Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria dhe Shqipëria – nga Shpallja e Pavarësisë deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore

Foto: arkiv

Për marrëdhëniet zyrtare midis Sofjes dhe Tiranës mund të flasim vetëm pasi pavarësia shqiptare e shpallur më 28 nëntor 1912 u njoh nga ndërkombëtarët me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Natyrisht, kjo nuk do të thotë, që përpara kësaj date nuk kanë ekzistuar marrëdhënie dhe kontakte midis bullgarëve dhe shqiptarëve. Këtu do të të theksojmë dy fakte. Me të vërtetë simbolike janë kontaktet mes dy personaliteteve si Ivan Seliminski dhe Naum Veqilharxhi, figura të rëndësishme në lëvizjet kombëtare të të dy popujve. Me rëndësi të madhe është dhe veprimtaria e kolonisë shqiptare në Sofje në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX. Nuk do të hyjmë në imtësi rreth ekzistencës dhe strukturës organizative të saj, por do të theksojmë një fakt te padiskutueshëm – qëndrimin pozitiv të pushtetit bullgar ndaj shoqatës “Dëshira” dhe veprimtarisë së saj.

Bullgaria është ndër shtetet e para, që vendosën marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë. Ministria e Punëve të Jashtme në Sofje zhvilloi disa konsultime të shpejta dhe më 30 prill 1914 u nënshkruan letrat kredenciale të diplomatit profesionist Todor Pavllov si drejtues i legatës bullgare në Shqipëri. Më 19 maj, kopje të tyre ju dorëzuan Turhan Pashës – kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, ndërsa më 31 maj u zhvillua takimi me kreun e shtetit, princin Vilhelm Vid.

Gjatë këtyre kontakteve të para flitet shumë për miqësi dhe për bashkëpunim të mëtejshëm, kurse kryeministri shqiptar deklaron dhe vendimin e tij për të dërguar në një të ardhme të afërt përfaqësues diplomatik në Sofje, mirëpo e gjithë kjo duhet të shtyhet. Shpërthen Lufta e Parë Botërore, në territorin shqiptar zhvillohen beteja dhe vendoset regjimi okupator, praktikisht nuk mund të zhvillohet një jetë politike normale, një pjesë e madhe e misioneve diplomatike të akredituar largohen nga vendi. Bën përshtypje fakti, se përfaqësuesi bullgar dhe bashkëpunëtorët e tij qëndrojnë më shumë se të tjerët, por pas përfshirjes së Bullgarisë në luftë, në vjeshtë të vitit 1915, edhe ata largohen nga Shqipëria.

Pas përfundimit të konfliktit ushtarak dhe nënshkrimit të traktateve të paqes, marrëdhëniet duhet të rivendoseshin. Në dhjetor të vitit 1920 Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve, ndërsa më vonë erdhi dhe vendimi i Konferencës së Ambasadorëve më 9 nëntor 1921, i cili e rikonfirmoi ekzistencën e Shqipërisë së pavarur. Në këtë situatë shihet një lëvizje e diplomacisë shqiptare, përfshirë këtu dhe në drejtim të Bullgarisë. Më 28 janar 1922, me një shënim zyrtar u kërkua, që qeveria bullgare të njihte “de jure” Shqipërinë dhe kjo ndodhi vetëm një muaj më pas, më 24 shkurt. Në vjeshtë të të njëjtit vit u zhvilluan bisedime edhe për rivendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike dhe kjo praktikisht u bë e mundur më 22 tetor, kur përfaqësuesi diplomatik shqiptar në Turqi, Konstantin Boshnjaku, u emërua drejtues i legatës në Sofje, ndërsa tre ditë më vonë i dorëzoi letrat kredenciale kryeministrit dhe ministër të punëve të jashtme Aleksandër Stambolijski. Në periudhën 1924-1925 u zhvilluan negociata për hapjen e misioneve të përhershme në të dy kryeqytetet. Me iniciativë të palës bullgare u arrit në vendimin e mos hapjes së konsullatave gjeneralë, por të legatave – faktikisht shkalla më e lartë për të dy vendet në kushtet e atëhershme. Në qershor 1924 Ivan Ikonomov u emërua si përfaqësues diplomatik në Tiranë, kurse në vitin 1926 Shqipëria hapi legatën e saj në Sofje, fillimisht e drejtuar nga Rauf Fiko si ministër fuqiplotë. Po i njëjti, arrin pas disa vitesh të bëhet ministër i jashtëm i vendit të tij.

