Shkrimtarja, përkthyesja dhe figura publike shqiptare Milena Selimi, e cila nga qershori i vitit 2023 është përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, rrjedh nga familja e një bullgareje dhe një shqiptari. Që nga viti 1964, nëna e saj, Janka Selimi, me origjinë nga qyteti Dobriç (Bullgaria Verilindore), ka promovuar gjuhën bullgare në Shqipëri si përkthyese në seksionin bullgar të Radio Tiranës, në institucione të ndryshme shqiptare dhe si pedagoge në Universitetin e Tiranës. Babai i Milenës, koreografi Skënder Selimi, është themeluesi i shkollës shqiptare të baletit, autor i teksteve mësimore për koreografinë dhe historinë e baletit, si dhe i monografive për vallet popullore shqiptare.
Vetë Milena, pasi mbaroi degën e filologjisë shqipe në Tiranë në vitin 1991, filloi punën si gazetare dhe skenariste e programeve për fëmijë në radiotelevizionin shqiptar. Në vitet 1990 kreu edhe studimet master për gazetari në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, më pas punoi si redaktore, producente, kryeredaktore dhe drejtore ekzekutive në Radio Tirana. Ajo ka qenë kryeredaktore e disa prej gazetave dhe revistave më të lexuara në Shqipëri, si dhe korrespondente e BBC-së. Në periudhën 2013-2015 ka qenë këshilltare e lartë për komunikimin mediatik në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe që nga viti 2019 është drejtore ekzekutive e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Tiranë. Megjithatë, radioja zë një vend të veçantë:
“Radioja është në zemrën time. Sa herë që kam mundësi, bëj gjëra edhe për radion. Me përkthimet e kam nisur kur isha studente në Tiranë. Për t'i njohur kolegët e mi shqiptarë me letërsinë bullgare, u përktheja tregimet e Elin Pelinit. Fillova të përkthej profesionalisht në vitin 2010. Më ndihmoi rrjeti “Traduki”, i cili u jep mundësinë njerëzve nga Ballkani dhe Evropa Lindore të njihen me njëri-tjetrin përmes letërsisë. Që atëherë e deri më tani kam përkthyer autorë nga Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kroacia. Georgi Gospodinovin e kam shumë përzemër. Unë jam përkthyese e librit të tij “Fizika e trishtimit”, ndërsa tani do të merrem edhe me librin “Strehim kohe”. Nëna ime është përkthyese e “Romanit natyral” të tij. Kam përkthyer “Misioni Londër” të Aleko Popov, “Lartësi” të Milen Ruskovit dhe më i vështiri për mua ka qenë libri i Kalin Terziyskit “A ka njeri që ju do?”. Aktualisht jam duke përkthyer romanin më të ri të profesor Zlatimir Kolarov ("Në sipërfaqen e hollë të akullit")
Interesi për autorët bullgarë po rritet në Shqipëri - na tregon Milena Selimi dhe shpjegon se si vendos se çfarë veprash nga letërsia bullgare do t'u prezantojë lexuesve shqiptarë.
“Gjithçka nis që në momentin që takohem personalisht me autorin. Unë njoh shkrimtarë shqiptarë që kanë takuar artistë bashkëkohorë bullgarë në mënyra të ndryshme. Për shembull, Stefan Çapaliku është një shqiptar i cili së fundmi ka pasur një prezantim në Sofje. Dhe kur ai ose kolegë të tjerë kthehen nga takimet ndërkombëtare, unë bisedoj me ta dhe ata më tregojnë se si është duke u zhvilluar letërsia në Bullgari. d.m.th. është shumë e rëndësishme përshtypja e drejtpërdrejtë që të jep autori. Georgi Gospodinov është përkthyer në Shqipëri 10 vjet më parë, por njerëzit tani po e njohin atë. Sigurisht, kjo vjen edhe falë çmimit “Booker”, sepse çmime të tilla prestigjoze nuk mund të mos ndikojnë tek lexuesit”.
