Bullgarët në Shqipëri, të njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, jetojnë si në qytetet më të mëdha të vendit, ashtu edhe në vendbanimet më të vogla, disa prej të cilave ndodhen në zona malore të vështira për t'u arritur. Kështu ndodh me fshatrat në rajonin historiko-gjeografik të Gorës, jo shumë larg qendrës bashkiake të qytetit të Kukësit, në Shqipërinë e Veriut. Këto janë Borje, Oreshkë, Cërnalevë, Orgjosta, Kosharisht, Zapod, Pakisht, Orçikël dhe më i madhi prej tyre është Shishtaveci - me një popullsi prej rreth 1500 banorësh. Një ekip i “Radio Bullgarisë” vizitoi fshatin Cërnalevë. Disa e quajnë Cernolevë, por në shqip është Cërnalevë.
Për të shkuar në fshat, nisemi në verilindje nga Kukësi - një qytet me një popullsi prej rreth 17,000 banorësh. Kushdo që ka vizituar Shqipërinë me makinë është bindur në cilësinë e ndërtimit të rrugëve. Megjithatë, për të mbërritur në Cërnalevë, ne devijojmë nga rruga e asfaltuar mirë dhe udhëtojmë përmes një rruge të zezë të ngushtë dhe të pasigurt. Vështirë se do t'ia dilnim dot me makinë të thjeshtë, ndaj u jemi mirënjohës mikpritësve tanë që na ndihmuan me transportin.
Në fshatin Cërnalevë na mirëpresin kryetari i fshatit dhe mësuesit e shkollës vendase. Kryetari i fshatit Mahir Hysenaj thotë se xhamia është riparuar rreth një vit më parë dhe tani është radha e shkollës dhe e rrugës për në fshat, për të cilën po kërkojnë ndihmë si nga Shqipëria ashtu edhe nga Bullgaria. 255 njerëz jetojnë në 50 shtëpi në Cërnalevë. Vetëm një herë në ditë ka transport për në qytet. Në mëngjes, në orën 7:00 niset i ashtuquajturi kombi (autobusi lokal) dhe pasdite rreth orës 15:00 kthehet. “Nëse nuk e kap dot, do të ngrish nga i ftohti aty poshtë”, thotë kryetari i fshatit.
"Jeta jonë është e vështirë. Dhe rruga jonë është e ngushtë, që është një problem i madh. Askush nuk jep para. Nëse shteti rregullon rrugën, njerëzit do të vijnë këtu, dhe vendasit do të mund të transferojnë në mënyrë të sigurt materialet dhe të riparojnë shtëpitë e tyre ose të ndërtojnë të reja".
Për të sjellë materiale ndërtimi në fshat, njerëzit në Cërnalevë përdorin kryesisht kuajt. Për këtë arsye është e vështirë të bëhen riparime, ku një prej vendeve që ka nevojë për riparime është edhe shkolla. Janë rreth 150 nxënës. Dyer dhe dritare të thyera, pajisje të vjetruara, mungesë izolimi dhe dhoma të ftohta. Kjo është ajo që pamë në fund të tetorit kur vizituam vendin. Më pas, një ekip nga ambasada bullgare dhe shoqata bullgare "Bullgarët në Shqipëri" bënë një inventar të problematikave që kishin nevojë për ndërhyrje më urgjente.
Një muaj e gjysmë më vonë, shkolla u rinovua pjesërisht, dyert dhe dritaret u ndërruan dhe u dorëzuan pajisje të reja për ngrohje. Kështu, prindërit dhe mësuesit janë shumë më të qetë për fëmijët, të cilët nuk janë më të ftohtë dhe mund të mësojnënë kushte pak më të mira.
Aleks Llukovi është 28 vjeç, ka lindur në Cërnalevë dhe është larguar nga fshati vetëm një herë – kur ishte student në Tiranë. Aleksi ka një vëlla dhe katër motra, por të gjithë jetojnë larg vendlindjes. Është i vetmi që ka mbetur këtu, me nënën e tij. “Jeta këtu nuk është e lehtë” – na thotë ai:
“Por në fshatra është kështu. Ka kohë të vështira, ka edhe të mira. Natyra është e mrekullueshme dhe të mbush shpirtin. E keqja është se nuk ka spital. Sa të thërrasësh për ndihmë, sa të vijë ndihma, deri atëherë personi mund të ketë marrë fund."
Aleksi i ri është aktualisht një mësues i matematikës dhe pikturës në shkollën fillore "Remzi Xhaferraj". Mëson fëmijët nga klasa e 6-të deri në të 9-tën:
"Shumica e nxënësve janë nga fshati, por ka edhe nga vende më të largëta. Ata vijnë në shkollë në këmbë. Fëmijët flasin bullgarisht mes njëri-tjetrit, ndërsa në shtëpi dhe në shkollë mësojnë shqip. Sa i përket njerëzve këtu, ata merren me prodhimin e fasuleve, patateve dhe gjërave të tilla. Ata gjithashtu mbajnë edhe bagëti, por jo aq sa më parë."
Pothuajse gjithë jeta e Aleksit ka kaluar në fshat dhe ai nuk ka pasur kurrë mundësi të vizitojë Bullgarinë. Prandaj, së bashku me disa mësues të tjerë, ai aplikoi për një program trajnimi në gjuhën bullgare dhe tashmë atë e pret takimi i shumëpritur me Bullgarinë. Pas Bullgarisë, mësuesi i ri na thotë se ka në plan të kthehet në fshatin e tij të lindjes për të ndihmuar në zhvillimin e tij.
"Ky është vendi ynë. Të gjithë e duam, por pothuajse të gjithë kërkojnë një jetë më të mirë. Nëse gjërat përmirësohen këtu, askush nuk do të dojë të largohet", është i bindur Aleks.
Vazhdon…
Lexoni më tepër:
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..