Bashkimi i Bullgarisë Veriore me atë jugore më 6 shtator të vitit 1885 është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Bullgarisë së re. Ky është një hap i suksesshëm në realizimin e programit kombëtar-bashkues të bullgarëve, vazhdim i revolucionit tonë kombëtar. Vetëm tetë vjet pas Çlirimit nga zgjedha turke në vitin 1878 bullgarët në dy anët e Ballkanit guxuan ta shkelin Traktatin e Berlinit të Fuqive të Mëdha, duke treguar me patriotizëm të flaktë pjekurinë e tyre politike dhe vullnetin e tyre të madh për një zhvillim të lirë.
Shteti bullgar është krijuar në shekullin e VII dhe ka një traditë të gjatë historike. Mirëpo për shkak të zgjedhës pesëshekullore turke në trojet tona, procesi i formimit të kombit bullgar përfundoi gjatë viteve 70 të shekullit të XIX. Ky proces përfshin zhvillimin ekonomik, krijimin e kulturës bullgare mbi bazën e gjuhës unike bullgare, luftërat për kishën dhe shtetin e pavarur, krijimin e vetëdijes bullgare dhe të përkatësisë në një bashkësi. Kuptohet, kufijtë e krijuar historikë dhe gjeografikë të kombit tonë përfshijnë trojet e Bullgarisë Veriore që nga Deti i Zi deri në Nish, të Trakisë e gjer te bregdeti i Egjeut, të Maqedonisë deri në Ohër, Debër dhe Struga. Si rezultat i luftërave çlirimtare kombëtare, i kryengritjes heroike të Prillit nga viti 1876 dhe i Luftës Çlirimtre Ruso-Turke nga vitet 1877-1878, Bullgaria u çlirua, kurse me Traktatin e paqes që u nënshkrua më 3 mars 1878 në San Stefano afër Stambollit, ajo u rimëkëmb në pothuaj të njëjtit kufij.
© Foto: arkiv
Mirëpo, Fuqitë e Mëdha nën ndikimin e interesave të tyre politike dhe qëllimeve egoiste, nuk miratuan këta kufij shtetërorë. Kështu, në Kongresin e Berlinit gjatë muajit korrik të vitit 1878, ato morën një vendim shumë të rëndësishëm për popullin bullgar dhe për të ardhmen e Gadishullit Ballkanik. Në përputhje me traktatin e nënshkruar kombi bullgar u nda për nga territori në pesë pjesë: trojet në Bullgarinë Veriore, bashkë me Prefekturën e Sofjes, u shpallën Principatë e lirë, por vasale e sulltanit. Territori i Bullgarisë Jugore, me emrin Rumelia Lindore, mori statusin e provincës turke, me një autonomi administrative. Maqedonia dhe krahina e çliruar e Trakisë së Edrenesë u kthyen në Perandorinë Osmane. Mbretëria e Serbisë mori territoret rreth Pirotit, Nishit dhe Vranjës, kurse Mbretëria e Rumanisë mori Dobruxhën e Veriut.
Traktati i Berlinit u nënshkrua nga burrat e shtetit të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane. Në fakt Traktati i Berlinit shkel të drejtën e vetëpërcaktimit kombëtar të çdo një populli dhe lind problemin e çlirimit të plotë dhe bashkimit të të gjithë bullgarëve në kuadrin e një shteti unik dhe të lirë. Për zgjidhjen e këtij problemi populli bullgar zhvillonte luftëra në vazhdim të disa dekadave. Rruga e tyre do të mbahet mend me Kryengritjen e Kresnës dhe Razllogut (1878), me aksionet e VMRO-së, me Kryengritjen e Ilindenit (1903), me luftërat për çlirimin dhe bashkimin kombëtar (1912-1913) . Faktikisht lufta e popullit bullgar për arritjen e idealit kombëtar u kurorëzua me sukses për herë të parë pikërisht më 6 shtator të vitit 1885, kur u realizua Bashkimi i Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore.
Megjithëse sipas Traktatit të Berlinit Rumelia Lindore ishte në një pozitë më të favorshme, në krahasim me trojet e tjera të paçliruara, Bashkimi ishte synimi i madh i partive politike, tema kryesore e shtypit dhe shkaku për veprimet patriotike të shoqatave të refugjatëve etj.
