Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shijoni Survën – live ose online!

Pernik është gati për festivalin dimëror më të zhurmshëm dhe të larmishëm në Evropë - "Surva"

20 grupe të huaja nga Evropa Perëndimore dhe Ballkani pritet të prezantohen në paradën e maskaradës

21
Foto: surva.org

Pernik ndodhet vetëm 35 km në jugperëndim të Sofjes dhe të gjithë e njohin si "qytetin e arit të zi" ose "qyteti i minatorëve". Megjithatë, vitet e fundit, pamja e Pernikut ka ndryshuar dhe ne e lidhim gjithnjë e më shumë qytetin me festën e tij të zhurmshme dhe plot ngjyra "Surva", e cila e ka marrë emrin nga një traditë e lashtë popullore përmes së cilës njerëzit e përzënë dimrin me shumë zhurmë dhe maska të frikshme kafshësh. Që nga kohërat e lashta, në muajin e parë dhe më të ftohtë të Vitit të Ri, në këtë pjesë të vendit tonë bëjnë parada burra, të maskuar me kostume të frikshme (të quajtur kukeri, survakari, babugeri), me zile të rënda në bel, ritual i të cilëve ka rolin e rëndësishëm të largimit të djajve dhe të fillimit të një viti të ri të mbarë.

Sot, ky ritual është ruajtur dhe po fiton popullaritet më të gjerë, dhe ish-qyteti i minierave është bërë një qendër grumbullimi për të gjithë grupet e survakarëve, kukerave, babugerave nga të gjitha anët, ku është ruajtur një traditë e ngjashme maskarade.

Na ndajnë vetëm pak orë nga festivali i XXXI-të "Surva" në Pernik. Ky është festivali më i madh dimëror në Evropë, i cili e kthen qytetin bullgar në një kryeqytet të karnavaleve dimërore evropiane - thonë organizatorët nga Bashkia e Pernikut. Vlen të përmendet se numri i pjesëmarrësve në procesionin e maskaradës rritet çdo vit. Këtë vit priten mbi 12 mijë pjesëmarrës, duke përfshirë 20 grupe të huaja nga Evropa Perëndimore dhe Ballkani. Të gjitha janë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Lojërave të Maskaradës “Surva”.

Paradat fillojnë sot, më 24 janar dhe do të vazhdojnë të shtunën dhe të dielën, më 25 dhe 26 janar, në mënyrë që secili të tregojë traditën e rajonit të tij para publikut. "Kjo na lejon të mbledhim të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë nga vendi dhe të mos largojmë askënd. Dhe këtë vit ka një numër rekord të fëmijëve në mesin e pjesëmarrësve - gati 2 mijë. Kjo tregon se tradita jo vetëm që ruhet, por po ashtu vazhdon të zhvillohet”, thotë Adrian Skrimov nga Bashkia Pernik:

“Natyrisht që edhe festivali po zhvillohet. Dhe këtë vit kushdo që dëshiron, por nuk mund të jetë me ne, mund ta ndjekë festivalin përmes platformës sonë online /Surva.org/, përmes faqes sonë në Facebook, ndërsa për banorët e Pernikut, televizioni vendas do të transmetojë karnavalin live. "Surva" nuk do të mund të realizohej dot pa mijëra pjesëmarrësit e saj që janë edhe bartës të traditës. Një lajm i mirë është se numri i tyre po rritet gjithnjë e më shumë dhe këtë vit vijnë 10 grupe të reja bullgare. Ato ose kanë marrë pjesë në sfilatën më shumë se 30 vjet më parë, ose nuk kanë marrë pjesë fare sepse janë të sapokrijuara. Dhe këtë vit, grupet vijnë nga Italia, Spanja, Portugalia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Rumania, Greqia dhe, natyrisht, miqtë tanë nga Sllovenia. Ata janë të preferuarit e publikut”.

