A ëndërrojnë kozmonautët kështu siç ëndërrojnë njerëzit e tjerë? Përgjigja pozitive e kësaj pyetje nuk erdhi shpejtë dhe lehtësisht. Kjo u bë në vitin 1988 në kuadrin e programit shkencor “Shipka”, të cilin kozmonauti bullgar Aleksandër Aleksandrov e zbatoi në bordin e Stacionit të Hapësirës “Mir” gjatë kohës së misionit të tij kozmik 10 ditor.
Ja se çfarë kujton kozmonauti: “Një nga eksperimentet më të suksesshme ishte “Son-K”. Objekti i tij ishte gjymi i kozmonautëve dhe mundësia për rigjenerim gjatë kohës së gjumit në Kozmos. Provuam se gjatë kohës së fluturimit në Kozmos ekzistojnë të njëjtat tri faze të gjumit, siç është në Tokë – gjumë të thellë, gjumë të cekët dhe gjumë para zgjimit. Përfundimi ishte se gjatë kohës së fluturimit të gjatë në Kozmos kozmonautët mund të rimëkëmben plotësisht dhe pastaj mund të punojnë normalisht.”
Më 7 qershor 1988 në orën 18.03 tërë Bullgaria përjetoi diçka të pabesueshme – anija kozmike “Sojuz TM 5” doli me sukses në hapësirën rreth Tokës me një ekuipazh prej tri vetave: kozmonauti-studiues bullgar Aleksandër Aleksandrov, komandanti i fluturimit Anatolij Solovjov dhe inxhinieri Viktor Savinih. Këtë herë, ndyshe nga fluturimi i parë dramatik në Kozmos i bullgarit Georgi Ivanov, misioni i Aleksandër Aleksandrovit ishte krejt i suksesshëm. Këto janë fjalët astronautit të lindur në qytetin Omurtag (Bullgari Veriore) disa minuta para fluturimit:
“Krenohem me këtë se atdheu im, bashkë me shtetet socialiste merr pjesë në zbatimin e këtij programi për studimin e hapësirës kozmike për qëllime paqësore. Për herë të dytë një shtetas i Republikës Popullore e Bullgarisë do të marrë pjesë në një fluturim të përbashkët me kozmonautët sovjetikë, në një mision i cili është simbol i miqësisë së përjetshme dhe të pathyeshme bullgaro-sovjetike. Fluturimin tim në Kozmos ia kushtoj përvjetorit të 110-të të Çlirimit të Bullgarisë nga pushteti osman dhe përvjetorit të 44-të të fitores së revolucionit socialist në shtetin tonë.”
Më 9 qershor 1988 anija arriti stacionin kozmik të hapësirës “Mir”, ku Aleksandër Aleksandrovi kreu të gjitha 56 eksperimentet e planifikuara me 9 pajisje të posaçme – të gjithat të përpunuara nga shkencëtarë dhe specialistë bullgarë në kuadrin e programit “Shipka”.
“Në bazë të fluturimit ishte programi shkencor “Shipka”, i cili përfshinte eksperimente të ndryshme në fushat e fizikës kozmike, të mjekësisë dhe biologjisë kozmike dhe të teknologjive të ndryshme. Pajisjet ishin automatizuara dhe kjo lejonte që të zhvillonin eksperimente në kohë reale. Kishim mundësi të përsërisnim eksperimentet deri sa të arrinim parametrat e kërkuara dhe të zbatonim aq shumë eksperimente vetëm për 10 ditë. Kështu Bullgaria u bë një nga shtetet prijëse kozmike në botë – atëherë ishim në vend të shtatë ndër shtetet që zhvillonin studime kozmike.”
Më 17 qershor 1988 në orën 14,20 anija me tre kozmonautët zbriti me sukses në Kazakistanin Verior.
Duke shikuar nga distanca e kohës, mund të thuhet se fluturimi i dytë i një bullgari në Kozmos nuk ishte fryt falës i miqësisë bullgaro-sovjetike, por ishte në bazë të kompensimeve. D.m.th. aparatura e krijuar në Bullgari pas përfundimit të misionit mbeti në dispozicion të palës sovjetike. Një prej pajisjeve – dozimetri “Ljulin” edhe sot punon në hapësirë rreth Tokës, në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Kozmik.
Pjesëmarrja bullgare në këtë fluturim pati edhe çmimin e saj konkret – rreth 7 miliona leva. Shumë nga rezultatet e këtij programi kozmik po përdoren në Tokë. Për shembull pajisja “Pleven 87” edhe sot përdoret për përcaktimin e shpejtësisë së reagimeve të pilotëve, shoferëve dhe operatorëve në Centralin Bërthamor.
Fluturimi i anijes “Sojuz TM-5”, arritja e stacionit, eksperimentet në Kozmos dhe kthimi në Tokë – gjithçka kaloi siç ka qenë planifikuar. Bullgaria ishte në apogjeun e lavdisë së vetë kozmike. Fluturimi i Aleksandër Aleksandrovit është kulmi i fundit mbresëlënës i shtetit tonë para ndryshimeve të vitit 1989.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Irina nga filmi “Duhan”, Zhana nga “Inspektori dhe nata”, Liza nga “Vjedhësi i pjeshkave”, Ana nga “Karambol”, Tinka nga “Djali po ik” ... Dhe të gjitha ato personazhe të filmave bullgarë i rikrijoi Nevena Kokanova. Më se 50 janë rolet e saj në..
Më 9 shkurt të vitit 1999 në Bengazi pushtetet libiane ndaluan disa dhjetëra nëpunës mjekësorë, 23 prej të cilëve ishin bullgarë. Disa ditë më vonë shumica prej tyre ishin lejuar. Në burg mbetën infermieret bullgare Kristijana Vëlçeva, Nasja Nenova,..
Pas dështimit të qeverisë socialiste të kryeministrit Zhan Videnov, kabineti teknik në krye me zotin Stefan Sofijanski për një kohë të shkurtër arriti të qetësonte situatën social-politike dhe të rikthente besimin e institucioneve ndërkombëtare..