Mund të thuhet, se gjendja e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve tregon shume për gjendjen reale të marrëdhënieve politike dhe kjo na çon drejt disa përfundimeve. Arritja e marrëveshjeve në një nivel të lartë tregon mirëbesim, por në realizimin e tyre jo gjithçka është në rregull, sidomos nga pala bullgare. Për një kohë të gjatë në Tiranë nuk u dërgua një titullar dhe vetëm në prill të vitit 1936 në postin e ministrit fuqiplotë u emërua diplomati me eksperience Janko Peev. Gjërat nga pala shqiptare duken më serioze, pasi përveç drejtuesve të legatës ka dhe katër ministra fuqiplotë për periudhën 1926-1939. Natyrisht lind pyetja nëse këto fakte përputhen me gjendjen reale të marrëdhënieve politike dhe si po zhvillohen ato në përgjithësi?

Në pamje të parë duket, se ekzistojnë argumente për kontakte aktive dhe reciprokisht të dobishme në sferën politike, madje dhe për unitet në disa raste. Në momentin e përcaktimit të kufijve pas luftërave, të dy shtetet janë në palën humbëse dhe janë më të pakënaqurit me status quo-në e vendosur, pasi jashtë kufijve të tyre mbetën territore, të populluara me bashkëkombës. Të përbashkët janë dhe oponentët rajonalë – edhe Bullgaria, edhe Shqipëria kanë pretendime, përfshirë këtu dhe territoriale, ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë. Një plus është edhe fakti, se Sofja dhe Tirana, falë mungesës së një kufiri të përbashkët, nuk kanë probleme mes tyre. Megjithatë, një bashkëpunim dhe unitet i ngushtë nuk arrihet.

Në radhë të parë, të dy vendet nuk kanë një potencial të madh personal, në një situatë të pafavorshme të politikës së jashtme në periudhën mes dy luftërave dhe në një shkallë të lartë varen nga sjellja e shteteve të mëdha evropiane. Bullgaria e gjeti veten nën goditjet e humbjeve territoriale, ekonomisë së shkatërruar nga lufta, viktimave të shumta njerëzore, sjelljes negative të fituesve, me në krye Francën dhe Anglinë. Në të njëjtën kohë Shqipëria nuk pëson ndryshime tek kufijtë e përcaktuar në 1913-n, por shndërrohet në një arenë betejash për ndikim dhe me kalimin e kohës bie në varësi financiaro-ekonomike dhe politike të Italisë. E thënë ndryshe, edhe Bullgaria, edhe Shqipëria janë tepër të dobëta, për të pasur arsye të mbështeten tek njëra-tjetra apo të bashkëpunojnë për një kauzë të përbashkët.

Të dy shtetet ndihen të pafavorizuar në të njëjtin drejtim dhe është më se logjike, që ata të punojnë për zgjidhjen e problemeve të të njëjtit tip: territoriale dhe të pakicave kombëtare. Mirëpo në sjelljen e tyre ka një ndryshim të madh. Bullgaria, pavarësisht mundësive të kufizuara, ka të formuluar qartë qëllimin kryesor të politikës së jashtme: rishikim paqësor i marrëveshjeve pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshim të status quo-së. Kjo i sjell asaj një sukses të pjesshëm – rimarrjen e Dobruxhës jugore me anë të Marrëveshjes së Krajovës në shtator 1940. Shqipëria bie nën ndikimin gjithmonë e më të fortë të Romës, mbështet totalisht Italinë në planin e politikës së jashtme dhe arrin në pushtim dhe bashkim me territorin e këtij shteti në prill 1939. Me fjalë të tjera, Bullgaria dhe Shqipëria kanë sjellje të ndryshme në planin ndërkombëtar dhe kjo gjithashtu krijon pengesa për bashkëpunim dhe bashkëveprim.

Në kërkime, të bazuara dhe në materiale arkivash nga kjo periudhë, shumë qartë provohet teza, që marrëdhëniet dypalëshe janë të përqendruara rreth një problemi – ai i ekzistencës së pakicës kombëtare bullgare brenda kufijve të Shqipërisë, zyrtarizimi i statusit të tij dhe respektimi i të drejtave të tij, përfshi këtu dhe mundësia e funksionimit të kishave dhe shkollave. Përgjatë gjithë periudhës mes dy luftërave diplomacia bullgare e ngre këtë çështje, por nuk arrihet tek ndonjë zgjidhje. Arsyet janë disa – nga Sofja nuk veprojnë në mënyrë aktive dhe me synim të qartë, ndërsa Beogradi ushtron presion të madh, që kjo të mos ndodhë. Pushteti shqiptar mundohet të manovrojë, por në fund të fundit gjithmonë dominon pozita jugosllave, sepse ky problem në çdo moment mund te shndërrohet në një “monedhë shkëmbimi” për gjendjen e popullsisë së Kosovës. Ka një moment, kur rrugëzgjidhja duket e mundur – në kohën e Konferencave Ballkanike në fillim të viteve 30 të shekullit XX. Në dy të parat mund të shihet një bashkëveprim për problemin e pakicave, duke iu kundërvënë të gjitha delegacioneve të tjera ballkanike. Aq më tepër, më 9 janar 1932 në Sofje personalitete si Janko Sakëzov dhe Mehmet Konica vendosën firmat e tyre në një protokoll dypalësh me disa pika kryesore: njohje reciproke të pakicave kombëtare dhe mbrojtje të të drejtave të tyre; marrëveshje për miqësi dhe mossulmim; përpilim i një marrëveshjeje tregtare. Nëse kjo, që u parashikua në këtë dokument, do të realizohej, do të ishte jo vetëm sukses për politikën e jashtme bullgare, por dhe një perspektivë shumë të mirë për marrëdhëniet dypalëshe. Për fat të keq, ky protokoll do të mbetet vetëm në letër, pasi Beogradi ushtroi një presion shumë të madh mbi Tiranën dhe nuk lejoi ratifikimin dhe respektivisht, hyrjen e tij në fuqi. Në atë kohë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë ishin në krizë afatshkurtër dhe kjo automatikisht rriti peshën e pozitës së Beogradit.

