Boris Mashallov lindi më 30 janar të vitit 1914 në qytetin Sevlievo, Bullgari Veriore, por repertori i tij përfshin këngë nga krahina të ndryshme folklorike të Bullgarisë. I ati i tij Nikolla ishte tregtar, udhëtonte shumë dhe mësonte këngë më të ndryshme. Nëna e Borisit gjithashtu kishte një zë të bukur dhe e donte këndimin. Këtë dashuri ndaj muzikës e trashëguan edhe gjashtë fëmijët e tyre, ndër të cilët kishte vetëm një vajzë. Problemet financiare në biznes e detyruan familjen për t’u shpërngulur në Sofje. Meshkujt u bënë bojaxhinj, kurse në fillim të viteve 30 të shekullit XX Boris u regjistrua në Klubin e mundësve – amatorë, duke shënuar mjaftë fitore te ne dhe jashtë. Gjatë shërbimit ushtarak i riu ishte detar. Edhe në det talentet e tij të ndryshme i sollën një popullaritet të madh dhe të gjithë e donin. Në fund të dekadës së njëjtë Boris Mashallov vizitoi kryeqytetin çek, që të incizoi këngë të njohura për një firmë bullgare gramafoni. Që të reklamojnë plakët e gramafonit, pronarët organizuan një koncert të improvizuar në të hapur. Këngëtari interpretoi një pjesë prej programit, kurse në fund – këngën e dashur popullore të babait të tij. Publiku mbeti i mahnitur. Atëherë një njeri elegant iu afrua Boris Mashallovit dhe u prezantua – Sirak Skitnik, drejtori i Radio Sofjes, sot Radioja Kombëtare Bullgare. Me ftesë të tij këngëtari 23 vjeçar filloi pjesëmarrjet e veta në programet e radios, vetëm me këngë popullore.
“Kam lindur pasi emnaku im i njohur nuk ishte ndër të gjallët. Për mua ai ishte zëri i radios, si dhe heroi në historitë e gëzueshme, të cilët i rrëfente babai im dhe vëllezërit e tij.” Këto janë fjalë të Boris Mashallovit – nipi i këngëtarit. Ja se çfarë tjetër na tregon ai: “E dëgjoj muzikën e tij, jo për shkak të lidhjes sonë fisnore, por sepse vërtetë më pëlqen, e kuptoj. Mendoj se kjo mund të thuhet për të gjithë adhuruesit e Mashallovit – këngët e tij janë të bukura, të pushtojnë zemrën. Në fisin tim ka disa veta me emrin e tij. Vëllezërit e Boris Mashallovit – Dimitër dhe Serafim, ia kanë vënë këtë emër djemve të tyre. Nipi i Boris Mashallovit, i cili banon në SHBA, gjithashtu e ka emrin e gjyshit të tij të madh. Në familjen e gjyshit tim të gjithë e donin shumë muzikën. Pasioni i tyre tjetër ishte mundja. E trashëguan edhe vëllezërit e mi, si dhe disa prej kushërinjve të mi. Unë vete merresha në mënyrë profesionale me këtë sport. Isha kampion republikan, i dytë në Ballkaniadë etj. Mihaill, babai im, është një prej themeluesve të seksioneve sportive të mundjes në Bullgari. Ai është dhe gjyqtari i parë ndërkombëtar te ne. Vëllezërit dhe halla ime takoheshin shpeshherë dhe duke dëgjuar në radio ndonjë këngë të Borisit, menjëherë këmbenin kujtime të bukura për të.”
Bashkë me grupet e formuara nga Ministria e Kulturës Boris Mashallov ka udhëtuar në mbarë Bullgarinë. Tregojnë se kudo publiku e ka pranuar shumë mirë, jo vetëm te ne, por edhe jashtë – në Gjermani, Francë, Hungari, Itali, në vendet e ish Jugosllavisë dhe të ish Bashkimit Sovjetik, në Shqipëri dhe Kinë. Në Bullgari ka shumë pasues të Mashallovit. Një prej tyre është Anna Borisova, e cila organizon konkursin folklorik “Bilbilat e Veriut” në Veliko Tërnovo. Një pjesë e rregullores së edicionit të parë të konkursit ishin këngët e interpretuara nga Boris Mashallov.
“Interesi im ndaj krijimtarisë së Bilbilit të Veriut lindi që në fëmijërinë time të hershme, para se të filloj karrierën time profesionale. Interpretova disa këngë të tij në provimet e pranimit për Shkollën Kombëtare të Arteve “Panajot Pipkov” në qytetin e Plevenit. Më pëlqejnë shumë këngët “Bërtiti Nikolla”, “Tingëllon, tingëllon, o Ganke” dhe kënga-emblemë “Blegëriti qengji”, të cilën e incizova para pak kohe.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Muzikanti legjendar i rock-ut dhe vokalist i “Rainbow” dhe “Deep Purple” Joe Lynn Turner zgjodhi yllin tonë të muzikës pop Maria Ilieva si partnere në duet në këngën e tij të fundit. Në këngën “Përgjithmonë”, si kompliment për publikun bullgar, ka një..
Më 9 nëntor, një nga sallat e Ansamblit Folklorik “Trakia” në qytetin e Plovdivit (Bullgaria Jugore) do të mbledhë talentë të rinj për master klasën tradicionale “Me këngët e Kiçka Savovës”. Ngjarja organizohet nga fondacioni “Kiçka Savova”, kryetare e të..
Violinistja Iskrena Jordanova prej tridhjetë vitesh jeton në Lisbonë. Gjithçka që ajo bën si muzikante është e lidhur me muzikën barok. Një pjesë të madhe të kohës ia kushton zbulimit të dorëshkrimeve të lashta, të cilave u jep jetë me ansamblin e saj..
Një grup yjor dhe një këngëtar yjor u bashkuan për të ringjallur një këngë të shkruar gati një çerek shekulli më parë. D2 dhe Grafa incizuan këngën e..