Rumania do ta kalojë dimrin vetëm me gazin e nxjerrë nga depozitat kombëtare
Rumania është e përgatitur për të ftohtin dhe do t'i mbijetojë dimrit vetëm me gaz rumun, siguroi Ministri i Energjisë Sebastian Burduja në Facebook. “Ashtu si po shkon dimri deri tani, por edhe në kushte më të rënda, ne do të mbijetojmë vetëm me gazin rumun”, ka shkruar ministri, cituar nga Digi24 TV. “Ftohtësia po vjen, por jemi të përgatitur. Gazin në magazina e kemi në nivelin 82.93%,” thekson Burduja në sfondin e parashikimeve të motit që paralajmërojnë mot të ftohtë që nga java e ardhshme me temperatura minus 15°C. Ministri shton se basenet ujore që përdoren për prodhimin e energjisë elektrike janë plot ¾, që është një nivel i mirë për prodhimin optimal të energjisë elektrike nga hidrocentralet, pasi Rumania aktualisht eksporton energji elektrike.
Riorganizimet ministrore rinovuan qeverinë greke
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bëri ndryshime në përbërjen e qeverisë. Qëllimi është të korrigjohen parregullsitë, të përmirësohet efikasiteti i qeverisë dhe t’i sigurohet më shumë mundësi për veprime stafit më të ri, tha zëdhënësi i kabinetit Pavlos Marinakis. Ministri i mëparshëm i shëndetësisë, Michalis Chrysochoidis, bëhet ministër i mbrojtjes së qytetarëve në vend të Yannis Economou, i cili largohet nga administrata. Ky do të jetë mandati i pestë i Chrysochoidis në Ministrinë e Mbrojtjes Civile. Ministri i punës dhe zhvillimit social Adonis Georgiadis mori drejtimin e departamentit të shëndetësisë. Politika sociale do të udhëhiqet nga Domna Mihailidou. Mitsotakis mbajti ministrat kryesorë të ekonomisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Sipas transmetuesit shtetëror ERT, Ikonomou po largohet për shkak të një sërë shfaqjeve të dhunës në aktivitete sportive masive.
Ankaraja nuk do të lejojë që anijet luftarake të destinuara për në Ukrainë të kalojnë nëpër Dardanelet dhe Bosforin
Turqia nuk do të lejojë që dy minapastrues britanikë të kalojnë ngushticat në rrugën e tyre për në Detin e Zi që t'i dorëzohen Ukrainës. Kjo do të shkelte Traktatin e Montreux. Në dhjetor, Londra njoftoi se do t'i dorëzonte Kievit dy minapastrues. Edhe pse është një anëtare e NATO-s, Turqia ka njoftuar aleatët e saj se nuk do të lejojë që anijet të kalojnë nëpër Bosfor dhe Dardanele. Ne zbatojmë Konventën e 1936 në mënyrë të paanshme dhe të përpiktë për të parandaluar përshkallëzimin e tensionit në Detin e Zi, tha Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë. Nga aty kujtuan se nuk i lënë të kalojnë as luftanijet ruse. Ankaraja mban marrëdhënie të mira me Kievin dhe Moskën në sfondin e luftës, raporton Reuters, cituar nga BTA.
Po diskutojnë për kthimin e rekrutimit në Serbi
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë propozoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej 4 muajsh, njoftoi BGNES. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se kjo është bërë me qëllim të “ngritjes së aftësive mbrojtëse të ushtrisë serbe përmes përtëritjes dhe stërvitjes aktive të rezervës”. "Pas 13 vjetësh, ne duhet të rimbushim rezervën. Kjo nuk është një nevojë specifike për Serbinë, shumë vende evropiane po aktivizojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak," shpjegoi ministri i mbrojtjes Millosh Vuçeviq. Ministri shtoi për RTS se nisma do të jetë e dobishme për të gjithë shoqërinë dhe mohoi se Serbia po përgatitet për luftë. Një pjesë e opozitës e cilësoi vendimin si populist dhe paralajmëroi se zbatimi i tij do të përshpejtojë emigrimin e të rinjve nga vendi.
Tashmë qytetarët e Kosovës udhëtojnë në BE pa viza
Me heqjen e vizave, qytetarët kosovarë masivisht janë larguar drejt Zvicrës dhe vendeve të BE-së, shkruajnë mediat kosovare. Përveç fluturimeve nga Aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës, mijëra njerëz u nisën drejt Evropës me vetura dhe autobus. Agjencitë e udhëtimit thanë se presin që trendi i udhëtimeve masive të vazhdojë. Madje kryeministri i Kosovës Albin Kurti befasoi pasagjerët në fluturimin e parë nga Prishtina deri në Vjenë më 1 janar nga kabina e pilotit. "Mirëdita të gjithëve! Unë nuk jam kapiteni juaj, unë jam kryeministri juaj. Fillimisht urime Vitin e Ri! Sot është dita e parë e vitit 2024, por edhe dita e parë e udhëtimit pa viza", tha Kurti. Nga kabina ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos shkelin rregullat e liberalizimit të vizave, dhe të respektojnë qëndrimin e lejuar deri në 90 ditë në zonën Shengen brenda 180 ditëve.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: romaniatv.net, politic.gr, Reuters, srbija.gov.rs, lexo.al
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..
Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën..