Gjatë Rilindjes qyteti Bansko ka qenë qendër revolucionare dhe kulturore, kurse sot është një vendpushim i njohur malor. Qyteza ndodhet në Bullgarinë Jugperëndimore, buzë malit Pirin dhe është rrethuar me dhjetëra burime termike minerale. Shpatet e malit ofrojnë shumë itinerare turistike dhe pamje jashtëzakonisht të bukura natyrore. Bansko është pikënisja drejt një ski piste unikale, të gjatë 16 km. Ajo gjithmonë është mbuluar me dëborë, kurse natën është ndriçuar shumë mirë. Verën dhe vjeshtën këtu zhvillohen shumë aktivitete kulturore, ndër të cilat më i njohuri është Festivali ndërkombëtar i xhazit.
© Foto: Allbena Bezovska
I vetmi vend nga i cili Banskoja shihet si në pëllëmbë në të gjitha drejtimet është kambaneria me sahatin. Ajo ngrihet në oborrin e kompleksit të tempujve “Trinia e Shenjtë”. Shkallët e pjerrëta prej druri, të cilat na çojnë deri në çati janë moshatarë të kësaj kulle origjinale, simbol i qytetit. Kulla është ndërtuar në vitin 1850, kurse mekanizmi i sahatit të qytetit është montuar në vitin 1865. Akoma më e vjetër është kisha, e cila ia ka dhënë emrin kompleksit. Ndërtimi i saj ka filluar në fillim të viteve 30-të të shekullit të XIX-të. Ajo është një prej tempujve më të mëdhenj ortodoksë në Ballkan. Rëndësia e këtij fakti forcohet edhe më shumë nga rrethanat e ndërtimit të saj.
© Foto: BGNES
Në atë kohë Bullgaria ishte nën zgjedhën turke, kurse ndërtimi i tempujve ortodoksë ishte lejuar vetëm atje, ku para kësaj kishte pasur ndërtesa kulti dhe shenjtërore dhe gjithmonë me kushtin që pika më e lartë e ndërtesës të mos jetë më e lartë nga një njëri në kalë.
Shumë prej qytetarëve të Banskos donin një kishë të re në qytet. Ajo e vjetër, e cila ekziston edhe sot e kësaj dite, në atë kohë ishte shumë larg vendbanimit. Një prej luftëtarëve më të mëdhenj për ndërtimin e kishës së re ishte Llazar German – një tregtar i pasur, kryetar i Bashkisë së Banskos në atë kohë. Sipas tregimeve të vendasve, bashkë me një mik të tij ai groposi një kryq, një ikonë dhe sende të tjera kishtare në kopshtin e vet. Gjyshi Llazko, siç me respekt e quanin bashkëqytetarët e tij, i bëri lutje një gruaje të moshuar për të ëndërruar natën një tempull atje. Gjysha e përhapi këtë ëndërr të saj, erdhën përfaqësuesit e bashkisë dhe të pushtetit turk, i “gjetën” shenjat e fatit si të thuash dhe shkruan një kërkesë ndaj valiut. Nga ana e vet Gjyshi Llazko i mblodhi qytetarët e Banskos dhe u tha se do të ketë nevojë për shumë para dhe shumë angari (punë vullnetare), kurse më të pasurve iu drejtua me fjalët: “Paratë janë dhënë nga Zoti për gëzimin tonë dhe në dobi të popullit!”
