit. Sipas besimeve, dhimbjet e lindjes së Nënës së Zotit fillojnë nga kjo ditë. Edhe në këngët popullore thuhet:“Filluan dhimbjet e lindjes së nënës së Zotit”. Në kalendarin..

botuar më 24-12-20 5.40.PD

Nga marmelata e shalqinit e deri tek Dita e Dervishëve - cilat janë "Thesaret e gjalla njerëzore" të Bullgarisë

Tetë tradita autentike bullgare dhe aftësi të përcjella brez pas brezi nga pjesë të ndryshme të vendit u bënë pjesë e Listës Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe kështu u bënë pjesë e "Thesareve të gjalla njerëzore" të..

botuar më 24-12-12 7.35.PD
Iva Krumova dhe Anabell Casaboff (djathtas)
foto: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit

Anabell Casaboff, një balerinë nga Buenos Aires, e dashuruar me vallet popullore bullgare

Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..

botuar më 24-11-17 8.55.PD