Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shteti do të vendosë rregulla në tregun e karburanteve

Foto: BGNES

Në kuadrin e një viti shteti duhet të ndërtojë dhe të vërë në shfrytëzim të paktën 100 pika karburanti në qytetet e mëdha dhe në autostradat e vendit, vendosi qeveria.

Deri tani tregu i lëndëve djegëse në vend ishte krejtësisht në duart e biznesit privat, ose thënë më saktë në duart e biznesit të huaj, ku dominojnë disa kompani të mëdha ndërkombëtare. Tani shteti po hyn në territorin e këtij biznesi me qëllimin ambicioz për ta shndërruar Kompaninë e re Shtetërore të Naftës në një prej lojtarëve kryesorë në tregun me pakicë dhe në atë me shumicë.

Çfarë fshihet prapa këtyre qëllimeve dhe çfarë presin konsumatorët e lëndëve djegëse te ne?

Ka shumë shembuj në botë të pjesëmarrjes së shtetit në tregtinë me karburantet, si të mirë, ashtu dhe dekurajues. Venezuela, shteti me rezerva më të mëdha të naftës, mbeti pa benzinë për shkak të dështimit të kompanisë shtetërore të naftës PDVSA. Situata është më e mirë në disa vende evropiane, ndër të cilat Hungaria, ku gjendja është e ngjashme me atë në Bullgari, dhe shtetet baltike, por edhe atje pjesa e shtetit është minoritare.

Vendimi i shtetit bullgar për të hyrë në biznesin me lëndë djegëse e ka logjikën e vet.Parashikohet që kompania e ardhshme shtetërore e naftës të ketë dy funksione kryesore – t’u shesë lëndë djegëse pikave të veta të karburantit dhe t’i ruajë lëndët djegëse në depot e veta, duke e rregulluar në këtë mënyrë tregun me pakicë dhe atë me shumicë.

“Qëllimet janë pozitive – më shumë konkurrencë, çmime më të ulëta, cilësi më e lartë, gjë që është e mirë për tregun, për konsumatorët, për të gjithë. Kjo e rrit besimin në tregun e naftës, ne jemi pjesë e këtij tregu, kështu qe kjo është më mirë edhe për ne.” Këto janë fjalë të Andrej Dellçevit nga drejtoria e Asociacionit Bullgar të Naftës dhe Gazit, ku bëjnë pjesë të gjitha firmat e mëdha të naftës dhe të gazit në vend. Sipas Simo Simovit, zëvendëskryetar i këshillit drejtues të Asociacionit të tregtarëve, prodhuesve, importuesve dhe transportuesve bullgarë të lëndëve djegëse, gjatë 10 viteve të fundit shteti ka bërë shumë për nxjerrjen në pah të biznesit me lëndët djegëse dhe aktualisht nuk mund të flitet për monopol, por më tepër për veprimin dominues të një prodhuesi. Në këtë lidhje ai përshëndeti idenë për krijimin e depove, të cilat të funksionojnë si shoqëri tregtare, sepse kjo do të lejojë që në treg të hyjnë pjesëmarrës të rinj.

Mjaftë më kritik ndaj planeve të shtetit është eksperti i njohur ekonomik dhe shef i Institutit për Ekonomin e Tregut Krasen Stançev, i cili shtroi çështjen për çmimin e projektit dhe për financimin e domosdoshëm të krijimit të rrjetit të ri.

“Do të jetë një nismë shumë e shtrenjtë, e cila nuk do ketë efektin e kërkuar, sidomos në një vit, kur kolegët e mi parashikojnë 2,2 - 2,3 mlrd leva (rreth 1.15 mlrd euro) deficit vetëm në degët e prekura nga gjendja e jashtëzakonshme”, vuri në dukje eksperti. Vëzhguesit në degë mendojnë se ndërtimi i vetë rrjetit prej 100 pikave të karburantit do të kushtojë nga 50 deri në 100 mln euro në varësi të faktit nëse terrenet do të jenë private, ose shtetërore dhe sa të mëdha do të jenë vetë pikat e karburantit.

Mirëpo, Ministri i Ekonomisë Emill Karanikollov dhe ai i financave Vlladisllav Goranov nuk dhanë një përgjigje konkrete për çmimin e ndërtimit të pikave të karburantit, si do të financohet ndërtimi dhe çfarë do të jetë fitimi. Vetëm u shpjegua se nuk shqyrtohet mundësia për ndërtimin e pikave të karburantit me mjete nga buxheti shtetëror dhe se kompania mund të marrë hua.

Ideja dhe projekti mbeten të diskutueshme. Ndërkaq, pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në biznesin me produktet e naftës dhe të gazit pohojnë zyrtarisht se e miratojnë, derisa ekspertët ekonomikë joqeveritarë mendojnë se nisma nuk ka kuptim dhe do të dështohet,duke nënvizuar se kthimi i shtetit në sektorin privat është një etapë e re e kapitalizmit shtetëror, i cili tashmë jo vetëm i harxhon paratë, por do që të kontrollojë ekonominë.

Shpresat e konsumatorëve që kjo të çojë në ulje të çmimeve të lëndëve djegëse në vendin ku ato janë ndër më të ulëtat në BE ndoshta janë të paarsyeshme.Sipas ekspertëve pritjet e mëdha për çmime të ulëta nuk janë reale. Më tepër është e mundur që shteti të kontribuojë për një kalim më të ngadaltë nga nivelet më të ulëta drejt niveleve më të larta të çmimeve.

Çfarë do të ndodhë pas shfaqjes së lojtarit të ri në tregun e lëndëve të karburantit, e ardhmja do ta tregojë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Inflacioni çon në qarkullim dhe kërkesë më të lartë të kartëmonedhave të reja 100 dhe 50 leva

Vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2024, Banka Kombëtare Bullgare nxori në qarkullim në vend rreth 11 milionë kartëmonedha të reja nga 100 leva. Nëse në fillim të vitit kishte më shumë se 131 milionë monedha në qarkullim, në fund të shtatorit ato ishin..

botuar më 24-10-30 10.56.PD

Tregu i pasurive të paluajtshme ngriu

Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...

botuar më 24-10-28 9.07.PD

1.6 milionë bullgarë punojnë me paga nën nivelin e jetesës

1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..

botuar më 24-10-24 1.17.MD