© Foto: BGNES
Kështu qytetarët e Banskos filluan t’i grumbullonin mjetet dalëngadalë, çdonjëri ndihmonte sa mundte. Llazar German e dhuroi kopshtin e vet, në të cilin më vonë u ndërtua kisha “Trinia e Shenjtë”. Mirëpo leja e pushtetit turk nuk vinte, por rrethana të favorshme e ndihmuan ndërtimin e saj – në familjen e valiut në Selanik lindi një foshnjë mashkullore. Gjyshi Llazko grumbulloi para nga më të pasurit dhe përgatiti dhurata të pasura për bashkëshorten dhe birin e valit. Ndër stofat e shtrenjta vuri një kuletë plotë monedha të arta. Valiu u mallëngjye shumë nga respekti i qytetarëve të Banskos dhe e nënshkroi lejen. Ja dhe vazhdimi i kësaj historie të treguar nga kishari Hristo Bojçin:
© Foto: Allbena Bezovska
“Që të ndërtohet kjo kishë e madhe bashkëqytetarët tanë vepronin në mënyrë diplomatike. Megjithëse morën leje për ndërtimin e një kishe të vogël, ata ndërtuan një rreth të madh, kurse pas kësaj filluan t’i gërmonin themelet, duke e zgjeruar gropën pak nga pak çdo natë. Ndërkaq parat mbaruan. Atëherë Gjyshi Llazko shkoi në Nevrokop (qyteti i sotëm Goce Dellçev). Atje ai kishte marrëdhënie tregtare me Mehmed Beun, të quajtur “Altën Be” (Beu i Artë) për shkak të pasurisë së tij të madhe. Llazar German kërkoi nga beu para me qira, duke e gënjyer se i nevojiten për tregtinë. Mori një shumë mjaftë të madhe dhe menjëherë e investoi në veprën e jetës së tij. Mirëpo pak pas kësaj gënjeshtra e tij u zbulua dhe Llazar u dërgua në Diarbekir, ku vdiq. Gjysmëhënat mbi hyrjen e kishës gjithashtu janë një ide e tij. Ai sikur parandiente se nuk do të mund të shohë përfundimin e ndërtimit dhe që ta ruajë dha urdhër për gdhendjen e këtij simboli të islamit në gur.”
© Foto: pravoslavieto.com
“Dhe vërtetë ka bërë shumë mirë – vazhdon tregimin e vet Hristo. – Kur erdhën përfaqësuesit e pushtetit turk, ata së pari urdhëruan shkatërrimin e kishës, por pasi i panë gjysmëhënat u gjunjëzuan para tyre. Kështu kisha u shpëtua.”
© Foto: BGNES
Në fakt tërë arkitektura bën përshtypjen e rreme se tempulli është më i vogël, por në fakt nuk është kështu. Gjatësia e godinës është 44 metra, kurse gjerësia e saj – 24 metra. Pika më e lartë e kubesë është 20 metra. Muret janë të gjera më se një metër dhe përbëjnë blloqe prej mermeri të bardhë. Në tempull hyhet përmes porteve solide prej druri. 12 shtyllat, të cilat e mbajnë çatinë, simbolizojnë 12 Apostujt e krishterë. Mbishkrimet në mur janë vepër e piktorëve nga Shkolla e Debërit. Ikonat janë pikturuar nga mjeshtërit e njohur të Shkollës së Banskos Dimitër dhe Simeon Molerovi, kurse Veljan Ognev ka pikturuar një qiell me yje në tavan, ku kalojnë re dhe engjëj. Amvona gjithashtu është dekoruar me piktura të stilizuara. Një shkallë e bukur çon deri në të, ku me 5 tetor të vitit 1912 u ngjit poeti i madh bullgar Pejo Javorov – vojvoda e një prej çetave gjatë Luftës së parë ballkanike 1912-1913. Ajo zhvillohej për çlirimin e territoreve të populluara kryesisht me të krishterë, të cilët ishin mbetur nën zgjedhën turke. Atje Javorov shpalli Lirinë e Banskos me fjalët “O Vëllezër, nga sot jeni bullgarë të lirë!” Më vonë qytetarët e Banskos i shkruan këto fjalë në monumentin e poetit. Ai gjithashtu ndodhet në oborr, afër kambanerisë. Në kompleks ndodhet dhe tempulli i vogël “I përnderuari Pajisij Hilendarski.”
© Foto: Allbena Bezovska
Herakleja Sintika ishte një vendbanim kozmopolit në të cilin bashkëjetuan fise, etnose dhe popuj të ndryshëm. Ai ndodhet në territorin e bashkisë së qytetit Petriç dhe më saktë në rajonin e fshatit Rupite, në afërsi të vullkanit të shuar Kozhuh...
Shumeni është një qytet i njohur si një nga qendrat e Rilindjes bullgare, të jetës kulturore dhe shpirtërore, ku ende mund të ndihet shpirti i kësaj kohe. Në qoftë se shëtitni në rrugën e kalldrëmit “Mbreti i Çlirimit” dhe ecni drejt Tombul..
Banesat e neolitit në Stara Zagora janë një monument i jashtëzakonshëm historik me rëndësi botërore. Ato janë një prej 100 objekteve turistike kombëtare. Në muzeun, që ngrihet mbi vetë zbulimet arkeologjike mirëmbahet temperaturë dhe lagësirë e..