Programi i kulturës i BNR-së “Hristo Botev” për të dytin vit radhazi organizon fushatën “Ambasadorë Bullgarë të Kulturës”. Ideja është të nderohen shkrimtarët, poetët, dramaturgët, piktorët, aktorët, këngëtarët dhe kompozitorët, përfaqësuesit e artit të kërcimit etj., të shquar bullgarë, të cilët me krijimtarinë e tyre gjatë vitit 2022 kapërcyen kufijtë gjeografikë të vendit tonë. Këta janë bullgarët që e bëjnë Bullgarinë të njohur në hapësirën kulturore botërore.
“I ftojmë dëgjuesit tanë të sugjerojnë emrat e artistëve tanë të këtij lloji që kanë spikatur në vitin 2022 dhe të cilët sipas tyre mund të quhen “ Ambasadorë Bullgarë të Kulturës”, tha Nina Caneva, gazetare e programit “Hristo Botev”, njëkohësisht dhe iniciator dhe shtytës kryesor i fushatës, në një intervistë për Radio Bullgarinë. Dhe më shume:
“Kjo iniciativë pati mbështetje edhe nga organizata e artistëve bullgarë jashtë vendit, gjë që tregon se është e mundur të ndërtohet një urë lidhëse midis artistëve në Bullgari dhe atyre që punojnë jashtë dhe të realizohet çdo vit një takim në transmetim për të promovuar emrat e tyre, punën e tyre, e cila të bëhet e njohur edhe këtu në vendin tonë. Fatkeqësisht, dëgjuesit tanë njohin më shumë artistët që jetojnë dhe punojnë në Bullgari dhe janë të njohur në hapësirën kulturore botërore, në kurriz të artistëve tanë jashtë vendit. Dhe unë jam shumë e lumtur për një takim në Lidhjen e Gazetarëve Bullgarë, i cili u organizua me artistë nga jashtë Bullgarisë, ku u shfaqën botimet dhe librat e tyre të rinj të vitit 2022. Puna e tyre do të prezantohet në BNR në 12 muajt e ardhshëm. Në këtë mënyrë ne duam të kontribuojmë në krijimin e një bashkësie shpirtërore, të lirë të kulturës bullgare, pavarësisht nga gjerësia gjeografike në të cilën ajo shtrihet”, thotë Nina Caneva.
Në vitin 2021 dëgjuesit e medias sonë publike patën mundësinë për një muaj të nominojnë artistë nga të gjitha zhanret. Juria përzgjodhi emrat e 22 artistëve bullgarë midis dhjetëra propozimeve të pranuara.
BNR tani u bën thirrje dëgjuesve të dërgojnë propozimet e tyre në kulturniposlanitsi@bnr.bg deri më 16 dhjetor.
Në fillim të vitit të ardhshëm, një juri me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit Shtetëror të Kulturës, BNR, BNT, BTA dhe institucione të tjera do të përzgjedhë “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës” për vitin 2022.
“Dhe ambicia jonë më e madhe është të arrijmë të realizojmë, me mbështetjen e udhëheqjes së BNR-së, një forum kulturor të përvitshëm që do të bashkojë artistët brenda dhe jashtë vendit për të shkëmbyer përvojë, për të prezantuar kërkimet e tyre, për të komunikuar me institucionet bullgare në fushën e artit dhe kulturës. Sepse "shpirti është ai, që do të na ngrejë lart dhe do të na ndihmojë të kalojmë gjithçka që na ka ndodhur viteve të fundit" - këto janë fjalët e Zdravka Evtimova në video kartëvizitën e faqes së BNR-së, e cila prezanton pjesëtarët e edicionit të këtij viti, të cilët janë Zdravka Evtimova, Teodora Dimova, Teodosij Spasov dhe Prof. Gredi Assa. I falënderoj nga zemra për mbështetjen”, tha në përfundim Nina Caneva.
Shikoni kartëvizitën e fushatës me pjesëtarët e saj:
Aleksandër Shurbanov - poet dhe përkthyes, Venecija Karamanova - dirigjente, Georgi Gospodinov - shkrimtar, Gredi Assa - piktor, Zhaklin Vagenshtajn - botuese dhe kuratore, Zahari Karabashliev - shkrimtar, Zdravka Evtimova - shkrimtare, Jordan Kamxhallov - dirigjent, Kapka Kasabova – shkrimtare, Katrin Tomova - piktore, Ljudmill Angellov - pianist, Mari Vrina - përkthyese, Milla Iskrenova - koreografe, Mirella Ivanova - poete, dramaturge, Najden Todorov - dirigjent, Petër Vëllçanov - regjisor filmi, Sonja Jonçeva - këngëtare opere, Suzana Klinçarova - harpiste, Teodor Ushev - grafik dizajner dhe animator, Teodosij Spasov – muzikant, Juliana Antonova-Murata – shkrimtare, Javor Gërdev – regjisor.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij..
Në Varna hapet Festivali i 42-të i Filmit Artistik Bullgar "Trëndafili i Artë". Në programin konkurrues do të konkurrojnë 15 filma artistikë, 20 filma të shkurtër dhe 5 filma me seri. Hapja është mbrëmjen e 19 shtatorit në Qendrën e Festivalit dhe..
Kultura bullgare dhe traditat vendase, të cilat deri vonë dukeshin ekzotike për pjesën tjetër të botës, gradualisht po bëhen pjesë e kulturës botërore të shekullit të 21-të. Pasi ljutenica jonë dhe byreku ynë tradicional u përkufizuan si një..