Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u zhvilluan ditën e diel në Bullgari, e vënë vendin në një situatë pati. Megjithë protestat në masë të qytetarëve bullgarë gjatë shkurtit të këtij viti për ndryshimin e statukuos politike, protesta të cilat çuan në zgjedhjet para afatit, ajo mbetet e pandryshuar. Në Parlamentin e ri përsëri hyjnë lojtarët e vjetër politikë – GERB, Koalicioni i majtë për Bullgarinë, Lëvizja për të Drejta dhe Liri dhe “Ataka”. Mirëpo disa prej tyre nuk morën përkrahje të mjaftueshme nga votuesit, që të formohet një qeveri stabile. Cilat janë skenarët e mundshëm dhe a ndodhet vendi para rreziqeve serioze? Ja se si e komentuan ekuacionin me shumë të panjohura analizatorët dhe politikanët:
“Ka rrezik real nga bllokimi i Parlamentit, funksioni kryesor i të cilit është formimi i një shumice funksionuese dhe i një qeverie stabile – është i mendimit politologu Ognjan Minçev. – Në këtë situatë po shoh mundësi jo shumë të mëdha për krijimin e një qeverie të qëndrueshme politike. Nga njëra anë mund të presim njëfarë marrëveshjeje midis GERB-it dhe “Atakës”, por “Ataka” do të pranohet vështirë si partner koalicioni në Partinë Popullore Evropiane. Në këtë situatë duhet të krijohet një qeveri e pakicës, si në Parlamentin e kaluar. Mundësia tjetër është formimi i një qeverie të Partisë Socialiste Bullgare, Lëvizjes për të Drejta dhe Liri dhe “Atakës”. Mirëpo për dy partitë e fundit do të jetë vështirë për të hyrë haptazi në një qeveri koalicioni. Kjo do të thotë se përsëri do të ketë nevojë për ndonjë formë mbulimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qeveri programore, qeveri ekspertësh , ose për qeveri me ndonjë emër tjetër. Në qoftë se dy partitë kryesore GERB dhe Partia Socialiste Bullgare kishin arritur të vendosnin marrëdhënie të qytetëruara, siç gjatë 4 viteve të fundit, ashtu dhe gjatë fushatës paraelektorale, atëherë do të ishte mundur krijimi i një koalicioni të madh, sipas shembullit gjerman, të paktën deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian vitin tjetër, kur mund të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare. Por tani për tani kjo nuk është e mundur. Në qoftë se të gjitha këto variante nuk realizohen, në qoftë se Parlamenti i ri nuk fillon së funksionuari, pa dyshim zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të zhvillohen më herët.”
Kishte shumë komente për ndershmërinë e zgjedhjeve parlamentare 2013, me sa ato do të ishin vërtetë të ndershme dhe demokratike. Për këtë shkak ato u monitoruan nga shumë organizata joqeveritare, si bullgare, ashtu dhe të huaja. U zhvillua dhe një numërim paralel i rezultateve zgjedhore nga një firmë austriake. Sipas Antoaneta Conevës nga Instituti për Zhvillimin e Mjedisit Publik, zgjedhjet nuk ishin të ndershme dhe të lira. “Ishte përdorur një arsenal i tërësishëm për presion mbi zgjedhësit dhe për blerjen e votave. Përveç kësaj për bullgarët jashtë shtetit nuk ishin siguruar kushte për të ushtruar të drejtën e tyre të votimit. Për shembull në Londër kishte vetëm dy seksione dhe njerëzit duhej të prisnin në radhë, që të votonin.”. Rezultatet e votës rikrijojnë statukuonë dhe nuk do t’i sjellin kënaqësi një pjese të konsiderueshme të bullgarëve, mendon gjithashtu znj. Conevës duke shtuar: “Nuk mendoj se do të arrihet deri në ndonjë pajtim. Në Kuvendin Popullor qendra nuk është paraqitur, kurse në Bullgari ka votues, të cilët kanë nevojë për një përfaqësi të tillë. Po vëzhgohet gjithashtu një votë e fuqishme nacionaliste, që nuk është kompliment për një shtet evropian, sepse këto parti arrijnë të fitojnë votën e protestës, duke premtuar gjëra të pamundshme. Kjo gjithashtu do të çojë në pakënaqësi. Kështu për mendimin tim po krijohet një spirale të pjerrët dhe nuk kam parandjenja të mira, pas ngjarjeve të fundit gjatë fushatës paraelektorale. Këto janë zgjedhje pa shpresë.”
