A e dini se fotografia e parë fiks në botë është një imazh i hënës? Është bërë nga francezi Louis Daguerre në vitin 1839. Më 19 gusht të po këtij viti, metoda fotografike e shpikur prej tij - daguerreotipia - u njoh nga Akademia Franceze e Shkencave dhe Arteve të Bukura. Kështu lindi “letërsia e dukshme”, sipas fjalëve të shkrimtarit të madh argjentinas Julio Cortazar, e cila kapërceu kufijtë gjuhësorë, kulturorë, fetarë dhe etnikë. Njerëzit filluan të tregojnë histori në një foto dhe tua deklarojnë realitetin e tyre brezave të ardhshëm. Fotografia bardh e zi hyri masivisht në jetën tonë në fillim të shekullit të 20-të. Në Bullgari fotografia artistike u njoh si art në vitin 1957 dhe disa vite më vonë u hap klasa e parë e specializuar në Teknikumin e atëhershëm të Grafikës në Sofje.
Sot e konsiderojmë fotografinë si diçka krejt të zakonshme, por duke folur për artin e imazhit, “syri” i personit pas objektivit është me rëndësi të madhe. “Ajo që e sheh fotografi dhe nëse mjafton për të arritur atë nivel të magjisë, që nuk është e natyrshme në asnjë art tjetër, e përcakton vlerën” - thotë regjisorja teatrale Elena Panajotova për Radio Bullgarinë.
“Pas zbulimit të fotografisë, artet pamore ndryshuan. Më e rëndësishmja, imazhet dokumentare, veçanërisht pas viteve 1990, u rehabilituan plotësisht dhe filluan të ekspozohen në galeritë kryesore krahas veprave të pikturës. Fotografia është një formë dialogu - çdo foto tregon një histori. Është një art, që e paraqet çastin e veçantë në një mënyrë në të cilën asnjë artist tjetër nuk mund të reagojë kaq shpejt. Pikërisht kjo është magjia e fotografisë. Na jep akses në vende dhe ngjarje që nuk mund të shihen në asnjë mënyrë tjetër”, thotë regjisorja.
Gjatë muajit gush Elena Panajotova dhe fotografi profesionist Atanas Kënev hapën ekspozitën e tyre të përbashkët "Larg Afrikës" në Galerinë e Arteve të qytetit të Plovdivit.
Të dy treguan momentet e tyre të kapura nga një aventurë e quajtur "Artistët për Fëmijë", një program artistik dhe social i Fondacionit DEN GRI, i drejtuar nga Elena Panajotova në Keni (2011-2017) dhe në Shiroka Llëka, Bullgari (2002-2017).
"Këto janë foto të vendeve dhe njerëzve që publiku nuk ka se si t'i shohë ndryshe, dhe ato përfaqësojnë procesin tonë të punës me mbi 5000 fëmijë dhe të rinj në rrezik dhe 300 artistë nga Afrika dhe Evropa.Ju e shihni realitetin jashtë rrugëve turistike”, na tregoi Panajotova.
Ekspozita prej 150 kuadrosh përfshin gjithashtu peizazhe nga Kenia dhe Zanzibar, dhe pikërisht ngjyrat i bëjnë ato origjinale. Sipas Atanas Kënevit drita në Keni është e ndryshme dhe unike për shkak të pozicionit të ulët të Diellit ndaj tokës rreth Ekuatorit.
Elena ia kushton ekspozitën babait të saj Panajot Panajotov, i cili për shumë vite ishte drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore “Fotografia bullgare” në Plovdiv.
“Në fakt, fëmijëria ime është fotografia. Ajo më “infektoi” me magjinë që më çoi në teatër. Unë kam mësuar shumë nga babai im. Për të, fotografia ishte një mënyrë për të treguar dhe për të njohur botën rreth tij. Dhe kur fillova të udhëtoj, ishte një sfidë dhe emocion i madh të zhytesha në të ashtuquajturën “fotografi të udhëtimit” dhe përmes saj të ndaja gjithçka të përjetuar në të gjitha këto vende kaq të ndryshme dhe kaq të largëta”.
Eksperienca fotografike “Larg Afrikës” e nisi rrugëtimin nga Plovdivi, vendlindja e Elenës dhe Atanasit, por të dy besojnë se ky është vetëm ndalesa e parë e një udhëtimi të gjatë.
Ekspozita tashmë është ftuar në Bllagoevgrad. Në fund të vitit pritet të dalë filmi i ri i regjisores Zornica Sofia “Nëna”, i cili është frymëzuar nga puna e Elena Panajotovës me fëmijë në rrezik dhe do të jetë një lexim kinematografik i realitetit nga fotot që u treguan gjatë muajit gusht në Plovdiv. Dhe qëllimi përfundimtar është një - që arti të zërë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në procesin arsimor në Bullgari. “Sepse ai në përgjithësi mund të ndryshojë mënyrën se si rriten fëmijët, që të bëhen individë krijues, të ndjeshëm, të pjekur të cilët të mund të ndryshojnë botën në të ardhmen”, është e bindur bullgarja. Por deri atëherë: "Çdo fotografi është një certifikatë pranie," siç ka thënë eseisti francez, kritiku letrar dhe filozofi i kulturës Roland Barthes .
*Në vitin 2016, programi “Artistët për Fëmijë” ishte ndër 8 projektet nga 1800 gjithsej nga e gjithë bota të mbështetura nga UNESKO-ja për të kontribuar në diversitetin kulturor në botë.
*Elena Panajotova është regjisore teatrale, producente dhe pedagoge në Bullgari dhe jashtë saj. Ka qenë profesoreshë për një kohë të gjatë në Akademinë e Arteve në Utrecht, Holandë dhe në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Elena Panajotova, Atanas Kënev, arkiv personal
Bullgarja Sasha Bezuhanova, një menaxhere e njohur ndërkombëtarisht në industrinë dixhitale dhe një filantrope, u nderua me çmimin prestigjioz Women in Tech Global Lifetime Achievement 2024 për një kontribut të përgjithshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe..
"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Bashkëbiseduesja jonë ndjek gjurmët e dashurisë, të cilat e çojnë në një vend tjetër, në një..
Vetëm disa kilometra në perëndim të kufirit midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe rreth 40 kilometra nga qendra rajonale e Korçës ndodhet qyteti shqiptar i Bilishtit. Pjesë e popullsisë intelektuale atje është edhe Llazo Nestori - përfaqësues i pakicës..