Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

1992: Filip Dimitrov – kryeministër “me pak, por përgjithmonë”

БНР Новини
Kabineti i Filip Dimitrovit
Foto: arkiv

“Detyra jonë është që ta bëjmë Bullgarinë një shtet normal, jo një shtet të përkryer. Për njeriun është diçka natyrore që të jetojë në një botë, në të cilën shteti nuk i kap atë për qafë, nuk përcakton punën e tij, nuk paracakton botëkuptimin e tij dhe nuk e mëson atë se si të jetojë. Kufijtë tanë janë strukturat evropiane.”

Këto janë fjalët e Filip Dimitrovit të thënë në një tryezë të rrumbullakët në vitin 1990. Një vit e gjysmë më vonë avokati, pak i njohur deri atëherë, u bë kryeministri i qeverisë së parë demokratike bullgare të Bashkimit të Forcave Demokratike.

Le t’i ndjekim ngjarjet para formimit të kësaj qeverie. Ashtuquajturi Kuvend i Madh Popullor, i cili mblidhet vetëm kur ka nevojë për ndryshime të Kushtetutës përpunoi Kushtetutën e re – diçka që provokoi shumë përçarje në opozitën blu, në të cilën kishte parti nga tërë spektri i hapësirës politike. Përveç kësaj në të gjitha partitë që formonin Bashkimin e Forcave Demokratike kishte agjentë të Sigurisë Shtetërore. Kryetari i atëhershëm i Bashkimit të Forcave Demokratike Petër Beron gjithashtu ishte akuzuar si agjent dhe kjo përforcoi akoma më shumë mosmarrëveshjet brenda Bashkimit. Ishte arritur një kompromis – për postin e kryetarit të zgjidhjet një njeri, i cili nuk ka qenë deputet, i cili nuk ka pretendime dhe mund të zëvendësohet në çdo një moment. Njeri i tillë ishte juristi Filip Dimitrov. Ai ishte në krye të Bashkimit më 4 nëntor të vitit 1991, kur Bashkimi i Forcave Demokratike fitoi zgjedhjet “Me pak, por përgjithmonë”. Fitorja nuk ishte mjaft e bindshme për krijimin e një qeverie të pavarur.

Filip DimitrovNë natën e zgjedhjeve Filip Dimitrovi u përgjigj pyetjeve të gazetares Rumjana Uzunova. Në përgjigje është i dukshëm stili karakteristik i kryeministrit që pastaj u bë stili i së folurës publike të historisë sonë më të re.

“Forca e tretë politike duket se do të jetë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë dhe në këtë situatë nuk mendoj se do të mund të formohet ndonjë koalicion produktiv pa pjesëmarrjen e Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë. A mendon Bashkimi i Forcave Demokratike të bëjë një koalicion të tillë?”.

“Zonja Uzunova, dua të them se sot mund vetëm të konstatojmë  situatën paszgjedhore. Akoma nuk dimë cilat janë partitë që do të hyjnë në parlament, nuk dimë pozitën e tyre në lidhje me një pjesëmarrje eventuale në qeveri. Por akoma një herë do të them se ne mbështetemi tek përkrahja parlamentare e Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë.”

Më 8 nëntor 1991 Bashkimi i Forcave Demokratike krijoi qeverinë e parë demokratike në Bullgari me përkrahjen e Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë të pakicës turke. Qeveria e re filloi reforma në ekonomi dhe përcaktoi drejtimin e politikës së mëtejshme të jashtme – orientimin euroatlantik dhe integrimin evropian. Më 15 janar 1992 Bullgaria u bë shteti i parë që e njohu pavarësinë e Maqedonisë. Gjatë gushtit të të njëjtit viti Filip Dimitrovi u bë kryeministri i parë bullgar që bëri vizitë zyrtare në Izrael – diçka që hapi dyert për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy shteteve.

Dhe në se mund të them se politika e jashtme e kësaj qeverie i kishte sukseset e veta, situata e brendshme ishte më e ndërlikuar. Ideja për hapjen e dosjeve ishte hedhur poshtë nga partneri i koalicionit. U përforcuan proceset e transformimit të pushtetit ekonomik në pushtet politik. Shumë ish sportistë krijuan firma duke vënë themelet e grupazheve gjysmë legale që i ndihmonin bankat të mbledhin parat e tyre nga borxhlitë e pastaj krijuan shoqëri sigurimi. Embargoja e armëve kundër ish Jugosllavisë krijoi kushte të përshtatshme për biznesin e tyre të paligjshëm. Në këtë situatë qeveritarët duhej zgjidhur problemet e privatizimit në shtet dhe të restitucionit të pronave të sekuestruara nga shteti pas 9 shtetorit të vitit 1944. Armiqtë e këtyre proceseve demokratike ishin shumë të fortë dhe të organizuar – ata ndodheshin edhe brenda edhe jashtë parlamentit.

