Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Nata e Buzmit, Lindja e Krishtit

Në kulturën tonë folklorike nata para Lindjes së Krishtit ka disa emra. Zakonisht e quajmë Natën e Buzmit, ndërsa traditat dhe ritualet me rastin e festës dihen shumë mirë.

Mirëpo, me siguri shumë pak njerëz e dinë se në rrethin e Sofjes, në Bullgarinë e Mesme Veriore dhe në rajone të tjera të vendit tonë, si dhe në disa ish-territore bullgare këtë ditë e kanë quajtur Krishtlindjen e Vogël. Në përfytyrimet popullore dhimbjet e Nënës së Zotit kanë filluar që para ditës së Shën Ignat Hyjmbajtësit /më 20 dhjetor/ dhe kanë vazhduar deri në lindjen e Zotit të Ri, Jisu Krishti, në Krishtlindjen e Vogël, por ngjarjen e kanë shpallur të nesërmen – më 25 dhjetor. I tillë është besimi popullor – kur nëna e lind fëmijën e saj të parë, lajmi nuk përhapet menjëherë, por të nesërmen. Atëherë ftohen gratë për piten e Shën Mërisë. Besohet se kështu nëna dhe fëmija do të mbrohen nga fuqitë e këqija, të cilat janë sidomos të rrezikshme gjatë orëve të para të lindjes së fëmijës dhe gjatë natës. Ja përse në të kaluarën këtë ditë ua kanë kushtuar kryesisht fëmijëve dhe nuseve. Ka pasur një zakon, sipas të cilit kolendarët e vegjël të moshës nga 8 deri në 12 vjeç (këta janë të rinj, të cilët vënë shtëpi më shtëpi për të kënduar këngët e Krishtlindjeve) i kanë vizituar shtëpitë të ndarë në grupe të vogla. Ata janë nisur herët në mëngjes, madje në mes të natës dhe deri në drekë i kanë vizituar shtëpitë e të afërmve. Këta kolendarë nuk janë si grupet e burrave, të cilët nisen në mesnatën para Lindjes së Krishtit. Këta djem të vegjël janë si paralajmëtarë, të cilët njoftojnë lajmin për Lindjen e Krishtit.

Ruajtja e zjarrit “të gjallë” gjatë natës me të gdhirë Krishtlindjet është një ritual që i ka rrënjat te kulti solar i përhapur në trojet tona shumë para krijimit të Shtetit Bullgar. Ai është pjesë e fesë pagane të fiseve sllave, si dhe të fiseve trake dhe të protobullgarëve, të cilët kanë jetuar në territorin e Bullgarisë së sotme. Pas pranimit të fesë së krishterë festën më të madhe Bozhiç, Bozhik, të lidhur astronomikisht me solsticin dimëror (22 dhjetor) dhe fillimin e zgjatjes së ditës, e kanë transformuar në Krishtlindje. Dihet se në vitin 334 papa Liberi e ka shpallur datën 25 dhjetor ditën, ku nderohet Lindja e Krishtit. Ka shumë simbole në folklorin tonë, të cilat tregojnë qartë kultin ndaj diellit, lindjen e të cilit e kanë shënuar në ditën e solsticit dimëror. Ndoshta në vend të parë është rrethi – një simbol gjeometrik i diellit dhe Tokës, i fuqisë vitale. Rrethi është shenjë e hapësirës së përvetësuar kulturore.

Dikur darkën e ritit e kanë radhitur në dysheme. Anëtarët e familjes uleshin rreth saj në formën e rrethit. Në mëngjes pas Natës së Buzmit dikur i ushqenin pulat me grurë të temjanisur, duke e derdhur në rreth të vizatuar zakonisht me litar – kjo është njëfarë magjie për mbrojtjen e kafshëve dhe sigurimin e pjellorisë. Ndërsa nga kashta, ku ishin ulur në Natën e Buzmit, bëheshin tufa të vogla, ose kurora (përsëri rreth) dhe i lidhnin në pemë për të pasur më shumë fryte. Sipas përfytyrimeve popullore rrethi na mbron nga fuqitë e këqija dhe sëmundjet, duke krijuar pengesë mes hapësirës së përvetësuar dhe të papërvetësuar, midis kaosit dhe rendit... Rendi, i cili prishet dhe përsëri rimëkëmbet çdo vit në një kohë, me lindjen e diellit, të fillimit të ri, të Zotit të Ri. Sipas besimeve të lashta popullore të paraqitura në mite, legjenda dhe qëndisje dielli i porsalindur ulet nga qielli përmes degëve të Pemës Botërore, që ta shndërrojë jetën tokësore me fuqinë e vet vitale.

Zoti i Ri më vonë identifikohet me Krishtin e vogël, të cilin Shën Mëria e lindi në Krishtlindje. Sipas përrallave dhe këngëve popullore ajo u tha engjëjve, të cilët e kishin ndihmuar në lindje, të marrin një plloskë të artë, ta mbushin me verë dhe ta ftojnë ndonjë shenjtor për pagëzimin e fëmijës. Engjëjt fluturuan drejt detit, ku në atë kohë Shën Nikolla luftonte me stuhitë. I thanë atij për se kishin ardhur, ndërsa ai iu përgjigj kështu: “Zoti i ri është si zjarr, ndërsa unë para tij jam si kashtë e thatë.” Engjëjt fluturuan te Shën Vasili, por ai gjithahstu u refuzoi, pas kësaj shkuan tek Joan Pagëzori. Ai u gëzua dhe menjëherë ra dakord për ta pagëzuar fëmijën. Shkoi te Shën Mëria i përtheu mëngët, mori me dorën e tij të djathtë Zotin e Ri dhe me atë të majtë ngriti një kryq. Joan Pagëzori e çoi fëmijën pranë lumit Jordan dhe e zhyti atë në të, fundi i lumit u prarua, ndërsa brigjet u bënë të argjendta.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BTA dhe arkiv

Më shumë nga rubrika

Ngjitja e Zotit Jezu Krisht në Qiell është ndër festat e preferuara të bullgarëve

Sivjet më 13 qershor Kisha Ortodokse Bullgare kremton Ngjitjen e Zotit, ditën kur Krishti i Ringjallur ngjitet sërish në qiell te i Ati i Tij. Festa e madhe e krishterë është e lëvizshme dhe gjithmonë bie të enjten, ditën e dyzetë pas Ngjalljes së..

botuar më 24-06-13 6.10.PD

Fytyrat e folklorit ballkanik prezanton një ekspozitë fotografike në qytetin Kërxhali

Më 3 qershor, në Galerinë e Arteve "Krëg" në qytetin Kërxhali hapet ekspozita fotografike "Etno Paleta - Fytyrat e Folklorit Ballkanik" e gazetarit dhe historian Georgi Kullov. Ekspozita u frymëzua nga shumëllojshmëria e kostumeve tradicionale..

botuar më 24-06-03 6.35.PD

50 çeverme të Rodopeve i presin mysafirët e Farmfestës në Momçillgrad

Në rrëzë të parkut pyjor të qytetit të Momçillgradit në malin е Rodopeve, zhvillohet edicioni i dytë i Farmfestës "Momçillgrad". Festivali i fermerëve u ofron vizitorëve të tij pjata të shijshme nga Rodopet, njohje me kafshët dhe racat vendase,..

botuar më 24-05-25 6.40.PD