Në qoftë se do të keni mundësi të shëtitni nëpër rrugicat gjarpëruese të Plovdivit të vjetër nuk ka si të mos ndaloni para shtëpisë së ndërtuar në vitin 1860 në stilin rilindës të dr. Stojan Çollakovit. Gjatë viteve ajo ka qenë rezidencë verore e Mbretit bullgar Ferdinand, gjatë luftërave – jetimore, pas kësaj depo e duhanit, ndërsa në vitet e socializmit – bibliotekë. Në vitin 1984 shtëpia bëhet muze e piktorit gjenial bullgar Zllatju Bojaxhiev. Ai ka lindur më 22 tetor të vitit 1903 në fshatin Brezovo pranë Plovdivit dhe u nda nga jeta 72 vjet më vonë. Që nga fëmijëria është mësuar me punën agrare dhe tematika fshatare mbeti në krijimtarinë e tij. Ka mbaruar Akademinë e Arteve në Sofje, pas kësaj bëhet mësues në Plovdiv.
Ja se çfarë na tregoi Drejtoresha e shtëpisë-muze të Zllatju Bojaxhievit Sevlija Todorova:
“Periudha e parë në krijimtarinë e piktorit, që kap vitet 1932 – 1951, karakterizohet me kërkime në stilin klasik dhe neoklasik. Ai ka marrë pjesë në ekspozita kolektive dhe ka fituar vlerësime pozitive nga kritika. Në vitin 1939 ndërmori një udhëtim interesant deri në Itali, që ushtroi ndikim të fortë mbi krijimtarinë e tij. Atje u njoh me artin e Rilindjes. Gjatë periudhë së parë piktori përdori teknikën klasike të pikturimit, e cila shihet në tablonë “Diptih”, në vepra të tjera aplikon teknikë ekspresive, ndërsa pikturat e ciklit të Brezovos janë nën ndikimin e artit figurativ holandez nga shekujt XVI-XVII.”
Fama e piktorit rritet bashkë me të dhe porositë. Krahas pikturave ai merret edhe me punë zbatuese. Deri sa punon mbi dekorimin e Uzinës së plehrave azotike në Dimitrovgrad ai sëmuret. Ja se çfarë tregon Sevlija Todorova:
“Gjatë vitit 1951 Zllatju Bojaxhiev pësoi insult cerebral si rrjedhojë u paralizua pjesa e djathë e trupit të tij dhe ai humbi të folurit. Atëherë ai ishte 48 vjeçar. Në atë periudhë të vështirë e ka ndihmuar shumë e shoqja Cena, në sajë të përkujdesjeve të saj ai arriti pjesërisht të rivendos të folurit dhe të shkruajë dhe të pikturojë me dorën e majtë.”
Në vitin 1953 Zllatju Bojaxhievi përsëri filloi të pikturojë peizazhe nga Plovdivi i vjetër.
“Stili i artistit u ndryshua rrënjësisht – tregoi Drejtoresha e muzeut znj. Todorova. – Bashkëshortja e parë vuri re se ai u orientua tek një paletë tjetër. Në qoftë se gjatë periudhës së parë dominojnë përzierjet e ndërlikuara të ngjyrave, në atë të dyte ai përdor ngjyra të çelura dhe të ngrohta, vihet re një harmoni ngjyrash disi naive. Ndryshon dhe stilistika. Në vend të artit figurativ klasik dhe vijës ekspresive, shfaqen tipare që janë më afërt rrymës moderne të impresionizmit.”
Në një mënyrë tjetër e konsideron krijimtarinë e Zllatju Bojaxhievit para dhe pas insultit, piktori Joan Leviev, i cili nuk pranon një ndarje të tillë në periudha. Kujtimet e tij ruhen në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare:
“Ka vetëm një piktor Zllatju Bojazhiev – para dhe pas insultit. Pasi ai e ndërroi dorën e djathë me atë të majtë, arti i tij u bë më nervoz, më afër pendës së Van Gogut. Në qoftë se i soditni pikturat e tij, ato mbajnë të njëjtën ngarkesë shpirtërore, e cila vjen nga fshati, nga toka.”
Interes të veçantë përbën tabloja e Bojaxhievit “Masakrat në Batak”. Puna mbi këtë pikturë të madhe plotë me subjekte u zgjatë një ose dy vjet pas insultit. Mbi të gjurmë me pendën e tij ka lënë dhe një piktor tjetër i madh bullgar – shoku i Zllatju Bojaxhievit – Boris Angellushev. Për të kuptuar fatin krijues dhe jetësor dhe përjetimet e Bojaxhievit gjatë periudhës së dytë të jetës së tij na ndihmon një tablo tjetër – “Autoportreti”. Ja se çfarë na tregon për të Sevlija Todorova.
“Për këtë periudhë vepra “Autoportreti” është shumë karakteristike, në të piktori sikur rrëfen rrugën e vet të vështirë krijuese – nga aftësia të pikturojë si virtuoz me dorën e djathtë tek kalimi i shprehjes ekspresive me dorën e majtë. Në këtë autoportret frontal Zllatju Bojaxhievi e ka pikturuar pjesën e vet të majtë dhe të djathë në mënyre të ndryshme. Në këtë mënyrë ai na tregon, se pavarësisht nga vështirësitë arti jep forca dhe frymëzim.”
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Fotografi: Bulfoto dhe BGNES
Janë 4 shfaqje emocionuese të kinemasë bullgare në Paris. Nga data 10 deri më 13 shtator në kryeqytetin francez do të mbahet Festivali i Kinemasë Bullgare, ndërsa edicioni i gjashtë i tij është nën moton "Së bashku më të fortë". "Këtë vit duam..
Deri më 15 shtator, Bulevardi “Vitosha” i kryeqytetit dhe parku përballë Pallatit Kombëtar të Kulturës janë shndërruar në një librari të madhe në ambient të hapur. Edicioni i radhës i "Rrugicës së Librit", organizuar nga Shoqata "Libri..
Brazili është ndoshta një nga destinacionet më pak të njohura për të emigruar mes bullgarëve sot. Vetë vendi nuk ka një standard jetese kaq të lartë, megjithatë bashkatdhetarët tanë që kanë zgjedhur të jetojnë atje janë shumë të kualifikuar...