© Foto: arkiv
Udhëheqja e Komitetit të Fshehtë Qendror Revolucionar (i dyti nga e majta në të djathtas – Zahari Stojanov)
Më 10 shkurt të vitit 1885 në Plovdiv u krijua një komitet i fshehtë, me kryetar Zahari Stojanov – autori i “Shënimeve për kryengritjen e Prilit”, publicisti dhe apostull i Kryengritjes së Prillit. Qëllimi i parë i komitetit ishte luftimi për çlirimin e Maqedonisë dhe për bashkimin e tërë popullit bullgar. Disa muaj më vonë, mbi bazën e një analize realiste të gjendjes së pafavorshme ndërkombëtare dhe të mundësive tona, Komiteti Qendror Revolucionar i kufizoi veprimet e veta në përgatitjen e bashkimit të Bullgarisë Veriore me atë jugore, nën skeptrin e princit Aleksandër I Batenberg. Komiteti Qendror Revolucionar Bullgar zhvilloi një veprimtari të madhe organizative. Më 28 maj 1885 u botua numri i parë i gazetës “Borba” /“Lufta”/ të Zahari Stojanovit – një gazetë e vogël, me një qëllim të madh dhe të qartë – propagandimi i Bashkimit. Dhe gazeta “Borba” në të vërtetë u bë flamuri i betejës.
Më 6 shtator 1885 Komiteti Qendror Revolucionar Bullgar në Plovdiv, me përkrahjen e ushtrisë dhe shoqërisë, shpalli Bashkimin e Rumelisë Lindore me Principatën Bullgare. Kryeprefekti Gavrill Krësteviç u rrëzua nga pushteti si shenjë se provinca shkëputet nga ndikimi i Perandorisë Osmane. Më 8 shtator princi Aleksandër I Batenberg njohu zyrtarisht Bashkimin, duke rënë dakord që këtej e tutje të mbajë titullin “Princ i Bullgarisë Jugore dhe i asaj Veriore”.
© Foto: muzeini-relikvi.net
Pa dyshim Bashkimi u miratua nga të gjithë bullgarët, por preku drejtpërsëdrejti interesat e Turqisë, duke shkelur në mënyrë drastike Traktatin e Berlinit. Shtetet evropiane e dënuan këtë akt bullgar dhe asnjë prej tyre nuk shpalli përkrahjen e tij kategorike. Më e pakënaqur ishte Rusia, sepse Bashkimi u shpall pa miratimin e saj. Mirëpo pozita e saj negative formoi mendimin e kundërt të Anglisë, e cila nga ana e vet përfitoi nga mundësia për të dobësuar praninë ruse në Bullgari. Kështu qeveritë evropiane morën vendim për ta diskutuar çështjen bullgare në konferencën e ambasadorëve në Stamboll.
Gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit 1885 qeveria e Petko Karavellovit zhvilloi një veprimtari të shumanshme për forcimin e procesit bashkues, por nuk arriti të parandalojë luftën. Serbia, e cila nuk përkrahte Bashkimin, i shpalli luftë Bullgarisë. Më 2 nëntor 1885 ushtria serbe, nën komandën e mbretit Milan, hyri në territorin bullgar. Të njëjtën ditë, me një manifest të posaçëm, princi Aleksandër I u bëri thirrje bullgarëve për të mbrojtur atdheun e tyre. Sulmi serb vazhdoi vetëm pesë ditë – gjatë këtyre ditëve trupat bullgarë u tërhoqën nga Bullgaria Jugore, që të mbërrijnë në frontin perëndimor. Dita vendimtare e luftës ishte 7 nëntori 1885 tek Slivnica, ku ushtritë bullgare shpartalluan divizionet serbe. Javën tjetër Serbia u detyrua të shpallë zyrtarisht se e ka humbur luftën.
© Foto: arkiv
Fitorja e bullgarëve fitoi respektin dhe admirimin e bashkësisë evropiane dhe e bëri të pamundur ndarjen e Bullgarisë Veriore nga Bullgaria Jugore. Më 24 mars 1886 ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll nënshkruan në pallatin “Tophane” një akt, sipas të cilit udhëheqja e Rumelisë Lindore iu dha princit bullgar. Në këtë mënyrë Bashkimi u njoh në mënyrë ndërkombëtare. Bashkimi i Bullgarisë kishte pasoja pozitive afatgjata për përparimin e ardhshëm politik, ekonomik dhe kulturor të Bullgarisë. Për bullgarët e sotëm Bashkimi është një shembull i shkëlqyeshëm se si me këmbëngulje dhe në saje të bashkimit të forcave të popullit, politikanëve dhe ushtrisë mund të realizohet një kauzë e madhe.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..
E quajnë Virgjëreshën e Shenjtë Nëna e Jetës së vërtetë, e cila me lutjet e saj shpëton shpirtrat e njerëzve nga vdekja. Ajo është më e dashura dhe më e lavdëruara pas Zotit, tek e cila të gjithë i drejtohen. Kisha e nderon atë më 15 gusht, Ditën e..
Dy kisha me emrin e Shën Nikollës ngrihen në një oborr në fshatin Vlladimirovo në rajonin e qytetit Montana të Bullgarisë Veriperëndimore. Njëra është ortodokse dhe tjetra katolike, gjysmë e rrënuar. Tempulli katolik u ndërtua në vitet 1422-1423 nga..