Monitorimet në ditën e zgjedhjeve të Asociacionit “Transparencë pa kufij” konstatojnë prova serioze për t’u ndikuar mbi votuesit. “Siç gjatë 2009-ës dhe 2011-ës, kontrollimi i votës është tri katër herë më shumë, sesa blerja e votave – komenton Antonij Gëllëbov. – Shkeljet kryesore janë ato administrative, të lidhura me veprimtarinë e komisioneve zgjedhore rajonale.” Mirëpo sipas tij nuk ka shkelje drastike, të cilët ta vënë nën dyshim legjitimitetin e votimit. Analizatori prognozon mungesë stabiliteti politik për një periudhë të gjatë. “Pyetja e madhe është a mund të arrihet pajtim midis këtyre formacioneve politike rreth një numri të vogël prioritetesh – 3 ose 4, rreth një programi qeveritar, i cili të jetë maksimalisht i shkarkuar nga parapëlqimet politike. Kjo do të ishte çështje e një procesi shumë serioz bisedimesh. Për fat të keq nuk disponojmë një përvojë të gjatë pozitive në këtë drejtim. Kemi vetëm një shembull që nga viti 1997, kur midis Forcave të Bashkuara Demokratike dhe koalicionit rreth Partisë Socialiste Bullgare u arrit pajtim rreth së ashtuquajturës “Deklaratë nga 4 shkurti për 4 prioritetet kombëtare”. Tani për tani ky është shembulli i vetëm, i cili tregon se partitë politike në vend janë në gjendje të përpunojnë një rend të përbashkët të ditës, i cili të miratohet dhe të ndiqet nga të gjithë. Aktualisht partitë politike ndodhen para një sfide të tillë. Në rast të kundërt po ecim drejt një situate, në të cilën duhet të zhvillohen zgjedhje të reja. Sfida tjetër politike është me sa formacionet politike, të cilat nuk do të hyjnë në këtë Parlament, janë gati për t’i dhënë një kuptim të ri paraqitjes së vet në zgjedhjet e ardhshme. Unë mendoj se po të ketë zgjedhje të ardhshme parlamentare, në të do të marrin pjesë më pak parti politike, të cilat do të kenë arritur pajtim në kuadrin e hapësirave të tyre politike. Shpresoj se po të ketë zgjedhje të ardhshme parlamentare, ato do të çojnë në formimin e një parlamenti më të fuqishëm. Por tani për tani jemi në vetë fillimin e këtij procesi.”
Çfarë do të jetë konfigurimi politik – kjo është pyetje “për një milion dollarë”, e cila në këtë etapë nuk ka marrë përgjigje, komenton situatën politike bankieri Levon Hamparcumjan: “Më e rëndësishmja është formimi i një mjedisi të qëndrueshëm për sipërmarrësit. Në Bashkimin Evropian ka liri të lëvizjes së kapitaleve dhe të njerëzve, kështu qe në qoftë se sipërmarrësi dhe kapitali nuk ndihen mirë, atëherë shkojnë diku tjetër. Kuptohet, kjo duhet të jetë në përputhje me kërkesat e njerëzve për të ardhura më të mira, por së pari duhet t’i fitojmë paratë dhe pastaj t’i shpërndajmë. Tani për tani nuk ka aspak rrezik për investimet e huaja. Mirëpo, siç e dini, Ballkani nuk gëzon popullaritet të madh në botë, kështu qe ne duhet të jemi tri herë më të suksesshëm, që të tërheqim vëmendjen e të tjerëve.”
Në historinë më të re të Bullgarisë pas vitit 1989 për herë të parë partia e deritanishme në pushtet fiton përsëri besimin e shtetasve. Mirëpo rezultati i zgjedhjeve nuk është i mjaftueshëm, që të formohet një qeveri e fuqishme. Gjatë natës pas zgjedhjeve në një njoftim drejtuar mediave partia GERB shpalli se do të komentojë vetëm rezultatet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në këtë mënyrë shtroi shumë pyetje për qëllimet e saj. Më herët Krasimir Vellçev, bashkëkryetari i grupit parlamentar të partisë GERB, tha për Radio Bullgarinë se GERB nuk ka refuzuar kurrë idenë e një qeverie programore, madje të një qeverie të pakicës me përkrahjen formale të “Atakës”: “Ne kemi deklaruar shumë herë se për ne Bullgaria ka qenë dhe duhet të mbetet pjesë e Evropës. Gjersa sa i përket “Atakës” situata është më e ndryshme. Kemi dallime gjithashtu në fushën e energjetikës bërthamore, si dhe sa u përket disa temave të tjera. Prandaj do të nënvizoj se nuk është lehtë të themi qartë “do të bëjmë koalicion me këtë, ose atë parti”, sepse në politikë mund të ndodhë gjithçka.”
