Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Projekt pilot për ruajtjen e fondit gjenetik dhe rimëkëmbjen e llojeve të vlershme drusore

Sipas të dhënave të Agjencisë ekzekutive të pyjeve gjatë disa viteve të fundit rreth 6 mijë hektarë pyje janë dëmtuar për shkak të fatkeqësive të ndryshme natyrore, zjarreve, sëmundjeve etj. Duke pasur parasysh se mbi gjysmën e pyjeve bullgare gjenden në territore të mbrojtura, ka shumë të ngjarë që ndër pyjet e dëmtuara të ketë dhe të tilla me rëndësi të madhe evropiane. Sa u përket pyjeve shtetërore, siç janë shumica e pyjeve në Bullgari, 65 për qind prej tyre janë përfshirë në rrjetin ekologjik evropian “Natura 2000”.

Rimëkëmbja e pyjeve të dëmtuara me vlerë të lartë konservacioni dallohet nga ajo e pyjeve të thjeshta, thonë specialistët. Pyjet në territoret e mbrojtura, ku ka habitate të vlershme të bimëve dhe kafshëve të rralla, duhet të rimëkëmben nëpërmjet pyllëzimit me drurët e njëjtë para dëmtimit të pyllit. Këtu ndeshemi me një problem. Deri tani ekonomitë pyjore te ne pyllëzoheshin kryesisht me lloje të leverdishme ekonomikisht, nga të cilat prodhohej më shumë lëndë drusore. Prandaj në fidanishtet pyjore mund të gjeni vetëm lloje të tilla. Askush nuk ka rritur lloje të paleverdishme ekonomikisht, megjithëse shumë prej tyre janë lloje jashtëzakonisht të vlershme nga pikëpamja ekologjike, duke qenë habitate të bimëve dhe kafshëve të rralla.

Gjatë vjeshtës së vitit 2011 startoi një projekt në kuadrin e programit të Komisionit Evropian “Life plus”, me emrin “Ruajtje e fondit gjenetik dhe rimëkëmbje e habitateve pyjore me prioritet në “Natura 2000”. Ai ka për qëllim ta zgjidhë problemin e lartpërmendur dhe zbatohet nga dy struktura shtetërore – Agjencia ekzekutive e pyjeve dhe Stacioni pyjor për kontrollin e farërave – Sofje, si dhe nga shoqëria joqeveritare “Grupi i iniciativës Vitosha”, e cila ka përvojë pikërisht në këtë sferë. Projekti i tyre pilot ishte në malin Vitosha, buzë të cilit gjendet kryeqyteti i Sofjes.

“Gjatë vitit 2001 një tornado asgjësoi një pjesë të pyjeve të bredhave atje, kurse pas kësaj përhapja e brumbujve gjithashtu preku territore të konsiderueshme – na rikujton Teodor Todorov nga organizata joqeveritare. – Filluam të rimëkëmbim pjesët e dëmtuara të pyjeve, duke i pyllëzuar përsëri me bredha. Kështu konstatuam se nuk mund të gjejmë sasitë e domosdoshme të fidanishteve të bredhave. Prandaj filluam të grumbullojmë vetë farëra, t’i përpunojmë dhe t’i rritim fidanishtet e domosdoshme me prejardhje nga Vitosha, me të cilat duhet të rimëkëmbet pylli i bredhave. Deri tani kemi rimëkëmbur mbi 60 hektarë pyje të dëmtuara, si në Vitosha, ashtu dhe në kënde të ndryshme të vendit, dhe grumbulluam një përvojë shumë të mirë.”

Projekti i ri i programit “Life plus” parashikon krijimin e një banke gjenetike, e cila të ruajë farëra dhe material tjetër gjenetik nga lloje drusore, të cilat nuk janë të leverdishme ekonomikisht, por janë të vlershme për ekuilibrin ekologjik. Do të ketë dhe një fidanishte për prodhimin e farërave dhe rritjen e pemëve të llojeve me prioritet dhe me rëndësi evropiane.

“Bullgaria është shteti i vetëm në BE, i cili ende nuk disponon një bankë të tillë gjenetike – vë në dukje zoti Todorov. Ajo do të përfshijë një koleksion prej të gjitha llojeve pyjore, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike në pyjet tona. Për ketë qëllim jemi duke studiuar vendet, ku do të grumbullojmë farërat e llojeve të ndryshme. Projekti parashikon blerjen e një pajisjeje speciale laboratorike, me ndihmën e së cilës të analizohen farërat. Banka do të disponojë gjithashtu kamera për ruajtjen afatgjatë dhe afatmesëm të materialit gjenetik.”