Më 4 shkurt 1992 plasi skandali që mbeti në histori me emrin “Ajo listë”. Lideri i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë Ahmet Dogan çoi në ambasadën turke 6 dokumente sekrete me emrat e 1300 nëpunësve dhe agjentëve të Shërbimeve të Sigurisë Shtetërore. Kjo u bë me ndihmën e Stojan Ganevit dhe Zhivko Popovit, i cili ishte ish zëvendësministër i punëve të jashtme i kohërave totalitare dhe një nga njerëzit më të afërm të Ljudmilla Zhivkovës – bija e diktatorit të rrëzuar komunist Todor Zhivkov. Dorëzimi i dokumenteve është dokumentuar nga Siguria Shtetërore. Veprimet e Ahmet Doganit ishin të paligjshme, por për shkak të frikës se ai mund të tërheqë përkrahjen e Lëvizjes së tij për qeverinë, anëtarët e Bashkimit të Forcave Demokratike morën vendim ta mbulonin rastin dhe ta shpallnin si provokacion nga ana e ish Sigurisë Shtetërore. Disa muaj më vonë Ahmet Dogani “falënderoi” partnerët e tij të koalicionit duke votuar kundër mocionit të besimit të kërkuar nga kryeministri Filip Dimitrov.

Ja se si Ahmed Dogani, dosja e të cilit të agjentit të ish Shërbimeve Shtetërore nga epoka e komunizmit ishte hapur nga Komisioni i Dosjeve në vitin 2007, shpjegoi këto ndodhi para gazetarit Asen Geshakov:

“Në Kuvendin Popullor grupi parlamentar i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë filloi të pranohej si një grup sateliti, i cili gjithmonë duhej të votonte në përputhje me pozitat e Bashkimit të Forcave Demokratike sepse nuk mund të votonte bashkë me Partinë Socialiste Bullgare (ish Partia Komuniste). Për këtë arsye ne reaguam kundër disa vendimeve të Bashkimit të Forcave Demokratike. U bë kështu që me pranimin e disa ligjeve të propozuara nga partnerët tanë të koalicionit, në fakt ne votuam kundër interesave të elektoratit tonë.”

Konferenca e njohur “Livadhet e Bojanës”Mirëpo ka disa ngjarje të rëndësishme, të cilat e bënë tradhtinë e grupit të Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë akoma më fatale për qeverinë. Më 30 gusht 1992 presidenti Zhelju Zhelev dha një konferencë shtypi të njohur si “Livadhet e Bojanës”, në të cilën akuzoi qeverinë se ajo u ka shpallur luftë mediave, sindikatëve, Kishës Ortodokse Bullgare dhe Institucionit të Presidentit. Pas kësaj konference Bashkimi i Forcave Demokratike u copëtua. Nga ajo dolën 23 deputetë që përkrahnin presidentin Zhelju Zhelev. Më 18 shtator agjenti i Sigurisë Shtetërore Brigadir Asparuhov – atëherë drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar, që ishte nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të presidentit, shpalli aferën me eksportin e armëve si ndihmë për Maqedoninë. Kundër kryeministrit nuk kishte prova se ka shkelur ligjet, por provokimi i radhës kundër tij përshpejtoi rrëzimin e qeverisë.

Kështu më 28 tetor 1992, kur Filip Dimitrovi kërkoi votim të mocionit të besimit me arsye morale, shumica e deputetëve nuk e përkrahën atë dhe ai u detyrua të jepte dorëheqje.

Pavarësisht nga tronditjet dhe vështirësitë që kishte, roli i qeverisë së parë të Bashkimit të Forcave Demokratike kishte një rol të konsiderueshëm për përcaktimin e rrugës së ardhshme të shtetit drejt ekonomisë tregtare, një rrugë, që e çoi Bullgarinë në anëtarësi në NATO dhe më vonë – në BE.

Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

2006 – Stefan Gruev – Bullgaria tjetër

Bullgaria tjetër – këta janë mijëra bullgarët, të shpërngulur jashtë shtetit pas grusht shtetit prosovjetik më 9 shtator të vitit 1944. Të shpërndarë nëpër tërë botën ata jetojnë me imazhin e atdheut, me të kaluarën e tij kontradiktore, me të tanishmen..

botuar më 15-10-24 10.25.PD

Viti 2005 – Zëri i mijëvjeçarit – Gena Dimitrova

Në një letër të vet Xhuzepe Verdi shkruan: “Mos e mësoni këngëtarin si të këndojë. Në se ai e ka talentin, ai e di si”. Dhe sikur ato fjalë janë të thënë pikërisht për këngëtaren Gena Dimitrova – ylli operistik bullgar, i cili i pushtoi skenat botërore..

botuar më 15-10-17 11.35.PD

Viti 2004 – Magjistari i fjalës nga Kalimanica

“Pata nota të dobëta të gjuhës bullgare dhe të letërsisë. Dhe kjo, sepse kurrë nuk arrita të bëjë hyrje, ekspozitë, përfundim në një ese. Filloja, sa doja dhe përfundoja sa doja.” Këtë e rrëfeu para shumë kohe shkrimtari Jordan Radiçkov, për të cilin..

botuar më 15-10-10 11.35.PD