Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Varreza e Kazanllëkut

Foto: BGNES
Kazanllëk është i njohur si qytet i trëndafilave. Më shumë se tri dekada këtu rritet trëndafili vajdhënës, i cili i solli Bullgarisë famë botërore. Qyteti shtrihet në Luginën e bukur të trëndafilave buzë malit Stara Pllanina, jo larg qendrës gjeografike të Bullgarisë. Kazanllëk është një qytet i dashur i shumë turistëve bullgarë dhe të huaj. Rajoni rreth qytetit, i quajtur gjithashtu Lugina e mbretërve trakë, është i pasur me mbeturina arkeologjike unikale. Shkencëtarët bullgarë kanë zbuluar këtu artefakte të shumta, dëshmi për historinë e pasur të lashtë në këto troje. Një prej monumenteve më të vlershme është Varreza trake e Kazanllëkut, e përfshirë në listën e 100 objekteve turistike kombëtare. Supozohet se kjo është varreza e Rojgos – biri i udhëheqësit trak Sevt III. Monumenti është nga fundi i shekullit të tretë para erës së re – kur Sevt i III ka qenë udhëheqës i Mbretërisë së Edrenesë. Sot mbeturinat e kryeqytetit të tij të lashtë gjenden në fund të liqenit “Koprinka”, jo larg qytetit të sotëm të Kazanllëkut. Historiani Ivan Ivanov, i cili është dhe një prej ciceronëve me më shumë përvojë, të cilët njohin të gjitha detajet e Varrezës së Kazanllëkut, tregon për ndikimin e saj të madh mbi përfaqësuesit e UNESKO-s, të cilët e kanë vizituar qytetin për herë të parë në vitin 1966. Në vitin 1979 varreza trake u bë pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të organizatës botërore.

© Foto: bg.wikipedia.org


© Foto: bg.wikipedia.org

Varreza e Kazanllëkut u zbulua rastësisht në vitin 1944 nga disa ushtarë, të cilët bënin llogore për mbrojtje kundërajrore në kodrën Tjulbeto –
na tregon Ivan Ivanov. – Për fat të keq ajo u grabit që në lashtësi. Është zbuluar skeleti i një njeriu dhe i një kali, një amforë dhe qeramikë. Mirëpo kjo nuk është më e rëndësishmja. Një pasuri e madhe e Varrezës së Kazanllëkut janë afresket. Kjo është e vetmja varrezë me afreske të ruajtura kaq mirë. Ajo përbëhet prej tri pjesësh: një paradhomë, një korridor dhe një dhomë funerale. Paradhoma është ndërtuar me blloqe shumë të mëdha prej guri, por ajo nuk është ruajtur mirë. Në pjesën e saj të poshtme ka një plintë me figura lulesh, kurse në pjesën e sipërme janë pikturuar veprime ushtarake. Në njërën anë janë pikturuar ushtarë trakë, kurse në anën tjetër janë armiqtë e tyre. I dallojmë për nga veshja dhe armatosja e tyre. Më mirë janë ruajtur korridori dhe dhoma funerale. Pasuria më e madhe e kësaj varreze është pikërisht dhoma funerale, me afreskun, që zbukuron kubenë e saj. Në mur është pikturuar dreka e fundit e një udhëheqësi trak me të shoqen.

© Foto: imagesfrombulgaria.com


Udhëheqësi trak është pikturuar me një kurorë mbi kokë. Burri ia zgjat dorën së shoqes, e cila është ulur në një fron të bukur. Gruaja është veshur me një hiton dhe ka diademë në kokë. Sipas historianit Ivan Ivanov në sytë e gruas së re fshihet dhimbje për bashkëshortin dhe mosdashjen e saj për t’u varrosur bashkë me të shoqin, sepse sipas traditës së trakëve ajo duhet të varroset bashkë me burrin e vet.

© Foto: imagesfrombulgaria.com


Nga ana e bashkëshortes së udhëheqësit shihen dy gra të reja. Njëra mban në duar një kuti, kurse tjetra ka zgjatur një shall të kaltër. Prapa saj shihet një skenë shumë emocionuese: një karrocier, i cili mezi nget një karrocë me katër kuaj, që vrapojnë galop. Asnjë figurë në këtë skenë nuk është e rastit – thotë zoti Ivanov. – Muzikantet, të cilat i bien flautit, ripohojnë faktin se trakët e kanë adhuruar muzikën. Burrat që qerasin me verë tregojnë se trakët kanë qenë ndër prodhuesit më të njohur të verës në Gadishullin Ballkanik. Skenat luftarake në korridorin e varrezës nga ana tjetër tregojnë se trakët kanë qenë një popull liridashës dhe krenar. Që të ruhen afresket për brezat e ardhshëm, në varrezë mirëmbahet një temperaturë dhe lagështi e përhershme e ajrit. Ky është dhe shkaku për të cilin ajo hapet për vizita vetëm me lejë të Ministrisë së Kulturës. Në vitin 1984, shumë afër origjinalit u ndërtua një kopje e kësaj varreze, që është hapur për vizituesit gjatë tërë vitit. – thotë Ivan Ivanov.

Historiani na rikujton gjithashtu se pikërisht në rajonin e Kazanllëkut arkeologu Georgi Kitov zbuloi një maskë të artë të një udhëheqësi trak. Ajo është vetëm një pjesë e artefakteve të shumta nga koha e trakëve, të zbuluara në këtë krahinë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Lina Ivanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kështjella e rimëkëmbur afër fshatit Mezek është një prej atraksioneve më tërheqëse turistike

Afër fshatit Mezek, rreth 6 km në jugperëndim të Svilengradit dhe vetëm 1 km larg kufirit grek, ngrihet një kështjellë e mesjetës bullgare. Ajo është ndërtuar në fund të shekullit të XI dhe në fillim të shekullit të XII, ndoshta gjatë udhëheqjes së..

botuar më 15-02-09 12.45.MD
Shtëpia-muze “Nikolla Vapcarov”

Muzeu i poetit Nikolla Vapcarov në Bansko

Vitet e fundit pushimorja e njohur dimërore Bankso zhvillohet dhe po ashtu si një qendër turistike gjatë stinës së verës. Muzetë në Bansko janë shumë interesantë dhe janë hapur gjatë gjithë vitit. Muzetë “flasin” për ngjarjet e rëndësishme lidhur me..

botuar më 14-12-14 12.10.MD
Maja Shipka

Majat Shipka dhe Buzlluxha të cilat pa tjetër duhet të vizitohen

Ka një vend në malin Stara planina, i cili është i shenjtë për çdo bullgari. Kjo është maja Shipka, e kurorëzuar nga Monumenti i lirisë. Ai është njëri prej relikteve më të njohura luftarake që është ngritur për nder të ushtarëve rusë dhe vullnetarëve..

botuar më 14-11-08 11.35.PD