Për një vit tjetër Agjencia për Bullgarët jashtë Shtetit do të nderojë fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën që morën pjesë në konkurse për këngë, vizatim apo vepër letrare kushtuar vendit tonë. Ceremonia zyrtare do të mbahet më 3 gusht në Pallatin Kombëtar të Fëmijëve në Sofje nën patronazhin e Nënpresidentes Ilijana Jotova.
Nismat që organizon dhe mbështet Agjencia për Bullgarët jashtë Shtetit janë pjesë e rëndësishme e misionit të saj për të përkrahur lidhjen e bullgarëve jashtë vendit me atdheun e tyre. Kohët e fundit punon si Agjenci Ekzekutive të integruar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe që nga mesi i korrikut drejtohet nga Rajna Manxhukova:
“Synimi im është ta bëj Agjencinë të dukshme për institucionet tona, të rikthej autoritetin e saj, edhe pse e di që është e vështirë. E kam fjalën për mundësinë që institucionet apo ministritë në vendin tonë t’i marrin seriozisht problemet e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë, të cilat i paraqesim. Të na pranojnë si një institucion që i njeh mirë problemet e bullgarëve jashtë vendit dhe mund të ofrojë zgjidhjet e tyre” - theksoi Manxhukova në një intervistë për Radio Bullgarinë.
14 vite nga karriera e saj profesionale kaluan në Agjenci dhe tani është në krye për herë të dytë (e para ishte në periudhën gusht 2009 deri në maj 2010) dhe evidenton se ka një përmirësim në komunikim:
“Agjencia është pjesë integruese e Ministrisë së Punëve të Jashtme që nga fundi i prillit, por deri më 15 korrik nuk kishte drejtor ekzekutiv. Në ministri ka njerëz të veçantë me të cilët diskutojmë procedurat dhe proceset aktuale dhe ata lëvizin në mënyrë më operative sesa kur ishim pjesë e Këshillit të Ministrave.”
Në dy javë që kur është në detyrë Raina Manxhukova zhvilloi një sërë takimesh me mësues nga shkollat e së dielës jashtë vendit, me përfaqësues publikë dhe kulturorë, kauza e të cilëve janë bashkatdhetarët tanë jashtë shtetit.
“Fatkeqësisht, vitet e fundit, jo pa përfshirjen e qeverive të mëparshme dhe individëve të veçantë, Agjencia u shndërrua në një njësi për lëshimin e dokumenteve administrative. Funksioni i saj ndërlidhës ndërmjet institucioneve dhe organizatave në vendin tonë dhe bullgarëve jashtë humbi plotësisht. Dy vitet e kufizimeve të shkaktuara nga pandemia e përkeqësuan më tej situatën. Ne thjesht rinovuam takimet tona me ta për të parë situatën aktuale në të cilën ndodhen, për të menduar se si agjencia mund të jetë e dobishme për ta dhe cilat çështje nuk janë pjesë e kompetencave të saj.”
Ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë Bullgare, sipas të cilit Ministria e Drejtësisë nuk do të ketë më nevojë për certifikatat e origjinës bullgare të lëshuara nga Agjencia, do të lehtësojnë deri diku burokracinë dhe do të lejojnë që ekipi të angazhohet në mënyrë më aktive në ndërveprimin me komunitetet tona në mbarë botën.
“Agjencia vazhdon të lëshojë certifikatat e origjinës të kërkuara nga Drejtoria e Migracionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por fluksi i aplikimeve tashmë është më i vogël. Megjithatë, puna për to kërkon shumë kohë.”
Ndërkohë, vazhdon puna për çështje të tjera me prioritet, një prej të cilave është ndihma e bashkatdhetarëve tanë që kërkojnë strehim nga armiqësitë në Ukrainë. Si pasardhëse e bullgarëve të Besarabisë, që nga fillimi i luftës, Rajna i kushton gjithë kohën, energjinë, njohjet dhe kontaktet e saj për të ndihmuar refugjatët që kërkojnë mbrojtje.
“Qendra për bullgarët e Besarabisë, të cilën e drejtova përpara se të pranoja pozicionin në Agjenci, u jepte ndihmë të gjithëve. Unë kundërshtova çdo përpjekje për të ndarë njerëzit. I kërkova Sekretarit të Përgjithshëm informacione se çfarë bëri Agjencia që nga fillimi i luftës. Tani pasi jam këtu, dua të shoh punën e Agjencisë në këtë drejtim, sepse kam një ide se çfarë mund të bëj dhe si mund ta arrij atë.”
Tashmë planifikuan një koncert të madh bamirësie për të mbledhur fonde për të ndihmuar bullgarët në Ukrainë. Në këtë mënyrë Agjencia për Bullgarët jashtë Shtetit do të shënojë 29 tetorin - Ditën e Bullgarëve të Besarabisë, e cila u bë traditë në dy dekadat e fundit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv personalVazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..
Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..
Në prag të Lindjes së ndritur të Krishtit – Natën e Buzmit, Shenjtëria e Tij Patriku Bullgar Daniill dhe Mitropolit i Sofjes iu drejtua të gjithë fëmijëve të Kishës sonë Ortodokse. “Në lutje të qeta, të mbledhur rreth vatrës së ngrohtë të shtëpisë,..
Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të..