Lidhjet dhe aksesi në kulturën bullgare janë thelbësore për njohjen e kulturës së vendit tonë. Sipas përfaqësueses së bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare, mënyra më e suksesshme për këtë do të ishte përmes ndërtimit të qendrës sonë kulturore në Shqipëri.
“Bullgaria tashmë ka qendra të ngjashme në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Serbi. Pse të mos ketë edhe në Shqipëri – pyet Milena Selimi. - Qendra do të ndihmojë shumë. Hera e fundit që kemi parë një shfaqje teatrore bullgare këtu ka qenë para 6-7 vjetësh - një shfaqje e Mira Dobrevës. Ka pasur edhe shfaqje nga disa grupe kërcimi, por kjo nuk mjafton. Ne kemi nevojë për një hapësirë ku mund të flasim për kulturën, të flasim për veten dhe të prezantojmë arritjet bullgare. E patë sesi një çmim botëror e bëri Georgi Gospodinovin një autor të kërkuar dhe të njohur në mbarë botën. Nga ana tjetër, krahas paraqitjes së personalitetit të tij, pranë emrit të tij qëndron gjithmonë ai i atdheut të tij – Bullgarisë. Domethënë sot të gjithë e dinë se ai është pjesë e kulturës bullgare. Prandaj është e rëndësishme që ne të kemi edhe një qendër kulturore. Është e rëndësishme si për Shqipërinë ashtu edhe për Bullgarinë dhe veçanërisht për komunitetin bullgar. Kur sheh që të kushtohet vëmëndje nga shteti, nga institucionet e tij, kjo të nxit të vazhdosh të mbrosh kulturën tënde. Bullgarët këtu e duan edhe Shqipërinë edhe Bullgarinë. Dhe të dy vendet tona janë në marrëdhënie shumë të mira për momentin. Jemi në dialog të vazhdueshëm me ambasadorin e ri të Bullgarisë në Tiranë dhe shpresoj se përpjekjet do të vazhdojnë. Sepse e gjithë kjo është e dobishme për të dy vendet dhe veçanërisht për komunitetin bullgar”.
Duke vëzhguar Bullgarinë nga Shqipëria, Milena Selimi, si shumë bashkatdhetarë të tjerë atje, pyet veten se sa bullgarë dinë për bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri. Përgjigja e saj është: “Ata nuk dinë mjaftueshëm”.
"Në fakt prej disa vitesh turizmi ka filluar të zhvillohet dhe gjithnjë e më shumë bullgarë vijnë në Shqipëri. Prandaj, mendoj se kur bullgarët të vijnë këtu dhe të njihen me Shqipërinë, do të mendojnë më seriozisht për komunitetin bullgar. Por për momentin nuk ka shumë interes. Nuk e di pse. Sikur shqiptarët janë pak më të lidhur me Bullgarinë. Që në vitin 1990 filloi tregtia e parë me Bullgarinë. Por është edhe çështje kulture. Kam qenë gjithmonë gazetare për çështjet kultururore dhe vazhdoj të shkruaj artikuj për këtë temë. Pra kultura është ajo që mund të mbledhë dhe bashkojë njerëzit, si në njërën anë të kufirit ashtu edhe në anën tjetër. Njohja me njëri-tjetrin është shumë e rëndësishme. Edhe nëse personi tjetër ka një mendim të ndryshëm nga i joni, ne duhet të njihemi me të.”
Lexoni më tepër:
"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga..
Nuredin Nuredinaj është me origjinë nga rajoni historiko-gjeografik i Gorës në Shqipërinë Verilindore, ku 90% e banorëve vetëidentifikohen si bullgarë (Census 2023). Tirana njoftoi të dhëna zyrtare të përditësuara për bullgarët në Shqipëri..
De Là Trâp - ky emër melodioz tërhoqi vëmendjen e adhuruesve të kulturës hip-hop në vendin tonë edhe këtë vit. Në vetëm dy muaj projekti i përbashkët “333” me reperin hit 100 Kila mblodhi afro 1 milion shikime në një prej rrjeteve të shpërndarjes së..