Siç thonë banorët e fshatrave afër Përnikut, lojërat e maskaradës kanë qenë këtu që nga kohërat e lashta. Festivali i parë i organizuar "Surva" u mbajt në vitin 1966 dhe ka pasur një numër modest të pjesëmarrësve nga këndvështrimi i sotëm, vetëm 800 - kujtojnë nga Bashkia Pernik. Fillimisht, ai mbahej në periudha të ndryshme kohore - çdo 4 vjet ose çdo 2 vjet, por që nga viti 2008 filloi të organizohet çdo vit.

Gjithçka rreth festivalit është autentike dhe bazohet në traditën e lashtë të survës në rajonin e Pernikut. Dhe i ftohti në janar është një nga avantazhet e “Surva”, siç thonë survakarët vendas. “Ky është pikërisht sezoni, ku të gjithë në Pernik mund të veshin kostumet e tyre të rënda prej leshi dhe lëkure kafshësh”, shpjegon Adrian Skrimov. Të ftuar ndërkombëtarë tashmë po vijnë për të treguar traditat dhe larmishmërinë e tyre:

"Ne përpiqemi që grupet të jenë të ndryshme çdo vit, në mënyrë që banorët e Pernikut dhe të ftuarit e festivalit të shohin tradita të ndryshme dhe mënyra të ndryshme maskimi. Kemi grupe interesante maskaradash nga Maqedonia e Veriut, dhe tradita shumë interesante të italianëve të cilat janë shumë afër tonave, janë shumë mbresëlënëse. Ritmi i lëvizjeve të tyre është i ndryshëm, por në dukje ngjajnë shumë me survakarët dhe kukerët tanë. Po ashtu edhe portugezët, të cilët gjithashtu i afrohen shumë mënyrës së maskimit bullgar."

“Këtë vit në hapjen e festivalit të premten do të marrin pjesë më shumë se 250 kërcimtarë, akrobatë, xhonglerë zjarri, këngëtarë, muzikantë, si dhe kukera, babugera dhe shumë të tjerë”, - tregon një pjesë të programit, Adrian Skrimov, duke shtuar se është pikërisht hapja e festivalit “Surva” që i sjell atij emocionin dhe gëzimin më të madh, si një person nga publiku:

“Çdo vit festivali ka një pamje të ndryshme dhe ne mundohemi që çdo herë ta bëjmë ndryshe, por motoja e këtyre lojërave maskaradë mbetet e pandryshuar dhe ajo është “Gëzohuni në Surva”. Kjo është edhe ftesa – prandaj ejani në Pernik në janar 24, 25 dhe 26 janar, që të gjithë të kënaqemi dhe të argëtohemi së bashku në karnavalin më të larmishëm, më të zhurmshëm dhe më të madh në vendin tonë dhe në Evropë!"
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në mes të bukurisë magjike dimërore të rajonit Kraishteto

Kraishteto është një rajon në Bullgarinë Perëndimore, afër kufirit me Serbinë, i njohur për bukuritë e ruajtura natyrore. Në dekadën e fundit, ky rajon gëzon një interes në rritje në mes të turistëve. E megjithatë këtu mund të endesh për orë të tëra..

botuar më 25-01-17 7.09.MD

Në shpatet diellore të vendpushimit bullgar të skive "Borovec" ditët e para të 2025

Për shumë njerëz, është një ëndërr të fillojnë vitin e ri mes bukurisë së qetë të një pushimoreje malore të mbuluar me borë. Vendpushimi i njohur bullgar i skive Borovec, i cili është vetëm një orë me makinë nga kryeqyteti bullgar Sofje,..

botuar më 25-01-06 6.33.MD

Bora e parë ndryshoi Sofjen

Kryeqyteti bullgar u gdhi me reshje të dendura bore dhe mbulesë dëbore të grumbulluar. Aeroporti i Sofjes funksionon normalisht në kushtet e dimrit, njoftuan për BTA nga qendra e shtypit e aeroportit të kryeqytetit. Gjithashtu kryhen..

botuar më 24-11-12 12.55.MD