Në këtë mënyrë humbet rasti për aktivizim të lidhjeve dypalësheve në bazë të interesit të përbashkët. Që ka një të tillë shihet qartë dhe në vitin 1934, kur u nënshkrua Pakti Ballkanik. Shtetet e rajonit, që mbetën jashtë tij janë pikërisht Bullgaria dhe Shqipëria – të pakënaqur me status quo-në, të izoluar nga fqinjët e tyre, por që nuk gjetën një gjuhë të përbashkët për bashkëveprim.

Gradualisht, pala bullgare reduktoi edhe më tepër përpjekjet për t’i dhënë zgjidhje problemit kryesor – statusi i bashkatdhetarëve të tyre në territorin shqiptar. Një ndryshim në Kushtetutën shqiptare në vitin 1933 heq mundësinë për funksionimin e shkollave të huaja brenda shtetit dhe kështu bie poshtë një nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie.

Në prill 1939 mbretëria shqiptare u pushtua, e më vonë u bashkua me shtetin italian. Ministria e punëve të jashtme në kryeqytetin shqiptar u mbyll, shumica e misioneve diplomatike u larguan. Në mënyrë formale vazhdon funksionimi i konsullatës bullgare në Tiranë, por në të vërtetë nuk ekzistojnë më marrëdhënie politike – Shqipëria praktikisht zhduket si subjekt nga harta e Evropës deri në vitin 1944.

Madje edhe ky rishikim i përciptë tregon, se marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Shqipërisë në periudhën midis dy luftërave janë pothuajse të pakuptimta. Duket e pabesueshme, por për afro dy dekada nuk ka pasur vizita të ndërsjella të një niveli të lartë, pothuajse nuk u nënshkruan marrëveshje, nuk pati bashkëveprim në drejtime reciprokisht të dobishme. Marrëdhëniet diplomatike janë të kufizuara pothuajse tërësisht në korrespondencë konsullore dhe protokolli. Përfshi këtu dhe nivelet jashtëzakonisht të ulëta të tregtisë.

Konkluzioni i përgjithshëm është se në vitet 20 dhe 30 të shekullit XX marrëdhëniet politike mes Bullgarisë dhe Shqipërisë janë me intensitet jashtëzakonisht të ulët dhe mungon pothuajse plotësisht dialogu. Në të dy vendet, nuk ka asnjë motivim për ndonjë ndryshim, pavarësisht simpative reciproke të deklaruara shpesh dhe mungesës së problemeve.

По публикацията работи: Bobi Bobev


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vasill Drumev – Mitropoliti Kliment Tërnovski

Mitropoliti Kliment - në shërbim të Zotit dhe Atdheut

Në analet laike të Bullgarisë së pasçlirimit, Mitropoliti Kliment Tërnovski njihet si Vasill Drumev - një shkrimtar dhe figurë e njohur publike, që bëri një jetë jashtëzakonisht shpirtërore, të krishterë. Për gjuhëtarët, ai është ndër zelltarët më të..

botuar më 24-12-22 9.25.PD
Perperikon

Perperikon hyri në top 10 të objekteve botërore, sipas "Guardian"

Perperikon – qyteti shkëmbor i trakëve pranë qytetit Kërxhali, Bullgaria Jugore, është futur në top 10 të objekteve botërore që duhen parë, sipas renditjes së gazetës “Guardian”. Vendi është vendosur së bashku me strukturat neolitike në Spanjë dhe Francë,..

botuar më 24-12-16 8.45.PD

Shën Nikollaj Çudibërësi - mishërimi i mëshirës vetëmohuese

Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, ​​sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..

botuar më 24-12-06 5.45.PD