Liqenet e Rilës dhe shkëmbinjtë e Bellogradçikut, maja Musalla e kepi Kaliakra, qyteti Mellnik dhe shpella Prohodna me Sytë e Zotit... Të panumërta janë bukuritë e Bullgarisë, para të cilave dridhemi nga admirimi dhe që ia tregojmë të gjithë të ftuarit nga jashtë, në mënyrë që ata ta kujtojnë dhe ta duan vendin tonë. Edhe pse i vogël për nga territori, vendi ynë fsheh aq shumë kënde mahnitëse sa që edhe ne bullgarët nuk i njohim shumë prej tyre. Prandaj, sot Radio Bullgaria vendosi të ftojë Ljubomir Angellovin nga Shtëpia Botuese “Bëllgari”, i cili, së bashku me natyrën e punës dhe pasionin e tij për udhëtime, bredh shumë nëpër vend. Me të do t’ju çojmë nëpër disa kënde të shkelura pak nga turistët, të cilat, pavarësisht se nuk janë shumë të njohura, bëjnë përshtypje dhe ia vlen t’i shihni dhe përjetoni.
Le të nisemi fillimisht në Bullgarinë Veriperëndimore, në rajonin e qytetit Vraca, në shpellën pranë fshatit Botunja, e njohur si “Goljamata Nisha”(Kamera e Madhe). “Udhëtimi më këmbë nuk është shumë i gjatë, por pas një ngjitjeje prej dhjetë minutash arrini në shpellë, ku mund të shihni një pamje të mrekullueshme të luginës së lumit Botunja”, tregon Ljubomir Angellov. Ajo që do t’ju mahnitë në brendësi të shpellës është një pemë e bukur e orientuar te drita përmes një hapjeje në kupolën shkëmbore. Në majë të kreshtës së shpellës ka edhe rrënoje të një fortese të lashtë.
Prej këtu ju ofrojmë të shkojmë në një tjetër fenomen natyror - shpellën e Urës së Zotit.
“Ura e Zotit është gjithashtu në rajonin e qytetit Vraca, në afërsi të fshatrave Liljaçe dhe Çiren. Është interesante se është shumë e bukur, por jo shumë e vizituar, që ndoshta është disi e mirë, sepse sapo të arrish, nuk ka turma turistësh që të pengojnë të admirosh bukurinë. Është një shpellë e kalueshme. Aty pranë ka rrënoja të një fortese të lashtë, ku duket qartë se kishte një restaurim, por nuk ka asnjë shenjë shpjeguese”, thotë Ljubomir.
Sipas tij, rruga atje është relativisht komode. Vetëm 1-2 km e fundit janë rrugë të dheut. Aty mund të lini makinën dhe të arrini atje në këmbë, duke bërë një shëtitje të lehtë dhe të këndshme.
Dhe tani le të kalojmë në malin Rodopa dhe fshatin piktoresk Ravnogor, i cili ndodhet në një lartësi prej 1350 m mbi nivelin e detit.
“Fshati ndodhet lart në një fushë, i rrethuar me male, nga të cilat ka pamje të mrekullueshme. Ndoshta fenomeni më i vizituar është Bekovi skali (Shkëmbinjtë Bekovi), nga ku hapet një pamje te diga Vëça dhe majave të Rodopeve Perëndimore. Unë kam shkuar atje disa herë, por më e paharrueshme ishte shëtitja dimërore në janar 2022, - kujton Ljubomir. – Ne ishim atje me miqtë pas një stuhie. Është lehtësisht e arritshme, një orë e gjysmë në këmbë nga fshati Ravnogor. Por kjo stuhi na ndaloi. Vendosëm të ktheheshim dhe e nesërmja ishte jashtëzakonisht e bukur – e mbuluar me 20-30 centimetra borë të re, me diell. Ishte e mrekullueshme!”
Këtu ka disa itinerare që përdoren për garat e vrapimit malor dhe të gjitha janë shumë të bukura. Aty pranë janë maja Shën e Diela dhe Shkëmbi i Kuq me pamje shumë të bukura prej andej. Është kënaqësi të ecësh nëpër male dhe, si kudo në Rodopet, vendasit janë shumë mikpritës, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Dhe tani po shkojmë në një vend nja 5-6 km larg qytetit Kërxhali. Atje, në breg të digës Studen Kladenec, ndodhet kalaja “Monjak” që daton nga shekujt XII-XIII, e cila dikur kishte një garnizon ushtarak.
“Nga aty ka një pamje të mrekullueshme të digës Studen Kladenec, të qytetit Kërxhali, të fshatit Lisicite dhe urës me litar (më e gjata në Bullgari). Ky është një vend i mrekullueshëm! Ne donim të kapnim perëndimin e diellit, sepse ishim në zonë. E lamë makinën. Prej andej, na u desh ndoshta një orë për të arritur në lartësinë, në kala. Ishte një nxitim i madh për të vendosur trekëmbëshat, për të gjetur një vend nga ku të fotografojmë, por ia vlente”, – thekson bashkëbiseduesi ynë.
Shëtitjen e sotme e përfundojmë përpara hapësirës ujore të digës së katërt më të madhe në Bullgari - Ogosta, e cila ndodhet afër qytetit Montana të Bullgarisë Veriperëndimore. Zona është e mirëmbajtur me shumë zona për çlodhje të ndërtuara me belveder dhe stola, tregon Ljubomir Angellov:
“Po kthehesha nga Bellogradçik. Një stuhi e rëndë kishte kaluar pasdite dhe një muzg i mrekullueshëm po afronte. Menjëherë vendosa të ndaloj pranë digës. Ishte hera ime e parë që erdha këtu. Isha dëshmitar i një perëndimi shumë të bukur.”
Kjo ishte një pjesë e vogël e bukurive më pak të njohura të Bullgarisë, për të cilat vendosëm t’ju tregojmë në fillim të vitit 2023.
“Shpresoj se njerëzit do të jenë në gjendje të eksplorojnë më shumë vende në Bullgari. Në fakt, kudo që të shkojnë, të ketë dikush me të cilin të ndajnë momentet”, uron Ljubomir Angellov në fund të takimit tonë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv personal
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata Bullgare e Hoteleve dhe Restoranteve për partneritetin më të mirë mediatik në vitin 2024. Çmimin..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe vendpushimet e skive të klasit botëror të mbuluara me borë.Në territorin e tij nga 111 000 kilometra..
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej 1520 njerëz në orë. Një propozim i ngjashëm i është dorëzuar Inspektoratit Rajonal për Mbrojtjen e..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata..