Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dobri Vojnikov – mësuesi i përjetshëm

Shtëpia-muze e Dobri Vojnikovit ndodhet në qytetin Shumen (Bullgari Veriore) – një qytet, i cili i ka dhënë Bullgarisë shumë njerëz të shquar me kontribut në zhvillimin е atdheut. Gjatë Rilindjes Bullgare Shumen ka qenë një nga qendrat politike, kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. Një fakt kureshtar të lidhur me historinë e qytetit e gjejmë në shënimet e udhëtimit të haxhiut Minasa Pëzhëshkjan të botuara në Venecie në vitin 1830. Atje armeni udhëtar përshkruan një “mbrëmje teatrale”, kushtuar Shenjtorëve Kiril dhe Metodij, të zhvilluar në teatrin e qytetit. Sipas autorit atëherë ajo ka qenë diçka e zakonshme për Shumen dhe spektakle të tilla janë organizuar rregullisht. Ky është dokumenti i parë, i cili tregon për një ngjarje të tillë tek ne. Përsëri në Shumen i hap dyert një nga vatrat e para të kulturës (1856), atje është organizuar shfaqja e parë teatrale, siç edhe orkestra e parë. Në historinë e qytetit ka shumë ngjarje kulturore, të zhvilluara për herë të parë në Bullgari pikërisht në Shumen. Dhe një pjesë e madhe prej tyre janë lidhur me emrin e Dobri Vojnikovit.

Muzeu në shtëpinë e tij të lindjes ruan dokumente, dorëshkrime, sende, kostume teatrale, të cilat kujtojnë për veprimtarinë e tij të madh, tregon kujdestarja e muzeut Krasimira Çallëkova:

Në vend të parë ai është pishtar dhe mësues dhe në këto drejtime bën disa nga “revolucionet” e tij – përdor pentagramin për notat dhe implementon stilin evropian të mësimdhënies. Është autori i librave të para shkollore të historisë dhe gramatikës. Ai nuk i pëlqen metodat më të përhapura pedagogjike në atë kohë, kurse zhvillon biseda interesante, të orientuara drejt interesave të nxënësve.

Që në moshën shkollore ai merret me muzikë – ka qenë një nga muzikantët e orkestrës së parë bullgare të formuar sipas shembullit evropian në qytetin Shumen nga dirigjenti Mihaj Shafran në vitin 1850. Më vonë pikërisht Vojnikovi e kondukton këtë orkestër dhe ai është dirigjenti i parë bullgar. Pak nga pak ai zgjeron horizontin e njohurive dhe interesave të veta. E pranon muzikën dhe më vonë – teatrin, si mjete për ta zgjuar vetëdijen kombëtare.


Dobri Vojnikov është ndër aktorët e shfaqjes së parë teatrale. Për një periudhë të jetës së tij jeton në Braila, Rumani (që nga viti 1864), ku krijon trupën e vet teatrale , në repertorin e së cilës janë dramat historike të shkruara nga ai. Atje rreth trupës së tij mblidhen të gjithë mërgimtarët, revolucionarët dhe bullgarët e zgjuar, ndër të cilët është “zëri i lirisë bullgare” – Hristo Botev. Në “Shoqërinë Teatrale” të themeluar pak më vonë Dobri Vojnikov fton gratë e para aktore. Në fakt tërë veprimtaria e tij i është kushtuar çlirimit të Bullgarisë, duke përdorur mjetet e artit, kulturës dhe arsimit. Pa armë dhe pa gjakderdhje ai arrin të shpëtojë shumë “shpirtra”, i ndihmon të kuptojnë identitetin e tyre kombëtar. Dhe nuk është e rastit se këngët e shkruara nga Vojnikiovi kanë tingëlluar në betejat kundër sundimtarëve turq.

Pas periudhës së mërgimit, ai kthehet në Shumen, ku gjatë kohës së mungesës së tij institucionet kulturore kanë humbur vrullin e tyre të mëparshëm. Sipas fjalëve të Krasimira Çallëkovës bashkëshortja e Dobri Vojnikovit ka qenë gruaja e parë, e cila guxon të dalë në skenën teatrale. Pjesa  më e njohur dhe më e parapëlqyer atëherë është “Qytetërimi i keqkuptuar” dhe mund të thuhet se kjo vepër e Dobri Vojnikovit vazhdon të jetë aktuale dhe sot ka jo më pak adhurues.

Ai ka qenë njeri modest dhe shumë punëdashës – vazhdon Krasimira Çallëkova. I ka pranuar veprat e tij si “punime nxënësi”. Shkencëtarët e sotëm gjithashtu lehtësisht gjejnë mangësi në to nga pikëpamja letrare, por puna e tij ka përpjesëtime më të gjera. Kontributi më i madh i Dobri Vojnikovit është revolucioni kulturor i zhvilluar në sajë të veprimtarisë së tij. Regjistron me nota këngët më të njohura popullore, krijon këngë shkollore, për herë të parë sipas nismës së tij në shkollë nxënësit fillojnë të mësojnë këndim me dy zëra dhe themelon korin e parë me shumë zëra. Kontributi i tij nuk është në përsosmërinë e veprave, por në thelbin e tyre - ai e ka kuptuar mirë fuqinë e madhe që mund ta ketë arti – për të teatri dhe muzika janë të pandashëm dhe kanë mesazhe të rëndësishme të përbashkëta. Ai është autor, skenograf, regjisor dhe aktor. Këngët e tij kanë tingëlluar në skenë dhe në antraktet e pjesëve. Në veprimtarinë e tij pedagogjike ka përdorur të gjitha mjetet e mundshme. Për mua ai është mësuesi i përhershëm. Dhe sot, po të lexojmë përsëri mesazhet e tij do të kuptojmë se ato tingëllojnë në mënyrë tepër aktuale – të jemi modestë, ta duam atdheun, të kthehemi gjithmonë tek rrënjët.

Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova

Foto: museum-shumen.eu

Më shumë nga rubrika

Hristo Botev, Ivan Drasov dhe Nikolla Sllavkov

Hristo Botev, Kryengritja e Prillit dhe "Komitetet Sllave"

Kujtimet e pjesëmarrësve në vitin fatal 1876 për Bullgarinë janë të shumta, shpeshherë kontradiktore, por letrat dhe dokumentet për Kryengritjen e Prillit, që flasin për çështjen e Çlirimit të Bullgarisë, krijojnë një pamje më të gjerë të ngjarjeve,..

botuar më 24-06-02 9.30.PD

U përmbush vullneti i fundit i Mbretit Ferdinandit - shtëpia e tij e përjetshme të jetë në Bullgari

76 vjet pas vdekjes së tij, mbreti i parë bullgar i Mbretërisë së Tretë Bullgare, Ferdinandi i Parë, u kthye në shtëpi, në Pallatin "Vrana", gjë me të cilën u përmbush vullneti i tij i fundit. Në testamentin e tij ai shkruante se dëshironte të..

botuar më 24-05-31 7.30.PD
Mbreti Ferdinand

Eshtrat mortore të mbretit Ferdinand do të transferohen në Sofje

Më 29 maj, mbetjet mortore të mbretit bullgar Ferdinand do të transportohen nga qyteti gjerman i Koburgut në Sofje me një avion ushtarak. Arkivoli do të ulet solemnisht dhe do të vendoset në një makinë vdekjeje, e cila do të udhëtojë..

botuar më 24-05-27 8.57.PD