Me shtëpitë e shpërndara këtej andej, të zhytura ndër pemët e gjelbra, Zllatna Livada “Livadhi i Artë” ngjan më shumë me mëhallë sesa me fshat. Ai ndodhet në trojet pjellore të Trakisë së Artë dhe që prej shekujsh vendi i ka tërhequr njerëzit me magjepsjen e natyrës së tij. Për këtë dëshmon vendi i lashtë trak, mbeturinat e të cilit mund të shihen edhe sot e kësaj dite, si dhe mbeturinat e kështjellës romake në një prej kodrave në rajon, e cila ka pasur rëndësi strategjike në të kaluarën. Që nga këtu ka kaluar rruga kryesore mes Kostandinopojës dhe Serdikës – Via Diagonalis. Në këtë kënd të Bullgarisë Qendrore, rreth 15 km larg Çirpanit dhe rreth 1 km larg Livadhit të Artë, ndodhet manastiri më i vjetër i ndërtuar në trojet bullgare – Manastiri i Çirpanit, ose Manastiri i Livadhit të Artë “Shën Thanasi”. Ai është jo vetëm më i vjetri në Bullgari, por edhe në mbarën Evropën.
Më shumë hollësi për manastirin na tregon Nansi Marinova – kujdestare në Muzeun Historik në Çirpan:
“Në jetëshkrimin e shenjtorit është përshkruar se gjatë vitit 344 duke udhëtuar për një tubim kishtar në Serdikë, ai është vendosur në Kështjellën Romake afër qytetit Beroe (Stara Zagora e sotme). Në atë kohë në këtë rajon është përhapur herezia e arianëve. Si një mbrojtës i vërtetë i krishterimit ortodoks Shën Thanasi ka vendosur që vendi është i përshtatshëm për krijimin e një manastiri. Ai ka mbetur atje për t’u lutur. Edhe sot e kësaj dite mund të shihet vendi në shkëmb, kë shenjtori ka jetuar dhe i ka drejtuar lutje Zotit. Mendohet se vendi është i mbushur me energji dhe të gjithë besimtarët, të cilët e vizitojnë manastirin në Livadhin e Artë, kalojnë edhe përmes këtij vendi për shëndet. Ka të dhëna për manastirin edhe në një etapë më të vonshme, që nga shekulli i XII nga Princesha Anna Komnina. Në kronikat e saj ajo gjithashtu përmend se është themeluar një manastir nga Shën Thanasi në një vend, i cili ndodhet midis Stara Zagorës dhe Plovdivit.”
Gjatë historisë së tij të gjatë Manastiri i Çirpanit është shkatërruar me zjarr disa herë dhe është ndërtuar përsëri. Ka prova arkeologjike se ka ekzistuar gjatë Antikitetit të Vonshëm dhe epokës së Mesjetës. Gjatë viteve të udhëheqjes osmane, si në shumë vende të tjera të shenjta, edhe në Manastirin e Çirpanit janë fshehur luftëtarët tanë për çlirimin e vendit. Edhe deri më sot ruhet qelia, ku është fshehur Vasill Levski. Këtu janë fshehur edhe shumë revolucionarë bullgarë. Madje ka të dhëna se Pajisij Hilendarski, krijuesi i Historisë së parë Sllavo-Bullgare, është vendosur në manastir. Megjithë rolin e tij të madh të një qendre të rëndësishme kulturore dhe iluministe gjatë viteve të ekzistencës së tij, gjatë regjimit komunist ai është shndërruar në stallë delesh. Në fund të viteve 60 dhe në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar përsëri është kthyer statuti i tij i manastirit.
Në kishën e manastirit ruhen ikona të vlershme, për të cilat na tregon Nansi Marinova: “Një prej ikonave më interesante, që ruhet në manastirin e Livadhit të Artë, është dhuruar nga Peshkopi i Aleksandrisë. Ajo është e Shën Thanasit. Ka akoma një ikonë të shenjtorit, e cila është dhuruar nga murgjit e Atonit, si dhe ikona e Shën Petkës, e cila ndodhet mbi vetë altarin.”
Në manastiret tona ruhen shumë dorëshkrime të rëndësishme. Nansi Marinova na tregon se çfarë është më e vlershmja e ruajtur në manastirin e Livadhit të Artë “Shën Thanasi”:
“Kjo është një kopje e Ungjillit të Rejmit. Sot origjinali i tij ndodhet në Bibliotekën e Rejmsit – Francë. Kjo është një kopje sllavo-kishtare, që përbëhet prej katër pjesësh. Njëra është shkruar në alfabetin cirilik, kurse tjetra në alfabetin glagolik. Gjëja më interesante në këtë ungjill është se në vazhdim të disa shekujve i kanë kurorëzuar mbretërit francezë, duke vendosur dorë mbi të. Sot në manastir ruhet kopja e vetme në gjuhën bullgare e bërë nga piktorët tanë, të cilët ia kanë dhuruar manastirit.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Svetllana Dimitrova dhe Wikipedia
Arkeologët bullgarë zbuluan një statujë të dytë në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit antik Heraklea Sintika. Arkeologët nga ekipi i Prof. Dr. Ljudmill Vagalinski hasën në një tjetër skulpturë mermeri pranë vendit në kanal ku në..
Shenjtërorja trake e Begliktashit ndodhet 5 km nga qyteti i Primorsko dhe është vetëm një nga kuriozitetet interesante në rajon. Në zonën përreth shihen edhe dolmenë të shumtë të ruajtur mirë që lidhen me ritualet e varrimit të fiseve trake. Në fakt,..
Pas festës së madhe të Fjetjes së Hyjlindëses, Lindja e Nënës së Zotit kremtohet me nder të veçantë në Bullgari. Kisha jonë e feston atë më 8 shtator, së bashku me kishën ortodokse greke, ndërsa kishat e tjera ortodokse lokale e kremtojnë festën më 21..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij,..