Koprivshtica është një qytezë piktoreske malore që ndodhet në rrëzat e malit Sredna Gora. Shtëpitë, rrugicat e shtruara me kalldrëm, çezmat dhe atmosfera e qytetit krijojnë përshtypje sikur je në të kaluarën. Jo rastësisht e quajnë Koprivshticën qytet-muze. Vetëm për një ditë këtu mund të vizitosh shtatë shtëpi të bullgarëve të shquar nga koha e Rilindjes, fatet e të cilëve janë lidhur ngushtë me luftërat e popullit bullgar për Çlirimin.
Sot këto shtëpi janë muze me ekspozita autentike. Shtëpia e Oslekovit, Muzeu i poetit Dimço Debeljanov dhe i shkrimtarit Luben Karavellov, shtëpitë e revolucionarëve Todor Kableshkov dhe Gjeorgi Benkovski, shtëpia e tregtarëve të pasur Lutov – të gjitha këto janë monumente të vlefshme të arkitekturës bullgare të asaj kohe. Turistët që frekuentojnë qytetin vizitojnë edhe kompleksin arkitektural “Shtëpitë e familjes Pallaveev” ku vazhdimisht janë hapur ekspozita të ndryshme përfshirë dhe të piktorëve bashkëkohorë bullgarë.
© Foto: BGNES
Shtëpia e Oslekovit
“Koprivshtica është shumë tërheqëse me natyrën dhe arkitekturën e saj në të gjitha stinët e vitit – tregon Elena Zheljazkova, guidë pranë Drejtorisë së Muzeve në qytetin Koprivshtica. – Qyteti është me histori aq të pasur se vështirë mund të përmendet gjithçka. Njerëzit interesohen për personalitetet që kanë lindur këtu, për arkitekturën e qytetit, por më shumë për ngjarjet që kanë ndodhur këtu. Me gjithë krizën ekonomike Koprivshtica vizitohet nga shumë turistë, që mbeten të mahnitur nga bukuria dhe historia e pasur e qytetit. Përpara ca kohe një mik nga Amerika na shkroi, se në qoftë se ky qytet do të ishte në SHBA, atë do ta vënin nën një kapak qelqi, sepse në të ka shumë gjëra të çmuara. Në kohën e tubimit folklorik që organizohet në lëndinat afër qytetit këtu mblidhen njerëz të dhënë pas këngëve dhe valleve popullore. Çdo vit në fund të prillit në qytet rikrijohen ngjarjet e lidhura me shpërthimin e Kryengritjes së Prillit në vitin 1876 dhe atëherë në atmosferën e qytetit dominojnë emocionet patriotike. Në qytet kemi dhe dy muze etnografike – Shtëpia e Oslekovit dhe Shtëpia e Lutovit. Ndërtesat janë nga koha e Luftës së Krimesë (1853-1856), me arkitekturë shumë të bukur dhe me vizatime interesante mbi mur. Në këto muze frekuentuesit njihen me mënyrën e jetesës në Koprivshticën e Rilindjes. Në qytet mbahet mend dhe kujtimi për fiset e mëdha vendase që kanë dhënë shumë për zhvillimin e qytetit siç janë fiset Moravenov, Çipev, Çomakov, Kableshkov, Karavellov. Disa prej trashëgimtarëve të tyre ende banojnë në qytet.”
© Foto: koprivshtitza.com
Shtëpia e revolucionarit të madh bullgar Todor Kableshkov
Mbi një shkëmb të madh mbi lumin Asenica ngrihet një kështjellë e paarritshme për armiqtë. Aje lartë mbi shkëmbinjtë e shqiponjave, fortesat e veta i kanë ngritur trakët, romakët, bizantinët, njerëzit e ardhur nga pjesa perëndimore e Evropës,..
Pranë njërit prej burimeve karstike të Devnjes në provincën romake Mizia e Poshtme (Moesia inferior) është ndalur perandori Trajan (Marcus Ulpius Trajanus, 98- 117г.) me ushtrinë e tij. Motra e tij Marcija ka dërguar shërbyesen të sjellë ujë , por..
Gjatë vitit 2000 arkeologu dr. Georgi Kitov dhe ekipi i tij zbuluan kodërvarrin Roshava Çuka afër fshatit Aleksandrovsko të rrethit të Haskovos, një varrezë trake nga shekulli i V para Krishtit, e cila bën përshtypje me arkitekturën e jashtëzakonshme..