Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Muzetë ushtarako-historike në Pleven – Panorama “Epopeja e Plevenit”

Panorama “Epopeja e Plevenit”
Foto: bg.wikipedia.org

Mauzoleu, Parku i Skobelevit, panorama “Epopeja e Plevenit 1877”, tri shtëpitë muze, Mauzoleu rumun dhe parku memorial në fshatin Grivica... Në qoftë se jeni në zemrën e Bullgarisë Veriore, medoemos duhet të vizitoni krahinën e Plevenit, që të njiheni me këto monumente të lidhura me Luftën çlirimtare ruso-turke nga viti 1877-1878.

© Foto: imagesfrombulgaria.com

Muzeu Historik

Qyteti i Plevenit ndodhet në një distancë pothuaj të barabartë nga lumi i Danubit dhe mali Stara Pllanina, në qendër të Luginës së Danubit. Muzetë historiko-ushtarakë në Bashkinë e Plevenit janë ndër më të vjetrit te ne, të cilat hapën dyer pak pas Çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha turke në vitin 1878. Sot në territorin e bashkisë banojnë mbi 300 000 veta. 110 000 prej tyre janë në Pleven, i cili është qyteti i shtatë për nga madhësia në Bullgari.

© Foto: panorama-pleven.com

Sende të kryekomandantit të Ushtrisë Ruse princ Nikolaj Nikolaeviç

Shumica e muzeve punojnë pa ditë pushimi, pavarësisht nga stina, dhe kështu është tashmë disa dekada me radhë. Rryma e turistëve është e konsiderueshme. Pleven ka ruajtur në të hapur, ose në godinat e muzeve, armë unikale, harta ushtarake, uniforma dhe shumë sende nga rrethimi pesëmujor dhe betejat midis trupave ushtarake turke dhe ushtrisë ruse gjatë Luftës Çlirimtare për Bullgarinë. Në një artikull të vet historiani doc. Millko Asparuhov, drejtor i muzeve ushtarako-historike në Pleven, shkruan:
“Gjatë luftës qyteti kishte një rëndësi të madhe ushtarake, politike dhe strategjike, kurse Epopeja e Plevenit u bë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e tij. Betejat afër Plevenit janë jashtëzakonisht të rëndësishme në Luftën Çlirimtare dhe kanë luajtur një rol vendimtar për përfundimin e saj të suksesshëm. Qyteza e panjohur deri atëherë në vitin 1877 tërhoqi vëmendjen e komunitetit botëror. Liria u fitua së pari në Pleven. Pas fitores vlerësimi i urtë i qytetarëve të Plevenit u shpreh para perandorit rus Aleksandër II me fjalët: “Çlirimi i Plevenit – ky është agimi i çlirimit të Bullgarisë së lashtë”.

© Foto: panorama-pleven.com

Batareja në Parkun e Skobelevit

Ushtria ruse, në të cilën morën pjesë dhe trupa rumune, sulmoi pa sukses kodrat e gjelbra rreth Plevenit. Tri herë. Kishte shumë viktima. Pas mossuksesit komandantët rusë ndryshuan taktikën. Pas një rrethimi tremujor garnizoni turk humbi betejën më 10 nëntor të vitit 1877. Osman Pasha – një prej udhëheqësve më të talentuar turq ia dorëzoi simbolikisht shpatën gjeneralit Ganeckij.

© Foto: arkiv

“Sulmi i tretë” – pjesë nga pëlhura e Panoramës “Epopeja e Plevenit 1877”

© Foto: panorama-pleven.com

Uniforma turke dhe flamur i kapur turk
Pavarësisht se sa bukur të jenë rrëfyer faktet dhe ngjarjet historike të betejës epokale, asgjë nuk mund të krahasohet me përjetimet personale. Pikërisht kjo është ndenja kur njeriu gjendet në vetë fushën luftarake. Në vitin 1907 qytetarët mirënjohës të Plevenit mbuluan me gjelbërim vendin e betejave. E quajtën “Parkun e Skobelevit” si shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj gjeneralit të madh rus. Shtatë dekada më vonë, në vitin 1977, në vendin e njëjtë u ndërtua panorama “Epopeja e Plevenit”. Godina madhështore përbën një trung koni, të ngritur simbolikisht nga katër mburoja të stilizuara. Tërë lartësia është rreth 50 metra. Tri unazat horizontale të korpusit, simbolizojnë tri sulmet. Ajo e katërta, e mbuluar me larim, rikujton për rrethimin e Plevenit. Në sallën e parë janë paraqitur ngjarjet historike – Kryengritja e Prillit kundër robëruesit turk nga viti 1876, betejat tek maja Shipka në malin Stara Pllanina gjatë Luftës Çlirimtare etj. Në të ashtuquajturën “Salla e Panoramës” është paraqitur një pëlhurë e madhe. Ajo është e gjatë më shumë se 100 metra dhe e lartë 15 metra. Pëlhura është prej linoje dhe paraqet piktura realiste, të cilat rikrijojnë betejën e shtatorit të vitit 1877. Iluzioni për perspektivën është rreth 8-10 kilometra. Njeriu ka përshtypjen se mund ta prekë karrocën prej druri.

© Foto: panorama-pleven.com

Armë nga Lufta çlirimtare ruso-turke
Vizituesit mund të përdorin ashensorët, që të ngrihen deri në dy sheshet, nga të cilat shihet vendi i betejave. Është interesant fakti se e gjithë kjo – godina dhe gjithçka brenda saj është realizuar për rreth tetë muaj. Panorama u hap më 10 nëntor të vitit 1977 për nder të përvjetorit të 100-të të Çlirimit të qytetit të Plevenit. Në sallonin e pritjes vizituesi do të shohë një pllakë përkujtimore me mbishkrimin: “Testamenti për brezat”. Prapa saj është rrethuar me mur një kapsulë prej metali, e cila duhet të hapet në të njëjtën datë të vitit 2077. Atje qytetarët e Plevenit kanë lënë rekomandimet e tyre për brezat e ardhshëm.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Allbena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Dhurata të pasura nga gjinjtë e tokës ruhen në muzeun e Madanit

Natyra është një arkitekt i cili nuk e ka shokun. Miliona vite me radhë ajo me këmbëngulje formon krijesat e saj të papara – kristalet. Ata e gëzojnë syrin e njeriut dhe krijojnë te ai një ndjenje të shkëlqimit dhe bukurisë. Të grumbulluar në një vend,..

botuar më 16-01-16 3.15.MD

Shtëpia e Dimitër Peshevit në Kjustendill ruan kujtimin për shpëtimin e hebrenjve bullgarë

Shtëpia-muze “Dimitër Peshev” në qytetin Kjustendill është monument i kulturës, i cili u rimëkëmb, që të grumbullojë në një vend kujtimin e atyre bullgarëve, të cilët në vitin 1943 arritën të shpëtojnë nga Hitleri rreth 50 mijë hebrenj, të përgatitur..

botuar më 15-12-19 11.35.PD

Muzeu i Peshkimit në Tutrakan prezanton histori për njerëzit dhe lumin Danub

Qyteti Tutrakan është një vendbanim, jeta e banorëve të të cilit prej kohe lidhet ngushtë me peshkimin. Kushtet e mira, që krijon lumi Danub dhe liqenet përreth që nga koha më e lasht sigurojnë bukën e gojës të popullsisë vendëse dhe ndihmojnë për..

botuar më 15-11-15 10.20.PD