Mirëpo lideri i Partisë Socialiste Bullgare, e cila është në vend të dytë sipas votimit të zhvilluar, deklaroi se varianti “qeveri e pakicës” nuk mund të zhvillohet në situatën e tanishme dhe deklaroi gatishmërinë e vet për të ndërmarrë përgjegjësinë në formimin e qeverisë: “Qeveria e vetme e mundshme është qeveria programore e përgjegjësisë, e shpëtimit kombëtar, me pjesëmarrjen e fuqishme të ekspertëve, me një program të qartë dhe transparent për të gjithë njerëzit, i cili mund ta tërheqë vendin nga kriza – tha lideri i Partisë Socialiste Bullgare Sergej Stanishev gjatë konferencës së shtypit pas zgjedhjeve. – Ne kemi deklaruar shumë herë se nuk mund të formojmë një koalicion me GERB. Kjo do të ishte një tradhti morale ndaj kauzës sonë, ndaj të gjitha veprimeve tona gjatë disa viteve të fundit, ndaj njerëzve, të cilët na përkrahën në këto zgjedhje. Po fillojmë bisedime dhe konsultime të ngutshme me formacionet politike, në vend të parë me dy forcat e paraqitura në Parlament, për karakterin e qeverisë dhe për programin e saj. Ne do të ndërmarrim përgjegjësinë rreth formimit të një qeverie nëpërmjet dialogut dhe me forca të tjera politike, të cilat morën një përkrahje të konsiderueshme, por nuk arritën të hyjnë në Parlament. Do të bisedojmë gjithashtu me shoqërinë civile bullgare, me sindikatat, punëdhënësit, organizatat joqeveritare. U angazhuam me formimin e një forumi parlamentar civil, i cili të startojë pasi fillon puna e Parlamentit të ri. Ka nevojë për një kontroll nga ana e qytetarëve mbi punën e institucioneve, që të fillojë rimëkëmbja e besimit. Ne tashmë disponojmë masat e para urgjente afatmesme, që duhet të realizohen nga qeveria e ardhshme.”
“Situata në vend kërkon nga forcat e para politike gjetjen e shpejtë të formulës së qeverisjes së qëndrueshme të vendit – është i mendimit lideri i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, z. Ljutvi Mestan. – Udhëheqja në kuadrin e Legjislaturës së 42-të të Kuvendit Popullor do të jetë e qëndrueshme, në qoftë se janë zbatuar disa premisa. Së pari kabineti duhet të ketë një përkrahje të gjerë politike. Mirëpo kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Premisa tjetër është përkrahja e shoqërisë. Kjo do të thotë se një kabinet eventual njëpartiak i pakicës, ose një kabinet koalicioni nuk kanë perspektivë. Ne flasim për një formulë tjetër – të pajtimit të gjerë politik, me përkrahjen e ekspertëve. Më e rëndësishmja që desha të nënvizoj është se kabineti i ardhshëm duhet të paraqesë interesat e atyre shtetasve bullgarë, të cilat nuk kanë përfaqësi të tyre parlamentare. Lëvizja për të Drejta dhe Liri nuk do të vështirësojë, përkundrazi, do të lehtësojë procesin e gjetjes së këtij pajtimi të gjerë politik. Në të njëjtën kohë është e qartë se nuk mund të ketë përkrahje ndaj GERB nga ana e Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, madje në qoftë se kjo forcë politike zë vendin e parë pas numërimit përfundimtar të buletineve.”
“Nuk i sheh mënyrat sipas të cilave të formohet një qeveri funksionuese – ishte kategorik lideri i “Atakës”, z. Volen Siderov. – Problemet më të rëndësishme dhe të ngutshme, të cilat duhet të zgjidhen janë lidhur me të ardhurat e njerëzve, me rimëkëmbjen e mundësive tona industriale, me rikthimin në duart bullgare të gjithçkaje që kemi pasur, me krijimin e kapaciteteve të reja dhe të teknologjive të larta, me zhvillimin e referendumeve mbi të gjitha çështjet e rëndësishme. Bullgari duhet të shpallë mendimin e vet mbi të gjitha çështjet e rëndësishme. “Ataka” është për zhvillimin e referendumeve për të gjitha çështjet e rëndësishme, referendume të cilat të iniciohen jo me 500 mijë nënshkrime, siç ishte deri tani, por me 50 mijë dhe vendimi i popullit të jetë i detyrueshëm për Kuvendin Popullor, për qeverinë. Kështu është në Zvicër – një vend demokratik me standard të lartë të jetesës, i cili nuk është anëtar i BE-së. Atje referendumet janë pjesë e politikës dhe e një kontrolli të vërtetë civil. Atëherë nuk do të ketë rëndësi se cila parti ose cili koalicion janë në pushtet, sepse ata do të jenë nën presionin e opinionit publik.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: BGNES
“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..
Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..