Më 22 shtator 1908 Bullgaria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane. Kjo ndodhi tri dekada pas Luftës Çlirimtare për vendin tonë Ruso-Turke të viteve 1877-1878. Disa muaj pas përfundimit të saj Traktati i Berlinit i copëtoi trojet e populluara para se gjithash me bullgarë. Hapi i parë i suksesshëm drejt Bashkimit Kombëtar ishte në vitin 1885 – Bashkimi i Principatës Bullgare, e cila ishte vasale e sulltanit, dhe i Rumelisë Lindore – një krahinë autonome në Perandorinë Osmane. Maqedonia dhe Trakia e Edrenesë mbetën nën pushtetin e padishahut. Përveç kauzës për Bashkimin Kombëtar, shoqëria jonë kishte akoma një qëllim – sovranitetin. Gjatë viteve të kaluara disa herë ishin bërë prova për shpalljen e Pavarësisë Bullgare. Mirëpo, ajo u bë fakt që gjatë vitit 1908, kur në Stamboll shpërtheu Revolucioni i Xhonturqve. Ky revolucion e dobësoi Perandorinë Osmane, e cila ishte angazhuar seriozisht me problemet e saj të brendshme. Ja se çfarë na tregoi në një intervistë të dhënë posaçërisht për Radio Bullgarinë historiani Prof. Ljudmill Spasov:
“Në fillim të shtatorit sulltani Abdul Hamid organizoi një pritje të madhe diplomatike, kushtuar përvjetorit të uljes së tij në fron. Mirëpo, në këtë pritje xhonturqit, duke e respektuar rreptë Traktatin e Berlinit, nuk e ftuan agjentin tonë diplomatik Ivan Stefanov Geshov. Shkaku për këtë ishte se nuk e konsideronin si pjesëmarrës në korpusin diplomatik, sepse ishte përfaqësues i një shteti vasal dhe duhej të mirëmbante marrëdhënie vetëm me Ministrin turk të Punëve të Brendshme. Qeveria bullgare reagoi shumë ashpër – ajo e tërhoqi Ivan Stefanov Geshovin nga Stambolli dhe në këtë mënyrë i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.”
Një ngjarje tjetër të rëndësishme, të cilën e shënoi Prof. Spasov, ishte greva e filluar disa ditë më vonë në Hekurudhat Lindore – një kompani perëndimore koncesioni, e cila operonte edhe në trojet vasale të Perandorisë Osmane. Udhëheqja e kompanisë iu drejtua qeverisë bullgare për të siguruar personel bullgar, që të vazhdojë lëvizja në vijën hekurudhore. Mirëpo, në një moment udhëheqja, duke kuptuar se në fakt ia kishte lënë kompaninë në duart e shtetit bullgar, nguli këmbë për tërheqjen e personelit bullgar. Filloi një debat i madh, në të cilin u përfshi edhe Porta e Lartë. Ky debat në fund të fundit u përqendrua te çështja e Pavarësisë së Bullgarisë. Kishte akoma një ngjarje të tretë të rëndësishme: më 16 shtator 1908 u zhvillua një takim midis Ministrave të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë. Atje ata u morën vesh që të mos i kundërvihen shpalljes eventuale të Pavarësisë së Bullgarisë. Austro-Hungaria kërkonte ta aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën, të cilat ajo i kishte rrethuar sipas Traktatit të Berlinit, kurse Rusia dëshironte për t’u rishikuar traktati i njëjtë dhe më konkretisht marrëveshja e arritur sa i përket Detit të Zi. Këtej e tutje qeveria bullgare ishte me duar të palidhura, dhe ishte e vëmendshme në kërkimin e momentit të saktë, duke zhvilluar një sërë takimesh diplomatike. Në fakt ajo e arriti synimin e vet, një ditë para vendimit të Austro-Hungarisë për t’i aneksuar Bosnjën dhe Hercegovinën. Vetëm një ditë pas kësaj edhe ishulli i Kretës e hodhi poshtë varësinë vasale nga sulltani. Kështu vendimi bullgar u bë pjesë e një fushate ndërkombëtare për ndryshime të statukuos në Evropën Juglindore.
Duke u mbështetur te historia e lavdishme e shtetit bullgar, elita politike mori vendim për ta shpallur Pavarësinë në kryeqytetin e vjetër bullgar Veliko Tërnovo.
“Pavarësia u shpall më 22 shtator në kishën “40 Martirët e Shenjtë”. Ferdinand u shpall Mbret i bullgarëve. Vini re: jo mbret i Bullgarisë, por mbret i të gjithë bullgarëve – në vend dhe jashtë. Shihet qartë ideja për Bashkimin Kombëtar” – vuri në dukje Prof. Ljudmill Spasov.
Manifesti u lexua pas kësaj edhe në Kodrën historike të Carevecit. Qyteti e pranoi lajmin shumë mirë, kishte paradë solemne të ushtrisë. Në vend u zhvilluan mijëra mitingje. Për shkak të përgatitjes së mirë diplomatike nuk kishte nevojë për t’u mbrojtur pavarësia me luftë, si pas shpalljes së Bashkimit në vitin 1885. Mirëpo, ishte e vështirë lufta diplomatike, pas kësaj kishte bisedime të reja midis Bullgarisë, Perandorisë Osmane dhe disa prej Fuqive të Mëdha për njohjen e Pavarësisë dhe rregullimin e disa çështjeve. Për shembull, zgjidhja e çështjes lidhur me rrjetin e Hekurudhave Lindore, i cili u bë pronë bullgare.
Cilat janë dobitë e shpalljes së Pavarësisë, çfarë perspektiva u krijuan para vendit tonë? Ja se si iu përgjigj prof. Ljudmill Spasov:
“Perspektivat ishin të jashtëzakonshme. Bullgaria tashmë kishte marrëdhënie të barabarta diplomatike me tërë botën. Deri në atë moment ne dërgonim jashtë vetëm agjentë diplomatikë dhe kishim përfaqësi diplomatike, kurse pas shpalljes së Pavarësisë, ato ishin shpallur legata diplomatike dhe agjentët tanë u bënë ministra me të drejta të plota. Ne tashmë kishim të drejtën e pjesëmarrjes së barabartë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Kishte dhe diçka tjetër të rëndësishme. U anulua regjimi i të ashtuquajturave “kapitullime”. Ky regjim kishte një ndikim negativ mbi ekonominë bullgare. Ai u imponua nga Perandoria Osmane që para Çlirimit dhe me Traktatin e Berlinit në fakt ai u aplikua edhe në Bullgari. Problemet ishin për shkak të faktit se importoheshin mallra industriale evropiano-perëndimore me taksa shumë të ulëta doganore dhe kjo kishte një ndikim shumë negativ mbi zanatet bullgare. Nuk kishte mundësi për t’u zhvilluar industria jonë, kurse pa industri nuk mund të merrnim pjesë me të drejta të plota në jetën ekonomike.”
Duke qenë një shtet sovran, Bullgaria për shembull mund të përfitonte nga huat e leverdishme, mund të zhvillonte në një mënyrë më aktive ekonominë e vet, kurse sedra e kombit pa dyshim u rrit, si rrjedhim i përparimit tonë në lëmin e kulturës dhe në fusha të tjera.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni organizohet më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore...