Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shënojmë 147 vjet nga Epopeja e Prillit

Kryqi i argjendtë nga fshati Poibrene u mbajt nga heronjtë e vitit 1876 në rrugën për në Golgotën Bullgare

Foto: Gergana Mançeva

Ka një shenjtëri nga e kaluara jonë heroike, para së cilës çdo bullgar duhet të qëndrojë me besim dhe të përulet me respekt, siç bënë paraardhësit tanë që morën pjesë në Kryengritjen e Prillit nga viti 1876. Kryqi i argjendtë nga fshati Poibrene u shenjtërua një shekull e gjysmë më parë jo vetëm si një send kishtar, por edhe me gjakun e një prej figurave më të rëndësishme të revolucionit - Georgi Benkovski.

1 Maji është një ditë që për ne bullgarët i barazohet një feste kombëtare, sepse në këtë ditë, sipas stilit të ri, shënojmë shpërthimin e Kryengritjes së Prillit - pikë kthese në rrugën drejt Çlirimit të Bullgarisë nga skllavëria osmane. Mbushen 147 vjet nga ai 20 prill i paharrueshëm (stili i vjetër) kur Todor Kableshkov shpalli kryengritjen para datës së caktuar paraprakisht, duke marrë në dorë konakun në qytetin malor Koprivshtica. Menjëherë pas aksionit të suksesshëm, Kableshkov shkroi “Letrën e famshme të Përgjakshme”, me të cilën njoftoi apostujt në qytetin e afërt Panagjurishte se kryengritja u shpall. Si përgjigje, banorët e qytetit Panagjurishte u ngritën në të njëjtën ditë. Megjithatë, forcat e rebelëve nuk ishin të krahasueshme me fuqinë e Perandorisë. Në vetëm një muaj kryengritja u mbyt në gjak. Më shumë se 30 000 njerëz vdiqën, por jeta e tyre nuk u humb kot, sepse sakrifica e tyre tërhoqi vëmendjen e botës.

Megjithatë, historia nuk është vetëm ajo që lexojmë në libra dhe tekste shkollore, ajo është e gjallë në kujtesën e popullit tonë. Historia e fatit të kryqit të argjendtë nga fshati Poibrene tingëllon pothuajse si një legjendë. Revolucionarët e morën atë si një shenjë e Mbrojtjes Qiellore mbi Çetën Fluturuese të Benkovskit.

Në fakt, vetë punimi i këtij kryqi ka një histori interesante. Në ato vite /rreth vitit 1850/ ishte një burrë me emrin Geno që jetonte në fshatin Poibrene. Ndërsa gërmonte vreshtin, ai gjeti një kavanoz të madh me monedha argjendi. Me këtë pasuri, ai bleu pronë dhe u pasurua, por më pas pasuan një sërë humbjesh të fëmijëve në familje. Atëherë të moshuarit i sugjeruan djalit të tij Ivan të bënte ndonjë bamirësi për kishën. Dhe në vitin 1865 ka shumë të ngjarë të ketë dhënë para argjendi nga kavanozi për të bërë një kryq të gdhendur. Kryqi iu dhurua kishës “Trinia e Shenjtë” në Poibrene. Mes banorëve vendas u përhap menjëherë lajmi se pas dhurimit, fatkeqësitë në familje pushuan. Kjo bëri që njerëzit nga afër dhe larg të dynden në kishë për të parë reliktin e mrekullueshëm.

Kryqi i fshatit Poibrene është një dëshmitar i pandryshueshëm i të gjitha ngjarjeve të pranverës së vitit 1876. Sot, kjo shenjtëri zë një vend qendror në ekspozitën “Kryengritja e Prillit 1876” të Muzeut Historik në qytetin Panagjurishte. Se si ky relikt kishtar nga Poibrene u bë një nga eksponatet më të rëndësishme për muzeun, mësojmë nga Irina Boteva, kryekuratore:

“Kryqi nga Poibrene u punua në vitin 1865 nga argjendarët e qytetit Panagjurishte, kur një banor i fshatit u jep argjend, me të cilin ata të punojnë një kryq. Nuk e dimë nëse është një legjendë apo e vërtetë, por banorët e fshatit Poibrene besonin fort se ky kryq ishte i shenjtë. Kur ai nxirrej nga kisha për të marrë pjesë në procesionet e litiumit, njerëzit fjalë për fjalë përuleshin në gjunjë dhe shtriheshin në tokë për të adhuruar kryqin e argjendtë. Për këtë arsye, At Nedeljo Ivanov, kur vendosi t’i bashkohet Çetës Fluturuese të Benkovskit, e mori me vete këtë kryq që të sillte fitore. Tregohet se ai u sëmur dhe pasardhësi i tij në bartjen e kryqit ishte At Kirill Slepov nga Manastiri Kallugerovski. Ai e shoqëronte Benkovskin pas shpërbërjes së çetës dhe ishte me të deri në vdekjen e tij. Pas Çlirimit, kryqi u kthye në kishën e fshatit Poibrene. Aty klerikët vendosën që vendi i tij duhet të jetë në muze, sepse është një nga reliktet e Kryengritjes së Prillit dhe kushdo që e sheh mund të mësojë për historinë e kryqit dhe të përkulet para tij. Kështu, ky kryq u bë simbol i Kryengritjes së Prillit dhe i heroizmit të kryengritësve nga Epopeja e Prillit” - tha Irina Boteva në përfundim të intervistës për Radio Bullgarinë.

Shikoni më shumë:

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: Gergana Mançeva, Muzeu Historik në qytetin Panagjurishte, BGNES





Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kompania 4093 – Emigrantët bullgarë krijojnë një njësi ushtarake speciale përtej Perdes së Hekurt

Kompania Kombëtare Bullgare Vullnetare 4093, si pjesë e Forcave të Armatosura Amerikane në Gjermaninë Perëndimore, u krijua më 20 tetor 1951. Ky nuk është një proces i lehtë, por tregon se ka një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh tanë që nuk janë..

botuar më 24-05-06 7.30.PD

Mijëra njerëz festuan 148 vjet nga shpallja e Kryengritjes së Prillit në Oborishtе

Mijëra bullgarë morën pjesë në pelegrinazhin kombëtar në zonën historike "Oborishte", rajoni i Pazarxhikut, ku në prill të vitit 1876 u krijua Kuvendi i Parë Kombëtar Bullgar dhe delegatët vendosën shpalljen e Kryengritjes së Prillit. Në fjalimin..

botuar më 24-05-02 4.18.MD
“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD