Një histori e denjë për një subjekt filmi - kështu mund ta përshkruajmë shkurt jetën e bashkatdhetarit tonë Ognjan Gavrillov, i cili u realizua me sukses jashtë shtetit. Bullgari Ognjan Gavrillov u nis për në vendin e mundësive të pakufizuara në vitin 1999, pas mbarimit të shkollës së mesme matematikore në Sofje. Sot, ai është një nga avokatët më të mirë në zonën e Sakramentos, Kaliforni, dhe ka dy zyra avokati në Sakramento dhe Los Anxhelosit. Është i martuar lumturisht me një grua kineze dhe është baba i dy fëmijëve që mbajnë emrat e bukur bullgarë - Najden dhe Rada.
“Zyra punon që nga viti 2009 me një ekip prej 20 vetash. Klientët tanë janë institucione financiare dhe shtetërore, kompani ndërkombëtare, si dhe persona privatë”, tha Gavrillov në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ai nuk e fsheh krenarinë e tij se në vitin 2020 u zgjodh Avokati Gjyqësor i Vitit në zonën e Sakramentos mes 14 mijë kolegëve të tjerë. Ka shumë procese që kanë lënë gjurmë serioze në praktikën e tij, por bullgari thekson një prej tyre që ka pasur jehonë më të madhe në shoqëri:
“Në vitin 2020, fillova proces kundër guvernatorit të Kalifornisë për shkak të pandemisë. Ai mbylli restorantet dhe sallonet e flokëve sepse ato paskan kontribuuar më shumë në përhapjen e infeksionit të koronavirusit, sesa vendet e tjera publike dhe bizneset. Falë këtij procesi, këto objekte në zonën e Sakramentos u hapën tre javë e gjysmë më herët se ato në pjesën tjetër të shtetit”.
Në Bullgari veprimtaria e avokatit gjyqësor është pak e njohur, pasi për nevojat e procesit gjyqësor në vendin tonë, prania e një personi të tillë nuk është e nevojshme.
Falë autoritetit dhe pozitës së tij si nënkryetar dhe bashkëthemelues i Dhomës Sllavo-Amerikane të Tregtisë, Ognjan Gavrillov arriti një tjetër triumf - të shpallë Ditën e Trashëgimisë Sllave në Kaliforni, më 24 maj. Kjo ndodhi në vitin 2013. “Po vazhdon të jetë një ditë pune, por është një projekt imi, të cilin më vjen mirë që arrita ta realizoj”, thotë me krenari avokati, duke shtuar:
“Dhoma Sllavo-Amerikane e Tregtisë bashkon polakët, ukrainasit dhe rusët dhe bizneset e tyre, si dhe bizneset e kombësive të tjera që duan të punojnë me komunitetin sllav. Numri i komunitetit sllav në shtet është mbi 1 milion njerëz. Vetëm në Sakramento ata janë rreth 200 000 veta.
Ognjan Gavrillov u kushton një pjesë të konsiderueshme të kohës së tij çështjeve të ndryshme që bashkojnë komunitetin bullgar në rajon. Para pak kohe ai u zgjodh president i një organizate të re joqeveritare që do të bashkojë bullgarët nga 13 shtetet që janë në distriktin e Konsullatës së Përgjithshme të Bullgarisë në Los Anxhelos. Edhe pse është ende në proces themelimi, organizata tashmë ka planifikuar iniciativa për ta bërë komunitetin bullgar më të njohur ndër amerikanët. Planet përfshijnë ndërtimin e një monumenti për alfabetin cirilik, mbajtjen e një festivali kinematografik bullgar në Los Anxhelos, si dhe dorëzimin e çmimeve vjetore në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës. Tani për tani në fazën më të avancuar është puna për ndërtimin e monumentit - modeli është krijuar nga skulptori Broni Likomanov, pritet që Konsullata bullgare të koordinojë vendin ku ai do të vendoset.
"Jemi duke punuar me Konsullatën për themelimin e një festivali bullgar të filmit - shpjegoi Ognjan Gavrillov - Presim që ata të na ndihmojnë të gjejmë filma. Sponsorët përsëri do të jemi ne, të cilët jemi në thelbin e organizatës joqeveritare. Mendoj se do të jetë brenda 2-3 ditëve, dhe tani planifikojmë të shtojmë dhe një çmim për produksionet pjesëmarrëse.”
Bashkatdhetari ynë shpreson që kjo ide të realizohet për disa muaj.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personal, bulgarica.com, Facebook / Consulate General of Bulgaria in Los Angeles
Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..
Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë..
Bullgarë janë të parët në botë që guxuan dhe arritën të kalojnë nga fundi në fund hapësirën më të paparashikueshme oqeanike - Oqeanin Arktik, me një varkë me vozitje. Stefan dhe Maksim Ivanovi janë baba dhe bir që realizuan edhe më parë ekspedita..