Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të mos jesh refugjat

Foto: Maria Dimitrova-Pisho

Të mos jesh refugjat në këtë botë... Miliona refugjatë endin nëpër planetin tonë duke kërkuar një vend më të mirë për të jetuar. Për shkak të rrethanave refugjati mbështetet te zemra e mirë e atyre që kanë shtëpi dhe atdhe të vet. Por ajo, të cilën bota mund t’ia ofrojë refugjatit nuk mjafton. Fluksi i madh refugjatësh nga Siria, sidomos nga gushti e deri më sot e gjeti Bullgarinë të pa përgatitur. Kushtet, të cilat Bullgaria u ofron 11 mijë imigrantëve, që kanë kaluar kufirin ilegalisht, janë shumë larg kushteve normale të jetesës. Kampet e refugjatëve janë plot e përplot, kushtet e jetës janë shumë të rënda dhe disa prej refugjatëve tashmë u vjen keq se kanë ikur nga atdheu i tyre. Të tjerët presin me padurim të marrin status refugjati dhe të ikin në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian.

Refugjatët që janë akomoduar në ish konviktin studentor në Lagjen e Sofjes “Ovça Kupel” mund të konsiderohen me fat. Të paktën kanë çati mbi kokë dhe çdo familje “disponon” me një dhomë të veçantë, ndryshe nga refugjatët që flenë në ish shkolla dhe në godina të tjera të përshtatura për këtë. Këtë e rrëfen zonja Lama nga Siria, nënë e katër fëmijëve. “I falënderojmë qeverisë bullgare se na pranoi. I jemi shumë, shumë mirënjohës”, thotë ajo dhe s’i mban dot lotët.

Një grup palestinezësh të rinj kanë halle të tjera. Ata pothuaj e kanë humbur shpresën se dikur do të marrin status të refugjatëve dhe tashmë tre herë kanë bërë përpjekje të kota të kalojnë në Rumani. Ëndërrojnë të shkojnë në Suedi, ose të paktën në Gjermani. “S’kemi para, s’ka punë, s’ka ujë të ngrohtë, kurse jashtë është e ftohtë e të lagët. Mbaruam parat dhe tashmë çdo gjë është problem”, tregon njëri prej tyre.

Nga njëri prej kampeve më të mira të refugjatëve në Sofje shkojmë në kampin me probleme më të mëdha – atë në qytetin Harmanli, Bullgari Juglindore, në afërsi me kufirin me Turqinë, nga vjen dhe fluksi i imigrantëve. I hapur në fillim të gushtit me urgjencë, ai u përmbush qysh para se të përfundojë meremetimi. Kampi në fjalë duhej të ofronte kushtet më të mira – furgona banimi për një familje me banjë dhe kuzhinë brenda, me ujë të ngrohtë dhe ngrohje qendrore për 430 veta. Aktualisht në kamp janë akomoduar afro 1300 refugjatë, shumë prej të cilëve banojnë në tenda, pa ujë, elektricitet dhe ngrohje. Tani po punohet me ngulm për riparimin e ish godinës së kazermës, ku të transferohen njerëzit nga tendat. Brenda 10 ditëve duhet të jetë gati. Në kampin e Harmanlisë ka 300 fëmijë dhe nja njëzet gra me barrë. Në bisedën me azilkërkuesit më shpesh dëgjohet fjala arabe “mafi”, që do të thotë “nuk ka”.

Erdhëm në kamp njëkohësisht me dy institucione bamirëse me dhurata. Kisha protestante dhe Shoqata “Samaritane” nga qyteti Stara Zagora u kanë sjellë njerëzve veshmbathje dhe kanë çuar dhe dy mjekë pediatër, qe të vizitojnë fëmijët. Disa prej tyre janë transportuar në Spitalin e Harmanlisë me sëmundje të lehta. Vullnetarët shkojnë në qytet për të blerë ilaçet e nevojshme. Një mjek palestinez, që ka kryer studimet dhe aktualisht jeton në Bullgari i ndihmon kolegët e tij me përkthim.