Gjatë 7 muajve të parë që nga fillimi i projektit u krye mjaftë punë – thotë Teodor Todorov. “Caktuam mbi 30 rajone të pyllëzuara, nga të cilat të grumbullojmë material gjenetik. Tashmë kemi grumbulluar afro 800 kg farëra prej llojeve të ndryshme pyjore. – vazhdon zoti Todorov. – Prej tyre prodhuam fidanët e parë në fidanishten pyjore në Llukorsko. Kështu arritëm deri në pjesën kryesore të projektit, kur vitin tjetër do të fillojmë të pyllëzojmë me fidanët rajonet e dëmtuara. Projekti përfshin dy territore rreth Sofjes. Kjo është një zonë nga “Natura 2000” afër Dragomanit dhe akoma një zonë e tillë në malin Pllana. Aktualisht jemi duke grumbulluar informacion për vendet konkrete të dëmtuara. Shpresojmë se pas përfundimit të projektit do të vazhdojmë të multiplikojmë rezultatet e tij. Prandaj grumbullojmë farëra dhe prodhojmë fidanë, të cilët të përdoren për rimëkëmbjen e pyjeve të tjera të dëmtuara te ne.”

© Foto: Maria Dimitrova

Lisi i bardhë është ndër llojet e para drusore të cilat do të ruhen në bankën e ardhshme gjenetike.

Një prej llojeve të para drusore, prej të cilave u grumbulluan farëra dhe u prodhuan fidanë është Lisi i bardhë (Quercus pubescens). Problemi është se ai nuk jep fruta çdo vit dhe mbirja e farërave nuk është e mirë. Ky është një lloj i rrallë, i cili formon një pjesë të madhe të disa habitateve specifike, të cilat janë me prioritet në Evropë, thonë ekspertët. Më shumë hollësi për këtë lloj të rrallë do të mësojmë nga inxhinierja Svilena Bozhinova, drejtoreshë e Stacionit pyjor për kontrollin e farërave – Sofje, që merret me prodhimin e fidanëve.

“Lisi i bardhë zë rreth 35 mijë hektarë në Bullgari. Në zonën tonë të mbrojtur ai është përhapur kryesisht në sipërfaqe të mbuluara me shkëmbinj prej guri gëlqeror dhe me tokë të cekët. Ai është shumë i qëndrueshëm në kushte thatësire. Duke pasur parasysh ndryshimet klimatike ndoshta në të ardhmen do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe këtij lloji. Ai nuk konsiderohet si lloj i vlershëm nga ekonomitë pyjore, por nga pikëpamja ekologjike lisi i bardhë është me rëndësi të madhe, sepse mund të bashkëjetojë me lloje të tjera drusore, si disa lloje të tjera lisi, dardha e egër, vidhi, thana, vadha etj., të cilat janë bazë shumë e vlershme ushqimore për shpendët dhe shumë kafshë të tjera të egra. Lisi i bardhë nuk bëhet shumë i lartë – ai arrin 15-20 metra lartësi, por haset në rajone, ku rriten rrallë lloje të tjera drusore. Prandaj ai është me rëndësi të madhe për ruajtjen e tokës në rajonet shkëmbore, si dhe për procesin e formimit të mbulesës së tokës në male.”

Një projekt i tillë nuk mund të realizohet në Bullgari pa përkrahjen e programit “Life plus” të Komisionit Evropian, vetëm me mjetet e buxhetit, ose me ato të fituara nga ekonomitë pyjore – thotë inxhinieri Ljubço Triçkov shef i drejtorisë “Projekte dhe veprimtari ndërkombëtare” pranë Agjencisë ekzekutive të pyjeve. Kontributi i programit ekologjik evropian pranë projektit është afro 440 mijë euro, ose 75 për qind e tërë buxhetit. Më shumë hollësi mund të mësoni në sajtin e projektit: http://forestgenefund.eu.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Komisioni Von der Leyen 2 – i shpallur, por i pasigurt

Emrat e këtij Komisioni Evropian nuk janë më spekulime apo hamendje, por fakt. Struktura gjithashtu dhe ajo që është e qartë është se janë 6 nënkryetarë ekzekutivë por struktura e nënkryetarëve të zakonshëm është hequr. Siç pritej, secila prej..

botuar më 24-09-25 6.48.MD

Në sistemin arsimor janë të dukshme edhe të metat e shoqërisë sonë

Pas ditës së parë të shkollës për nxënësit në Bullgari - 15 shtator - vjen koha për të nisur vitin e ri shkollor edhe për studentët, pasi shumica e institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë hapin dyert më 1 tetor. Në këtë interval prej rreth dy..

botuar më 24-09-25 7.35.PD

Një tjetër donacion i madh nga Bullgaria për Prespën e Vogël

Një tjetër donacion i madh për komunën shqiptare të Prespës së Vogël është bërë nga Fondacioni “Kujtesa Bullgare” më 14 shtator në fshatin Globoçeni të Komunës së Pustecit. Fondacioni siguroi një kontejner mjekësor të pajisur plotësisht për fshatin..

botuar më 24-09-24 4.34.MD