Manastiri i Shenjtorëve Pjetri dhe Pavli ndodhet në Rrafshnaltën e Arbanasit, kurse kambaneria e tij tërheq vëmendjen që nga larg. Tingulli i kambanerisë dëgjohet që në qytetin e afërt Ljaskovec, i cili është i njohur për kantinën e tij të verës dhe traditat në kopshtari. Vetëm 6 km larg ndodhet Veliko Tërnovo. Pikërisht me historinë e kryeqytetit të vjetër është lidhur fati dramatik i vendit të shenjtë.
Manastiri është themeluar nga disa bujarë të Tërnovos. Sot ai është i njohur si Manastiri i Shenjtorëve Pjetri dhe Pavli, ose si Manastiri i Ljaskovecit. Ai ka pësuar disa sulme armiqësore, zjarre, tërmete dhe është përdorur për qëllime jofetare gjatë kohës së totalitarizmit, por megjithatë manastiri ekziston edhe sot e kësaj dite dhe vazhdon të tërheqë besimtarë nga mbarë vendi.
“Sipas shumicës së burimeve ai është themeluar gjatë shekullit të XII-të në vendin e një kështjelle romake nga shekulli i dytë – na tregon Sofia Bozhkova nga qendra bashkiake turistike “Carevgrad Tërnov” – Në këtë kështjellë mblidheshin ithtarët e bujarëve të Tërnovos – Asen dhe Pjetri, të cilët e organizuan kryengritjen kundër robërisë bizantine. Pas fundit të saj ata vendosën ta themelojnë këtë manastir.”
Pas rënies së Bullgarisë nën zgjedhën osmane, afro dy shekuj më vonë, manastiri u grabit disa herë. Por pas çdo një sulmi ai rimëkëmbej në saje të përpjekjeve të vendasve. Shumë kohë manastiri ndodhej nën udhëheqjen e peshkopit grek, sepse Peshkopata e Tërnovos ishte nën udhëheqjen e Patrikanës Greke të Kostandinopojës. Grekët i dëbuan murgjit tanë dhe në vend të tyre emëruan njerëz të vet. Që në vitin 1870, pas shpalljes së pavarësisë së Kishës bullgare, murgjit tanë përsëri u vendosën në manastir.
“Në këtë vend mblidheshin njerëzit që kishin lidhje me luftërat për çlirimin tonë kombëtar nga zgjedha osmane në regjionin e Veliko Tërnovos gjatë shekujve XVII – XVIII – na tregon Sofia Bozhkova. – Në atë kohë manastiret ishin fshehur nga syri i sunduesit. Atje zhvillohej veprimtari iluministe dhe ruhej shpirti bullgar. Gjatë Rilindjes edhe Manastiri i Shenjtorëve Pjetri dhe Pavli ishte qendër e luftërave çlirimtare kombëtare, këtu diskutohej veprimtaria e komiteteve revolucionare.”
Gjatë viteve 70 të shekullit të XIX në manastir u hap Seminari i parë bullgar, por pak pas Çlirimit ai u mbyll, që të shndërrohet në... çmendinë. Në vitin 1913 një tërmet i fuqishëm shkatërroi pothuaj gjithçka, me përjashtim të disa godinave. Më vonë manastiri u rimëkëmb dhe funksiononte si manastir grash. Ai ka qenë shtëpi e vajzave memece, këtu ka pasur gjithashtu shkollë për këndim ortodoks, kurse gjatë regjimit totalitar në godinat e tij vendoseshin gra nga Sofja, që merreshin me prostitucion. Pamja e tanishme e manastirit është nga vitet 60 të shekullit të XX-të, kur ai u rimëkëmb krejtësisht. Aktualisht këtu banojnë tri murgesha dhe një rishtare e re. Kisha është e restauruar, kambaneria, e lartë mbi 30 metra, e cila u rrëzua nga tërmeti, u rimëkëmb në vitin 1980, kurse sahati nën të është dhuratë nga një grua nga Ljaskoveci, e cila aktualisht banon jashtë shtetit.
Po të vizitosh kishën e vogël “Triada e Shenjtë” do të ndihesh në një botë tjetër. Supozohet se kisha është ndërtuar në vendin e një altari pagan, i cili më vonë është shndërruar në tempull të vogël. Pikërisht në këtë vend vëllezërit Asen dhe Petër janë bekuar se do ta çlirojnë popullin e vet nga sunduesi osman, kurse pas kësaj do ta ndërtojnë një manastir si shenjë e lirisë. Prandaj, sipas besimeve popullore, po të shkruash një dëshirë në një copë letër dhe pas kësaj e vë pusullën me dëshirën midis gurëve, dëshira jote do të plotësohet. Manastiri i dërgon vizituesit me mbishkrimin “Mua nuk më preku as shpata dhe robëria, as zjarri, as tërmeti. Kam qenë dhe do të vazhdoj të jem shpirti dhe mbështetja e të krishterëve.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..