Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Flotilja e Detit të Zi kundër Rusisë shkaktoi një “stuhi” të vërtetë

БНР Новини
Bullgaria nuk e ka mbështetur iniciativën e Rumanisë për flotilje në Detin e Zi dhe mund të marrë pjesë në një të tillë vetëm në kuadrin e NATO-s, ishin kategorikë Presidenti, Ministri Ushtarak dhe Kryeministri.
Foto: BGNES

Pohimet se Bullgaria ka biseduar me Rumaninë, Turqinë dhe Ukrainën për krijimin e një flotiljeje në Detin e Zi, nënkuptohet flotilje kundër Rusisë, shkaktoi reaksione negative nga ana e Kryeministrit Bojko Borisov. Së pari Borisov deklaroi se Bullgaria nuk do të marrë pjesë në asnjë flotilje kundër Rusisë, pas kësaj ai akuzoi Ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Jashtme se i kanë tejkaluar të drejtat e tyre, duke i kërcënuar se do t’i dërgojë vetë ata për të luftuar në Detin e Zi. Më vonë në një brifing të përbashkët Borisov, Presidenti Rosen Plevneliev dhe Ministri i Mbrojtjes Nikollaj Nençev i përgënjeshtruan kategorikisht pohimet se është ndërmarrë angazhim nga ana e vendit tonë për një pjesëmarrje të tillë. Brifingu përhapi mesazhin e qartë se Bullgaria nuk e ka përkrahur iniciativën e Rumanisë për Flotilje të Detit të Zi dhe mund të marrë pjesë në një flotilje të tillë vetëm në qoftë se ajo është në kuadrin e NATO-s.

Rumania gjithashtu i përgënjeshtroi këto pohime. Presidenti rumun Klaus Johanis deklaroi se vendi i tij me të vërtetë propozon bashkëpunim ushtarak në Detin e Zi, por propozimi nuk është kuptuar mirë, sepse Rumania nuk ka pasur parasysh krijimin e flotiljes, por zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta të shteteve të regjionit të Detit të Zi që janë anëtare të NATO-s – Rumania, Bullgaria dhe Turqia, nën egjidën e Aleancës.

Ky moskuptim i një niveli kaq të lartë për një çështje kaq të rëndësishme shkakton pyetje dhe dyshime a mos bëhet fjalë për teatër politik, ose për sondazhin e qëndrimeve politike sa i përket këtij problemi. Ka pak të ngjarë të ketë pasur sondazh politik, por qëndrimet politike ishin të qarta.

Krahu në opozitë i Bllokut të Reformatorëve – Demokratët për Bullgarinë e Fortë, i cili merr pjesë në udhëheqjen e vendit, deklaroi se interesi kombëtar dhe prosperiteti ekonomik kërkojnë mbrojtje të forcuar, një politikë të përbashkët të sigurimit dhe një strategji të përbashkët ekonomike në rajonin e Danubit dhe të Detit të Zi. Sipas kësaj partie, Kryeministri ka vendosur Presidentin dhe Ministrin e Mbrojtjes në regjimin poshtërues të shpjegimeve. Mirëpo në fakt në gjendje poshtëruese ndodhet vetë Bullgaria, për shkak të mungesës së pajtimit dhe për shkak të kundërshtimeve në pozitën kombëtare sa i përket kësaj çështjeje.

Është interesant fakti se pozita e Kryeministrit koincidoi në një shkallë të konsiderueshme me pikëpamjen e forcave kryesore politike, të cilat janë jashtë qeverisjes së vendit. Fronti Patriotik, i cili e përkrah qeverinë, pa marrë pjesë në të, deklaroi se nuk është mirë që Bullgaria të marrë pjesë në çfarëdo që të jenë struktura armiqësore, ose në marrëdhënie të tilla. Partia Socialiste Bullgare përkrahu kategorikisht refuzimin e pjesëmarrjes në iniciativën për flotiljen në Detin e Zi, duke shënuar se kohët e fundit disa iniciativa të Presidentit dhe të Ministrit të Mbrojtjes në sferën e mbrojtjes dëshmojnë për tensionin në rritje në regjionin e Detit të Zi. Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë vuri në dukje se nuk mund të ketë luftë midis Rusisë dhe NATO-s, madje për shkak të ambicieve të mëdha të disa politikanëve dhe vendime të tilla janë të çmendura.

Mirëpo, pa përgjigje mbetën disa pyetje të rëndësishme. Me rastin e pohimeve se për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e Bullgarisë për të marrë pjesë në një flotilje në Detin e Zi Turqia ka refuzuar marrëveshjen me vendin tonë për riadmisionin e migrantëve, Bojko Borisov deklaroi kategorikisht se nuk ka njoftim me shkrim nga ana e Turqisë, por nga gjithsej 200 kërkesat e Bullgarisë për riadmisionin e migrantëve Turqia ka refuzuar 200. Nga ana e vet Ambasada e Turqisë në Sofje na siguroi se nuk ka refuzim të kësaj marrëveshjeje. Në të njëjtën kohë reaksionet negative të Kryeministrit treguan se ka një problem serioz midis tij, disa ministrave dhe Presidentit të Republikës për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme. Pyetjet e hapura janë shumë serioze dhe shoqëria është në pritje të përgjigjeve të tyre.

Megjithëse kjo është një temë shumë e ndjeshme për Moskën, ajo nuk e komentoi. Derisa në Sofje kishte shpjegime dramatike, në Sankt Peterburg Ministri bullgar i Ekonomisë Bozhidar Llukarski diskutonte me Ministrin rus të Industrisë dhe të Tregtisë Denis Manturov idetë për prodhime të përbashkëta, produktet e të cilave mund të realizohen në tregjet e Rusisë, të BE-së dhe të vendeve të treta. Për vizitë në Rusi ishte edhe Ministrja e Bujqësisë Desisllava Taneva për të biseduar mbi çështje të rëndësishme të tregtisë me produkte bujqësore dhe ushqimore.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ali Ahmeti dhe Angell Angellov

Ali Ahmeti dhe ambasadori Angell Angellov u takuan në Shkup

Ali Ahmeti, kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, foli më 16 prill me ambasadorin bullgar në Shkup, Angell Angellov, njoftoi BGNES. Në takim, Ahmeti tha se deklaratat e kryeministrit..

botuar më 24-08-16 3.54.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Turqia ka shpallur luftë tatimore për mallrat e lira nga jashtë Turqia ka vendosur të rrisë ndjeshëm taksat për mallrat e blera jashtë vendit. Kufiri pa taksa për mallrat e blera jashtë vendit është ulur nga 150 në 30 euro (1098.87 TL)...

botuar më 24-08-10 6.05.PD
Svetlin Taçev

Pushteti i përkohshëm u bë një tipar karakteristik i situatës politike në Bullgari

Bullgaria po përballet me zgjedhjet e shtatë të parakohshme parlamentare radhazi në tri vitet e fundit. Arsyeja është se edhe një herë, të tri mandatet eksploruese, t’u dorëzuara nga presidenti partive të përfaqësuara në parlament, mbetën të..

botuar më 24-08-09 7.05.PD