Simboli i shpirtit bullgar – kisha “Shën Stefani” në Stamboll, që është lidhur me luftën për pavarësinë kishtare, luftë kjo që ka filluar akoma gjatë viteve 30 dhe 40 të shekullit të 19, është kisha e vetme ortodokse e hekurt në botë. Është e gjatë 15 metra kurse bashkë me kullën me zile arrin 40 metra. Kisha ortodokse bullgare me sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrave katrorë është një bazilikë e madhe me formë kryqi dhe ornamente të bukura, e ndërtuar prej elementeve prej hekuri. Altari është i kthyer drejt gjirit Briri i Artë, kurse mbi hyrje ngrihet kulla e bukur me zile.
Kisha e hekurt është e ndërtuar në fund të shekullit të 19, kur kolonia bullgare në Stamboll ka numëruar rreth 50 mijë veta. Gjatë vitit 1849, bullgari princ Stefan Bogoridi, një burrë shteti me influencë mes osmanlinjve, dhuron për nevojat kishtare të bullgarëve një oborr të madh me ndërtesa – një prej druri dhe dy prej guri, në lagjen e Stambollit “Fener”. Ato janë në vet bregun e Bririt të Artë, në afërsi me Patriarkanën Ekumenike.
Më 17 tetor 1849 është lëshuar një dekret i sulltanit, i cili u lejon bullgarëve të kenë një kishë më vete. Atëherë kati i poshtëm i shtëpisë prej druri të dhuruar nga Stefan Bogoridi është kthyer në një kishë të përkohshme. Më vonë ajo rritet dhe bëhet një kishë më vete, e cila i përkushtohet martirit dhe krye dhjak Shën Stefan, për nder të dhuruesit Stefan Bogoridi. Atëherë kisha është bërë e njohur si “Kisha prej Druri”.
Gjatë vitit 1850 ndërtesat prej guri në oborrin e kishës janë shkatërruar dhe është ngritur një godinë e re me tri kate, e njohur si “Metoha”, e cila më vonë bëhet qendër e Eksarkia Bullgare, të krijuar më 27 shkurt 1870. Eksarkia funksionon në Stamboll dhe pas Çlirimit të Bullgarisë, deri në luftën Ballkanike gjatë vitit 1912.
Më 25 qershor 1890 me një ferman të sulltanit i lejohet Eksarkisë Bullgare të ndërtojë një kishë të re në vendin e Kishës prej Druri. Guri kryesor është i vënë nga ekzarku Josif I më 1 më 27 prill 1892. Me qenë se terreni është i paqëndrueshëm, arkitekti osman Hovsep Aznavur propozon që konstruksioni i kishës të jetë prej pllakash hekuri të parafabrikuara, dhe jo me themele prej betoni. Elementet prej hekuri, të cilët peshojnë 500 tonë, janë punuar në Vjenë dhe janë shpënë deri në Stamboll me anije nëpër lumin Danub dhe përmes Detit të Zi. Skeleti i kishës është prej çeliku, kurse anët prej llamarine. Formimi i saj përfundon më 14 qershor 1896. E parë nga jashtë , kisha gërsheton në mënyrë arkitekturore elemente të neobarokut, neogotikes dhe të stilit bizant. Brendësia po kështu është e punuar në Vjenë, ku stili përcaktohet si shembulli i parë për “ar nuvo” në Stamboll. Ikonat janë të shkruara dhe të pikturuara nga një piktor rus, kurse 6 kambanat janë të derdhura po kështu në Rusi, ku dy prej tyre tingëllojnë dhe sot e kësaj dite.
Inaugurimi solemn i kishës së re “Shën Stefani” është bërë nga ekzarku Josif I në ditën e Lindjes së Virgjëreshës – më 8 shtator 1898. Sot kisha “Shën Stefani” është një nga kishat e pakta të hekurta të cilat janë shpëtuar në botë. Në oborrin e saj janë të varrosur veprimtarët kishtarë bullgarë Illarion Makariopollski, Avksentij Veleshki, Meletij Veleshki dhe Pajisij Pllovdivski.
Kisha “Shën Stefani”, e cila gjatë vitit 2018 feston 120 vjet nga krijimi i vet, konsiderohet si monumenti më i vlefshëm i trashëgimisë historike dhe kulturore bullgare në Turqi, por dhe në përgjithësi jashtë kufirit. Sot do të zhvillohet inaugurimi solemn dhe ribekimi i të gjithë kishës së restauruar plotësisht, ku do të zhvillojnë shërbesat fetare Patriarku Ekumenik Bartolomeu I dhe Mitropoliti i Sofjes Neofit.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: BTA, BGNES dhe fondacioni “Tempulli i krishterë bullgar “Shën Stefani” në Stamboll”
Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..
Gjetjet nga gërmimet arkeologjike të tumës Kozareva u bënë një sensacion i vërtetë në vitin 2014, kur u prezantuan për herë të parë para publikut të gjerë. Ndër eksponatet e shkëlqyera dallohen amuletat e bëra nga kafka njerëzore, enë balte dhe vegla..
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas tij, ky është një gjetje jashtëzakonisht e rrallë. Koka ndodhej pranë foltores së tempullit dhe..
Në analet laike të Bullgarisë së pasçlirimit, Mitropoliti Kliment Tërnovski njihet si Vasill Drumev - një shkrimtar dhe figurë e njohur publike, që bëri..
Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për..