“Shumica prej fëmijëve kanë kollë, bronkit dhe rrufë, pothuaj të gjithë janë me çrregullime të barkut – tregon mjeku palestinez. – Erdhëm për të ndihmuar, sipas mundësive tona, sepse këtu është një tragjedi e madhe. Sot bie shi, është e ftohtë, ndërsa kushtet e jetës mund t’i shihni vetë. Kushte të tilla në kampet e refugjatëve ishte në vitet 70 në Vietnam dhe në vitet 60 në Kamboxhë. Por kushte të tilla të jetës të ketë sot në një shtet evropian – ky është turp i madh”.

Diana Dimova

“Jam shumë e zemëruar – deklaron dhe Diana Dimova nga Shoqata “Samaritane”. – Për herë të tretë e vizitoj kampin dhe kushtet bëhen gjithnjë e më të keqe. Kushtet janë tronditëse, ndërsa natën temperaturat bien nën minusin. Nëse gjërat nuk do të ndryshohen mund të presim dhe raste të vdekjes. E kemi të qartë, se me mbi 10 mijë refugjatë s’mund t’i zgjidhim problemet lehtë, por ende s’kemi parë ndonjë plan të qartë, ka vetëm kaos të plotë. Më vjen keq për nëpunësit e Policisë dhe të Shërbimeve Sociale në qytet, që përpiqen vullnetarisht t’i ndihmojnë këta njerëz, por edhe atyre nuk u mjaftojnë forca dhe financa.”

I zemëruar është edhe drejtori i kampit Zheljo Zhelev, sepse në një rebelim para kohe refugjatët kanë shkatërruar një pjesë prej banjave të reja në furgonat, duke menduar, se kështu më shpejt do t’i transferojnë në ndonjë shtet tjetër, me kushte më të mira.

A nuk e ndjeni veten të braktisur nga qeveria?

“Unë mendoj, se jemi braktisur nga Evropa, jo nga qeveria – përgjigjet z. Zhelev. – Qeveria kryen punën e vet, por kapaciteti i Bullgarisë është i vogël. Njerëzit vendas gjithashtu janë varfër dhe vetë ata emigrojnë në shtetet evropiane. Na duhen para qe të mund të ofrojmë refugjatëve cilësinë e duhur të jetesës. Si edhe resurse njerëzore, që janë duke u sosur.”

Përktheu: Gyulka Ilieva
Fotografi: Maria Dimitrova-Pisho

По публикацията работи: Maria Dimitrova-Pisho


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria bëri ekzaminime parandaluese për bullgarët në fshatin shqiptar Pustec

Një ekuipazh në detyrë i avionit C-27J "Spartan" nga Baza Ajrore “Vrazhdebna” siguroi transportin ajror nga Sofja në Tiranë të Shqipërisë, të një ekipi mjekësor të përbërë nga specialistë të ndryshëm mjekësorë dhe pajisjet e tyre. Këtë të shtunë dhe..

botuar më 24-10-21 3.48.MD

Një shoqatë e re, një shpresë e re për njerëzit e rajonit të Gollobordës

Data 24 shtator shënoi krijimin e një shoqate të re bullgare në Shqipëri “Shoqata për Identitetin Bullgar” . Ajo u regjistrua sipas legjislacionit shqiptar në qytetin e Tiranës me drejtues Besim Muça.    Besimi ka lindur në fshatin Orzhanovë..

botuar më 24-10-21 3.10.MD

Me një “Festë e dinozaurëve për fëmijë ” mbledhin fonde për Qendrën e Shpëtimit të Breshkave

Një shfaqje argëtuese "shkencë" për fëmijët iu kushtohet dinozaurëve. Ajo do të mbahet për një qëllim bamirësie - në mbështetje të Qendrës së Shpëtimit të Breshkave në fshatin Banja pranë zonës së mbrojtur të Detit të Zi Irakli. Kodi i veshjes..

botuar më 24-10-20 9.10.PD