Tashmë u bë banale, bile e mërzitshme. Nga viti në vit, pas hyrjes së Bullgarisë në BE në vitin 2007, dëgjojmë të njëjtën këngë me refrenin e njohur “reformoni drejtësinë, mjaft korrupsion, mjaft krim i organizuar”. Dje KE shpalli zyrtarisht Raportin e tij të radhës mbi Mekanizmin e bashkëpunimit dhe kontrollit, i cili ndjek përparimin e Bullgarisë në reformimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë vitit të kaluar.
Vlerësimet dhe rekomandimet sikur diheshin paraprakisht, ndërsa konstatimet ne tashmë i dimë përmendsh – krimi i organizuar është në prosperitet, në prosperitet janë dhe korrupsioni në katet e larta të pushtetit, veprimet prapa perdes dhe kleptokracia. Ndërsa në drejtim të gjyqësorit, pas disa turbulencave gjatë muajve të fundit dhe tentativave të pasuksesshme nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese të reformohet, tani për tani ai iu kthye qetësisë me problemet e veta.
Nuk mund të themi se në Itali, Spanjë, Britaninë e Madhe dhe në shtete të tjera të BE nuk ka korrupsion dhe krim të organizuar, por atje këto dukuri janë në caqet e lejuara. Përveç kësaj herë pas here ndonjë ministër, deputet, magjistrat apo zyrtar nga katet e larta të pushtetit hyn në burg ose jep dorëheqje, ndryshe nga Bullgaria.
Le t’i hedhim një vështrim dokumentit, të përgatitur në mënyrë virtuoze me gjuhën diplomatike të Brukselit. Në të lexojmë, se problemet e pushtetit gjyqësor në Bullgari nuk janë zgjidhur, niveli i korrupsionit mbetet i lartë, institucionet nuk janë të afta t’u bëjnë ballë sfidave. Përparimi i ngadalshëm në luftën kundër korrupsionit në katet e larta të pushtetit dhe mbi çështjet gjyqësore, lidhur me krimin e organizuar, vazhdon të minojë besimin e shoqërisë në aftësitë e organeve bullgare të garantojnë drejtësi, thuhet në raport. Frans Timerman, Zëv/Kryetar i parë i KE, komentoi, se gjatë vitit të kaluar Bullgaria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për t’i kthyer reformat në rendin e ditës. Tani më ka ardhur koha që te kalohet tek etapa tjetër - strategjia për reformën në gjyqësor dhe për luftë kundër korrupsionit të pasohet nga veprime, të cilët të çojnë në rezultate konkrete.
Siç ndodhet zakonisht, qeveria e dytë e Bojko Borisovit, e cila prej më se një viti është në pushtet i bëri një lexim të saj, optimist, raportit. Në një konferencë të posaçme për shtypin Zëv/kryeministrja dhe Ministre e Punëve të Brendshme Rumjana Bëçvarova deklaroi, se në tërësi raporti i monitorimit të KE është “objektiv jo vetëm për shkak të konstatimit të problemeve që ka vendi, por edhe në drejtim të shenjave pozitive të cilat komisioni i ka lexuar në veprimet tona deri në këtë moment”. Sipas saj, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, ndryshe nga raportet e mëparshme, vërejtjet janë më pak. Nga ana e tij Zëv/kryeministri Tomisllav Donçev theksoi, se në raport “ka konstatime të qarta, komente, inkurajime ose rekomandime në drejtim të secilit prej pushteteve dhe institucioneve”. Donçevi alarmoi, se “ka rezistencë të organizuar kundër reformave” dhe për këtë arsye “duhet të ketë edhe mbështetje të organizuar”. Zëv/kryeministrja Meglena Kuneva gjithashtu vlerësoi raportin si objektiv dhe premtoi, se “2016 do të jetë viti, në të cilin bullgarët do të ndjejnë përparim të vërtetë në fushat që monitorohen”. Kujt t’i besojmë, Brukselit apo pushtetarëve tanë?!
Nuk gjej për final ndonjë përfundim më të suksesshëm se sa fjalët e Nikollaj Sllatinksit, profesor për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, deputet në Kuvendin e Madh Popullor, pas rrëzimit të regjimit totalitar në fund të vitit 1989: “Nuk pres që pushteti këto ditë ti bëjë vetes harakiri. Punë e madhe, se duke lexuar jo rreshtat, por midis tyre, duke bërë analizë dhe duke menduar mbi kontekstin, secili do të kuptonte, se me këtë raport të KE ajo është bërë baltë e pluhur. Kryesorja është çfarë mendon mbi çështjen pushteti. Ndërsa ai mendon, se asgjë nuk ka ndodhur, thjesht ka fat se ka popull të tillë...”
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Kriza politike në Bullgari solli befasinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare - të gjashtat në më pak se tre vjet. Nga një parlament gjashtëpartiak, parlamenti ynë u rrit me një forcë të re politike, pasi 13 deputetë do të ketë partia politike..
Fitorja në dukje vendimtare e GERB-SDS në zgjedhjet për parlamentin kombëtar nuk do të thotë se partia me çdo kusht do të arrijë të formojë një qeveri në të vetmen formë të mundshme të imponuar gjatë qeverisjes së fundit, pra të ashtuquajturin..
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 9 qershor 2024 kaluan pa lëkundje të veçanta për formacionet drejtuese politike. Partia Popullore Evropiane dhe socialistët mbeten në krye dhe ndoshta do të vazhdojnë të ndjekin politikat e tyre të përshkruara...
Kërkimi i Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetja e Bullgarisë ishin temat e diskutuara në takimin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me..
Diskutuam se si ta bëjmë NATO-n më të fortë, duke u fokusuar në punën kolektive, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e secilit vend anëtar, tha..