Sipas Komisionit Rregullator të Energjisë dhe Ujit, çmimet e energjisë elektrike, ngrohjes qendrore dhe ujit duhej të rriteshin mesatarisht me 11 dhe 12%, që nga 1 janari. Ngrohja në Sofje duhej të ishte edhe më e shtrenjtë me një rritje prej 30%. Pritej që rregullatori i pavarur i energjisë dhe ujit të merrte një vendim të tillë të mërkurën.
Në përputhje me premtimet e liderit të partisë në pushtet “Po e vazhdojmë ndryshimin” dhe Kryeministër Kirill Petkov se nuk do të ketë rritje të çmimit, Parlamenti vendosi të mërkurën (15 dhjetor) të japë kontributin e tij legjislativ për ndalimin e “fluturimit” të çmimeve. Me sugjerimin e opozitës dhe partisë së deritanishme në pushtet GERB, ligjvënësit miratuan me nxitim një moratorium për çmimet e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit me një shumicë dërrmuese prej 186 nga gjithsej 240 ligjvënësit, duke ruajtur nivelin e çmimeve nga 1 janari 2021. U krijua gjithashtu një komision hetimor parlamentar i cili brenda një muaji duhet të studiojë problemet e energjisë dhe të propozojë zgjidhje të qëndrueshme.
Moratoriumi i vendosur shkaktoi një valë komentesh kontradiktore të politikanëve, qytetarëve dhe ekspertëve, të cilat përfundimisht çuan në rishikimin dhe korrigjimin e vendimit nga parlamenti. Në versionin e ri të 16 dhjetorit, vendimi parashikon ngrirjen e çmimeve në nivelin e 16 dhjetorit për një periudhë deri më 31 mars 2022.
Në një pozitë të përbashkët, kompanitë bullgare të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe Operatori i Sistemit të Energjisë Elektrike në pronësi shtetërore kundërshtuan ashpër "përpjekjet për të ndjekur politikën sociale shtetërore nëpërmjet mekanizmave për të frenuar artificialisht çmimet e energjisë elektrike", duke shtuar se kjo "kërcënon me kolaps të gjithë sistemin energjetik". Nga ana e tij, ish-Ministri i Energjetikës Rumen Ovçarov e përshkroi vendimin e Parlamentit si "të pakuptimtë" dhe e hodhi poshtë atë kategorikisht, ndërsa Nikolla Jankov, një ish-Zëvendësministër i Ekonomisë dhe Transportit, e komentoi çështjen para BNR-së sa vijon:
“Moratoriumi për çmimet e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit është një veprim zhgënjyes, i papajtueshëm me konceptin e "ekonomisë së tregut." Në një vend modern evropian, gjërat nuk drejtohen nga moratoriumet. Një çështje tjetër është nëse kjo është e ligjshme. Parlamenti nuk mund të rregullojë çmimet në një ekonomi tregu.”
Një start të vështirë të punës së Parlamentit të ri dhe të qeverisë së re prognozuan ekspertët për shkak të kaosit rreth çmimeve të energjisë dhe veprimeve jokonsistente të dy institucioneve. Politologu Dejan Kjuranov e quajti fillim e punës së Parlamentit të ri “start të rremë”, ndërsa sipas disa vëzhguesve të tjerë, mungesa e përvojës është arsyeja e mundshme për këtë konfuzion të Kuvendit Popullor, gjë që çoi në një rishikim të vendimit të tij të marrë një ditë më parë.
“Është fakt se duhet gjetur një mënyrë për të kompensuar konsumatorët familjarë për çmimet e larta të gazit natyror dhe energjisë elektrike. Megjithatë, tani ka një pyetje tjetër - si do të kompensohen kompanitë e ngrohjes qendrore për diferencën midis çmimit të blerjes së gazit natyror nga furnizuesi Bulgargaz dhe çmimit të shitjes, tha për BNR drejtori ekzekutiv i kompanisë Nikollaj Pavllov.
Moratoriumi do të vonojë rritjen e çmimit për konsumatorët bullgarë gjatë dimrit të vështirë, por nuk dihet se kur dhe çfarë çmimi do të duhet të paguajnë ata më vonë për çmimet e ngrira deri në rimëkëmbjen e tyre në nivelet e tregut. Atëherë do të duhet të miratohen masat e shtyra sociale për kompensimin e qytetarëve të varfër bullgarë, të cilët e kanë vështirë të paguajnë çmimin e energjisë. Nuk është rastësi që Kryeministri Kirill Petkov tha se para çdo një rritjeje të çmimeve tash e tutje duhet të zhvillohet një analizë e plotë e faktorëve që e kërkojnë dhe se konsumatorët nuk duhet të paguajnë çdo një rritje.
Foto: Arkiv
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në konsultimet me presidentin Rumen Radev për formimin e qeverisë në kuadër të Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor, bashkëkryetari i grupit të pestë më të madh parlamentar - "BSP - E majta e bashkuar" Atanas Zafirov shprehu bindjen se duhet të..
Në konsultimet e sotme me presidentin Rumen Radev për formimin e qeverisë në kuadër të Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor, kreu i partisë nacionaliste "Vëzrazhdane" Kostadin Kostadinov tha se partia e tij është e gatshme të propozojë një..
Formimi i shumicës është një detyrë mjaft sfiduese në një parlament shumë të fragmentuar. Më vjen mirë që KuvendiPopullor po fillon të punojë, tha presidenti Rumen Radev në fillim të takimit me përfaqësuesit e GERB-SDS në Presidencë. Gjatë..