“Njeriu është bërë një faktor aktiv planetar, ndikimi i të cilit në mjedis dhe natyrë është i krahasueshëm me një ndikim meteori ose një katastrofë hapësinore globale”, tha për BNR disa kohë më parë Elena Tillova, eksperte në Organizatën “Ballkan të Gjelbër”. Sot, më shumë se kurrë, ne duhet të pranojmë se ne të gjithë jemi problemi, por edhe zgjidhja e shumë prej ndryshimeve klimatike të planetit tonë. Më 22 prill, për të 53-in vit radhazi, me iniciativa të ndryshme, më shumë se gjysmë miliardë njerëz në më shumë se 170 vende të botës shënuan Ditën e Tokës. Një ditë për të nderuar natyrën, duke menduar për lidhjen tonë personale me të dhe çfarë mund të bëjmë për shtëpinë tonë të madhe.
Një nga iniciativat këtë vit në Sofje ishte hapja e ekspozitës “Ne jemi Toka” nga Radoslava Boor. Projekti, i realizuar në Pragë me fotografin serb Milos Nesic, pasqyron çështjet globale mjedisore të rikrijuara përmes imazheve të fytyrave njerëzore. Radoslava kombinon teknikën e posterave, artit të trupit dhe fotografisë me dëshirën për të folur për çështjet mjedisore në një gjuhë të arritshme dhe emocionale. Ajo vetë jeton prej afro 17 vitesh në kryeqytetin çek Pragë me familjen e saj, por nuk ndalet së punuari me teatro, institucione dhe organizata kulturore bullgare.
“Në fakt, unë kam filluar të humbas identitetin tim për kombësi - tha bullgarja para Vesella Krësteva nga Radio Bullgaria dhe shpjegoi: - Sepse më duket sikur jam këtu, atje dhe kudo. Por kjo më duket mirë për krijuesen Radoslava Boor, sepse unë nuk identifikohem me probleme specifike të një vendi të caktuar, por i shikoj gjërat globalisht. Dhe kjo shumë herë më jep një pamje më interesante dhe më të freskët edhe për punën time, edhe për Bullgarinë.”
Pjesë e këtij multifunksionaliteti janë edhe projektet që krijon për një nevojë të brendshme. Ajo beson se me energjinë e pastër në to, arrin të përfshijë shumë njerëz të tjerë në punë për tema dhe çështje që e emocionojnë. Ashtu si tema e Tokës në të cilën jetojmë dhe ndryshojmë. Kështu, në vitin 2019, me lajmet për zjarret në Pyllin e Amazonës, lindi projekti “Ne jemi Toka”. Për bullgaren kjo nuk është vetëm një ngjarje e përditshme që nuk ka lidhje me jetën e saj. Ajo është thellësisht e bindur se gjithçka që ndodh në Tokë prek secilin prej nesh. Edhe kur flasim për ngjarje dhjetëra mijëra kilometra larg.
“Si piktore ndjej se kam mision të kultivoj shijen e njerëzve përmes gjërave që bëj. Dhe konkretisht në këtë projekt, misioni im u bë edhe edukativ për njerëzit, duke e emërtuar problemin dhe zgjidhjen e tij - ne jemi Toka. Ajo që ndodh na prek sepse jetojmë në këtë planet dhe problemet e tij shkaktohen nga aktiviteti njerëzor.”
Duke kërkuar informacione dhe fakte të besueshme për të vizualizuar problemet për të cilat flet, ajo kuptoi se vitet e fundit në trupin tonë janë gjetur shumë më tepër elementë kimikë dhe grimca plastike, nga të cilat lindin sëmundje të ndryshme që as nuk i dyshojmë. Dhe ne duhet të dimë! Dhe kështu Radoslava fillon me vizionin e parë - ajo vizaton Tokën në fytyrën e saj, dhe flokët e saj portokalli simbolizojnë zjarret e planetit tonë. Asaj iu bashkua edhe fotografi Milos Nesic. Të dy filluan të fotografonin të afërmit dhe miqtë e tyre dhe... erdhi pandemia Covid. “Njerëzit pushuan së interesuari për ekologjinë”, thotë Radoslava për Radio Bullgarinë.
“E shfrytëzova këtë moment për të dërguar disa nga fotografitë në festivale dhe bienale dhe ato u shfaqën në vende të ndryshme të botës, përfshirë Perunë, Finlandën, Iranin, Hungarinë, Ukrainën. Ato morën njohje nga profesionistë, dhe kështu u sigurova për vlerën e tyre artistike, përveç ndikimit të tyre thjesht emocional në publik. Tani, në fazën e dytë të projektit, kur m’u ofrua të bëja një ekspozitë, vendosa të shfrytëzoj njerëz të njohur, sepse një nga idetë e këtij projekti është të arrijë sa më shumë njerëz. Dhe personalitetet e njohura e kanë forcën për të tërhequr.”
Publiku bullgar është i pari që ka mundësinë të shohë koleksionin prej 20 portretesh. Ajo do të qëndrojë në Sofje deri më 5 maj. Nga 25 prilli deri në fund të gushtit “Ne jemi Toka” do të shfaqet në Muzeun Bujqësor Kombëtar në Pragë, dhe gjatë gjithë muajit qershor në ndërtesën e Komisionit Evropian në Bruksel.
Përgatiti në shqip: Svetllana DimitrovaFoto: Facebook /Radoslava Boor
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..